Ari/ Është koha për lingota fallco – Gjenden shufra të falsifikuara në treg

Mund të ketë mijëra shufra ari të falsifikuara në të gjithë botën. Jo tërësisht të rreme pasi metali është vërtet ar, madje edhe shumë i pastër, por ai mban shenjën e falsifikuar të rafinerive të njohura në mënyrë që të maskojë origjinën e tij të vërtetë.  Pak a shumë si rastet e çantave apo bluzave të cilat  kopjojnë modelet e stilistëve të famshëm. Vetëm se në këtë rast “të rremët” kërkojnë teknologji dhe makineri që janë të vështira për t’u menaxhuar nga amatorë ose nga hajdutë të zakonshëm. Ka më shumë të ngjarë që në raste të tilla të jenë të përfshira organizata të mëdha kriminale, të specializuara në pastrimin e parave, ndoshta në emër të trafikantëve të drogës.

Zbulimi i shufrave të falsifikuara, të nxjerra në dritë nga një hetim i Reuters, në të vërtetë daton që në muajt e parë të 2017, megjithëse është e vështirë të mendohet se fenomeni ka mbetur i kufizuar dhe se asgjë e ngjashme nuk ka ndodhur që nga ajo kohë. Burimet e agjencisë thonë se JPMorgan, një nga bankat më aktive në tregun e arit, ishte e para që vuri re mashtrimin duke gjetur dy shufra ari 1 kilogramësh, të shënuara me të njëjtin numër identifikimi.

Bankat qendrore i mbajnë rezervat e tyre të arit në shufra “Good delivery” prej rreth 12.4 kg. Por ato janë në të vërtetë kilobarët, pak a shumë madhësia e një smartphone, “formati” më i zakonshëm i arit që qarkullon nëpër botë. Ato përdoren veçanërisht (por jo vetëm) në Azi. Dhe ndoshta edhe për këtë arsye, si dhe për faktin se ato janë mallra të falsifikuara, në sektor dyshohet se Kina ka një rol në këtë lloj veprimtarie. Kontrabanda, sugjeron Reuters, ndodh përmes Hong Kongut, ose përmes Japonisë ose Tajlandës.

Në momentin që ari arrin të hyjë në sistemin bankar, mashtruesit kanë një shans të mirë të largohen me të, nëse falsifikimi nuk zbulohet, metali mund të mbetet i mbyllur në kasafortat për vite me radhë, ose akoma më mirë, nga këndvështrimi i kriminelëve, mund të shkrihet dhe të përdoret për prodhimin e bizhuterive ose shufrave të tjera. Në atë pikë të gjitha gjurmët e krimit zhduken. (Ilsole24ore)

SHKARKO APP