Anton Çehov, mjeku që u bë gjeni i novelës
Tek ai në detaje gjendet pikërisht antidoti i djallit. Për Çehovin, bota është në kuptimin strikt dhe hiperbolik të fjalës "një vend i jashtëzakonshëm". Çehovi e dashuronte atë, natyrën njerëzore dhe trupin human.
Nga Albert Vataj
Historia e letërsisë, e cila rreket të kacavirret me tekstshkrimin përnga kreshta më e lartë e kumtit estetik, si forma më depërtuese e shprehisë, ruan në memorin e vet ngadhnjime të paepura korifejsh, të cilët duke ardhur nga dimesione të tjera dëshiruese dhe dijetuese, u përfshinë prej artit të krjimit letrar si prej një magjie. Ata nuk e mohuan askurrë profesionin, për të cilin kishin thurur kaq shumë ëndrra dhe derdhur kaq shumë djersë, por bashkëngjiten gjymtyrët e saj këtij pasioni me shtatin dhe shpirti e ngulmeve mëtuese. A ishte Çehovi një prej tyre. Po. Është magjia e tij që na deh ende shpirtrat e epur pas sendërgjimeve emocionale e penës majëmprehtë.
"Mjekësia është gruaja ime, ndërsa letërsia dashnorja", është kjo maksimë e dalë që vjen si tharm në magjën e Anton Çehov, rusit që konsiderohet si novelisti më i madh dhe më i shquar, jo vetëm në vendlindje, por përbotërisht dhe gjithkohësisht. Ai vlerësohet me 165 pikë nga kritikët e sotëm, sipas një sondazhi të paradokohshëm të "Times". Anton Pavlloviç Çehov lindi 155- vite më parë, më 29 janar të vitit 1860. Ai që do të diplomohej për mjekësi, do të ngulitej thellë në memorien e gjeneratave dhe do të rrëmbente meritueshëm vlerësimin e një prej 10 novelistëve më të mirë të të gjitha kohërave.
Në përvjetorin e 155 të ardhjes në jetë të këtij gjigandi të letrave, ne përulemi me mirënjohje për aktin e tij të krijimit, sublimja e së cilës e mban atë jo vetëm si dramaturgun më të madh të shekullit të XIX-të dhe i fillimit të atij të XX, por edhe si shkrimtari më i suksesshëm i tregimeve të shkurtra, autori gjenial, vëzhguesi skrupuloz, mendjehapuri dhe komunikuesi ëmbëlak. Që nga koha e vdekjes së Çehovit, që daton më 15 korrik i vitit 1905, reputacioni i tij ka rrapëllitur nëpër terrene të çaprazta e mbijetuar stuhishë të ndryshme. Spariherë mbi të do të rëndonte një alogjizëm që do ta përndiqte gjatë, sipas së cilës, ai ishte një "tregtar i mërzitshëm", dramat dhe pjesët teatrale të të cilit kanë një fund të paralajmëruar, një cekje e shpërfaqshme në shpirtin e artdashësit. Nga të tjerë ai është konsideruar si shkrimtari i "komedive", lëndë të cilën ai e përdorë si ingredient të ngjizjes së realitetit me të cilin domosdo përleshej edhe përmes groteskut. Cingërima e keqkuptimeve ceku deri aty sa mbi këtë vullnetmirë dhe rrëmihës të gjithçkasë dhe trajtues buzëhollë, rëndoi heretiku, sepse në vitin 1890 ai në "veshjen" e mjekut kreu një udhëtim në zonën e Sakhalinit, në fund të të cilit grumbulloi një material të mjaftueshëm për shumë pjesë dhe tregime, të cilat e pasuruan galerinë e tij krijuese.
Sipas një libri të vitit 1997, bazuar në letrat e lëshuara nga arkivi rus, dramaturgu ishte, ndër të tjera, edhe një frekuentues i shtëpive publike. Shumë syresh e morën kallpë këtë informacion, të prirur nga trajtimi i Çehovit, këtij gjeniu të rrëfimtarisë, vetëm si një mashkull me hove epshore. Ai në këtë frekuentim të prostitutave, këtyre "infermiere të ndjenjave", kurtizane të përdala, përjashtoi pjesmarrjen fizike. Ai ishte me ta, mes tyre, për të biseduar, për ti pyetur dhe për ti dëgjuar me shumë vëmëndje. A ndikojnë informacione të tilla në mënyrën sesi ne e vlerësojmë artin e tij? Kjo e vërtetë ashiqare e ndez më me shpuzë admirimin për të dhe talentin e tij. Tek ai dashuria për të zbuluar botën shkonte paralel me dëshirën për t'i ikur, për t'iu shmangur asaj, duke e trajtuar artin, si mjet, gjëndje apo vullnet që duhet të priret të qartësojë problemet, jo domosdoshmërish të japë kurën për to. Megjithëse mjek, Çehovi shërimin e plagëve shoqërore i'a la kohës dhe botkuptimit, ndjenjës së ndërgjegjësimit nëpërmjet mjeteve shprehëse estetike.
Anton Çehov, ishte nipi i një bujkrobi, që arriti të blinte lirinë e tij dhe biri i një shitësi ushqimesh. Gjatë javës ishte babai i pamëshirshëm, që i kamxhikonte fëmijët rast e pa rast dhe të dielën shndërrohej në një qenie të përvuajtur dhe mëshirëplotë, kur i duhej të kryente rolin e një koristi kishe. Me një dorë fjalë, kjo ishte fëmijëria e kaluar e Çehovit. Dhe një një baba i tillë la gjurmë të dukshme dhe plazmoi thellë në brendinë e vet gjithë veprat e gjeniut.
Ai e ndan jetën në dy periudha të mëdha: periudha gjatë dhe pas goditjeve me kamxhik. Ndër të parat gjëra që ai shkroi në rininë e tij ishte një listë objektivash që do të kishte dashur ta ndiqte, nëse Zoti do t'i kishte falur dhuntitë e një artisti. Ja çfarë shkruan dramaturgu i madh: "Ndër gjërat më të shenjta janë trupi njerëzor, shëndeti, inteligjenca, talenti, dashuria dhe liria nga dhuna, nga gënjeshtrat. Ky është programi që do të doja të ndiqja nëse do të isha një artist i madh". Çehovi e njihte mirë dhunën dhe gënjeshtrën e donte të kishte të bënte sa më pak me to. Ai ishte shumë i përgjegjshëm si njeri dhe kur i ati dështoi në biznesin e tij dhe e çoi familjen në Moskë, Çehovi bëri ç'ishte e mundur për t'i ndihmuar ata financiarisht e ndërkohë arriti që të mbaronte shkollën, mori një diplomë në Mjekësi, shkruante pa reshtur skeçe dhe tregime të shkurtra për të pasur mundësi më të shumta financiare.
Çehovi çmohej si një vëzhgues i jashtëzakonshëm, një kureshti e ngarkuar me yshtje të zellshme dhe ngulmi për të qëmtuar gjithçka në realitetin e dukshëm dhe të brendashkruar të qenies njerëzore. Ky pasion e kishte armatosur atë me aftësinë për të penetruar në skutat më të errta të thellësisë së brendamishit të fateve të njerëzve. Si një rus ai vërshoi nën lëkurën e atyre që do të ishin personazhet dhe karakteret e korpust të tij krijues, individëve të ndryshëm e të bëhej njësh për pak kohë me veset, dëshirat, ëndrrat e makthet e tyre. Ai vuri re se njerëzit nuk e kishin shumë të zhvilluar aftësinë e të dëgjuarit të njëri-tjetrit. Në tregimet e tij të shkurtra, për të cilat ishte një mjeshtër i madh, vihen re këto nuanca e ngjyrime, por në pjesët dramatike ato bëhen më të dukshme dhe të prekshme. Sepse, në teatër personazhet shfaqen me të gjithë dimensionet e tyre. Të shumtë janë ata që e krahasojnë Çehovin me Shekspirin, madje që i konsiderojnë të dy njëherazi të mëdhenj e monumentalë për atë që kanë shkruar e thënë për jetët, karakterin e natyrën njerëzore. Shumë regjisorë po përpiqen ndërkohë që të sjellin një version modern të veprave të Çehovit, siç kanë bërë disa regjisorë me dramat dhe komeditë e Shekspirit. Ka disa që janë të mendimit se një gjë e tillë nuk do të kishte sukses, edhe pse Çehovi është i gjithkohshëm dhe vepra e tij do të jetojë për sa kohë do të jetojnë edhe njerëzit. Gjithsesi në Londër disa regjisorë po përpiqen që të eksplorojnë në këtë drejtim. Një iniciativë është ajo e "modernizimit" të "Pulëbardhës" dhe "Kopshtit të qershive". Me këto realizime synohet edhe restaurimi i vilës së Jaltës. Ajo nuk është një vilë e zakonshme, por një shtëpi që fsheh disa të vërteta për shkrimtarin dhe dramaturgun e madje, nëse shkon aty, ajo të shfaqet shumë mikpritëse fillimisht. Është e pajisur me dy ballkone. Në këtë shtëpi Çehovi qëndroi me motrën që iu përkushtua me një dashuri të veçantë të vëllait, por ndaj të cilës ai jo gjithmonë u tregua i hapur dhe i drejtë. Madje nuk i tha as për planet që kishte për t'u martuar me aktoren Olga Knipper. Distanca e madhe nga Moska ndikoi edhe në mënyrën e të shkruarit të Çehovit, por ai pati mundësinë që të kishte një nga aparatet e parë telefonikë në të gjithë zonën me të cilin komunikonte me kryeqytetin. Ai merrte vazhdimisht telefonata nga Teatri i Artit që e mbante të përditësuar me suksesin e shfaqjeve të dramave të tij më të fundit. Një proverb thotë se "djalli qëndron në detaje", por Çehov e përgënjeshtron këtë thënie.
Tek ai në detaje gjendet pikërisht antidoti i djallit. Për Çehovin, bota është në kuptimin strikt dhe hiperbolik të fjalës "një vend i jashtëzakonshëm". Çehovi e dashuronte atë, natyrën njerëzore dhe trupin human. Ai thoshte shpesh se ishte i martuar me mjekësinë dhe sa për letërsinë ajo ishte e dashura e tij e përjetshme. Çehovi vlerësonte se pikërisht përmes trupit të vdekshëm dhe shumë vulnerabël mund të përjetohen gëzimet e rikrijimit. A besonte Çehovi te progresi? Përmes përkushtimit të tij ndaj masave fshatare dhe vajtjes te të burgosurit e kolonisë së Sakhalinit, ai ka bërë shumë më tepër se disa idealistë për ta shndërruar botën në një vend më të mirë, por ai ishte aq i mençur sa për ta kuptuar dallimin mes dëshirës për të bërë mirë dhe rrezikut që mund t'u kanoset njerëzve të tillë nëse nuk arrijnë që të gjejnë një balancë mes dhënies dhe marrjes.
Dihet se pasi përfundoi "Kopshti i qershive", Çehov ngjizi idenë për një tjetër dramë, por që fatkeqësisht nuk pati mundësinë ta jetësonte, vdekja i kishte zënë pusi. Nga ato pak shkrime që kanë mbetur bëhet fjalë për një dramë me pritshmëritë e një suksesi të garantuar. Gjithsesi kjo mrekulli e mbetur në tentativë nuk kishte gjasë t'ia zbehte shkëlqimin e këtij gjenialiteti. Më së miri për këtë dëshmon vlerësimi, të cilin e ushqen me energji dhe ëndje lexuesi i të gjitha kohëve. Anton Çehov do të mbetet përherë pjesë e dëshirimit të lexuesit dhe detyresës së brezave për ta nderuar me përkorje këtë gjeni rus të letrave.