Arif Vladi, këngëtari që ngre peshë skenat dhe zemrat

Nga Gëzim Loka/

Për një këngëtar të përmasave të Arif Vladit, që e ka identifikuar jetën e tij me muzikën dhe këngën, ka shumë për të shkruar e për të thënë, qoftë për gamën e gjerë të tematikës së këngëve të tij, qoftë për idetë, vizionet dhe kumtimet nacionaliste që ajo ka sjellë në momentet më të vështira të historisë dhe të kujtesës sonë kombëtare. Këngëtari virtuoz, ky mbartës i epokës sonë historike, me zërin e tij gjëmimtar, krejt të veçantë e do të thoshim unik në përbashkësinë e të gjithë atyre që e lëvrojnë këtë zhanër të këngës, është bërë një simbol i vlerave që mbart dhe përcjell arti i vërtetë tek të gjitha shtresat dhe nivelet e shoqërisë shqiptare, kudo që flitet gjuha jonë e bukur, pa kufijtë e ndarjet artificiale që na vendosën ne shqiptarëve kohët e vështira të trazimeve tona kolektive.

Arif Vladi është këngëtar dibran, por me këngën e tij, me aftësinë jo vetëm për të kënduar por dhe për të ndjekur ritmet kulturologjike të botës shqiptare, e kalon Dibrën, e kalon Shqipërinë, Kosovën, Çamërinë dhe mbetet një këngëtar simbol lirie e bashkimi ndër veti të të gjithë shqiptarëve kudo që punojnë e jetojnë, në trojet e tyre etnike, apo jashtë, në dhe të huaj. Që kur doli për herë të parë në skenë e gjer më sot, ai ka kënduar qindra këngë, por në këngët për bukuritë e Lurës e të Dibrës, për historinë e madhe të Dibrës e të gjithë shqiptarisë ai ka derdhur jo vetëm zërin brilant, por edhe shpirtin e tij të pasur atdhetar e krenar. Ishte ende fëmijë, kur në Lurën e tij mrekullore, në Lurën e ajrit të pastër, fëshfërimës së gjetheve që duken si serenata, rrjedhës magjike të ujëvarave e katarakteve të vegjël që zbresin nga lartësitë, Arifi mësoi të lexonte magjinë e natyrës e në këtë magji u duk se zbuloi dhe shpirtin e tij artistik. Në vetminë përrallore të natyrës ai këndonte dhe zërin e tij e përcillnin honet, grykat e malet e Lurës dhe e kthenin në jehonë. Lura ishte vendlindja e tij dhe atë ai e mbarti me vete kudo që shkeli këmba e tij, në skena shqiptare e botërore, në jubile e përvjetore, në të gjitha hapësirat e botës shqiptare të cilave ai iu këndoi dje dhe iu këndon sot, me të njëjtën forcë shpirti, talent dhe gjallëri, të cilat kalimi i viteve jo vetëm nuk ia ka shterur, por ia ka nxjerrë akoma më në pah. Që atëherë në rrugëtimin e këngës, nga auditoret e Akademisë së Artit në skenat e qyteteve të Peshkopisë, Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Gjakovës, në diaspoën shqiptare në Europë e SHBA, emri i Arif Vladit ka udhëtuar bashkë me këngën, është bërë pjesë e vizionit të shoqërisë shqiptare për artin dhe kulturën elitare. Arifi ishte dhe mbeti një zë i artit të fuqishëm e dehës, që ua ka mbushur shpirtin bashkëkohësve për rreth katër dekada me hapësirat e virgjëra të lirisë.

Arif Vladi ka një zë të jashtëzakonshëm, mahnitës e të papërsëritshëm, ku me këngët e tij më të mira, veçanërisht me ato të epikës dibrane, si Kënga e Hajredin Pashës etj krijoi mitin e një zëri unik, duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut administrativ. Këngët e tij në vite mbeten në kujtesën e njerëzve të thjeshtë, u bënë hite dhe janë të preferuara edhe sot nga publiku, që e do dhe e çmon këngëtarin që i dhuroi publikut shqiptar, vetë Historisë së Muzikës Shqiptare, zërin e tij të artë, përkushtimin dhe dashurinë e pakufishme ndaj artit, dashurinë për vendin e saj, të cilin ai e mbarti kudo që vajti, në të gjitha skenat e botës, si një peng malli e përkushtimi, për t’i shërbyer deri në fund, me magjinë e një arti të madh e të papërsëritshëm.

Kulmi i karrierës së tij si këngëtar do të arrinte në vitet e qëndresës dhe lavdisë së popullit të Kosovës, nën udhëheqjen e UÇK-së dhe koalicionit perëndimor për të shporrur nga trojet shqiptare të Kosovës pushtuesin serb. Këngët etij si “Marrshi I UÇK-së”, “UÇK-ja shpat më shpat” etj u bënë hite dhe pjesë e ritme të përndezura të qëndresës së madhe të Kosovës martire ndaj barbarisë së fundit sllave në Ballkan. Këto këngë me autorë tekstesh poetë të mirënjohur si Gjokë Beci, Naim Plaku, me kompozitorë virtuozët Edmond Zhulali, Përparim Tomçini e të tjerë janë jo vetëm kulme artistike të këngëtarit Vladi, por dhe një angazhim i drejtpërdrejtë dhe aktiv i tij në valët e asaj lufte të madhe që do të sillte lirinë dhe pavarësinë e Kosovës sonë. Arifi ka marrë pjesë në shumë festivale folklorike kombëtare, duke fituar dhe mjaft çmime e duke shpalosur në çdo rast për artdashësit magjinë e zërit të tij të fortë dhe plot ngjyrime jetësore e kombëtare. Këngët e Arif Vladit janë saga epiko-dramatike qëndrestare, por nuk mungojnë dhe këngë të tilla si “Shtatë liqejt e Lurës”, si dhe të tjera këngë malli e dashurie, dhimbje e trishtimi, ku këngëtari shpalos fuqinë dhe kreativitetin e artit të tij të veçantë. E veçanta e tij si artist është jo vetëm zëri i veçantë, ai timbër i dridhshëm dhe plot solemnitet, që duket sikur gurgullon bashkë me ujëvarat e bjeshkëve, por dhe shpirti i tij i vrullshëm, që iu përgjigjet këtyre joneve që dalin nga thellësitë një zemre të dashuruar me vendin e tij, me historinë dhe bashkëkombasit, mes të cilëve ndihet gjithmonë i rrethuar me dashuri, respekt e mirënjohje të pakufishme.

 Arif Vladi është vetë zëri i ngrohtë i tokës së tij, zëri i ndërgjegjes estetike të popullit, vetëdija e një arti elitar që i shërben fisnikërimit të kombit, maturimit të ndërgjegjes shoqërore, emancipimit të njeriut dhe fisnikërimit të ndjenjave më të bukura humane. Ai ka një kontribut të rëndësishëm edhe në gjininë e filmit, ku ka interpretuar disa role, ku mund të veçojmë një rol kryesor në filmin “Guri I besës” etj. Ai i është mirënjohës të ndjerit Hilmi Kolegjegja, të cilin e kishte jo vetëm mik, por dhe një përkrahës që e nxiti dhe e përkrahu në rrugën e bukur por të vështirë të artit. Iu është mirënjohës autorit brilant të teksteve, të ndjerit Gjokë Beci, të ndjerit Naim Plaku, tekstet e të cilëve ishin hite të një kënge të gjallë e plot kumbime, siç janë këngët e Vladit. “Arifi është një nga këngëtarët më me zë dhe emër jo vetëm nga dibranë, por nga mbarë shqiptarët, thotë kompozitori dibran Përparim Tomçini. Tek ai mplekset fantazia, kreativiteti, pamja, mplekset fuqia e imazhit dhe gjendja e tij si këngëtar i kultivuar, me një talent të pazakontë, ndër më të talentuarit e brezit të tij dhe të të gjitha brezave”.

Në fushën e muzikës, të krijimtarisë por veçanërisht të interpretimit të këngës popullore ose të përpunuar epike, Arif Vladi rreshtohet krahas këngëtarëve më në zë, siç janë Hazis Ndreu, Melita Shehu, më vonë Lirie Rasha etj, por në zhanerin e këngës që thamë nuk e teprojmë aspak por themi një të vërtetë se mban kryet e vendit. Kohët e fundit duket se artisti i madjh, këngëtari brilant, ai që ndezi peshë zemrat e luftëtarëve të lirisë para disa vitesh me këngët hite për UÇK-në dhe lirinë e premtuar të Kosovës martire, epike zëvigan, liriku shije hollë dhe kulturologu Arif Vladi duket si i vetmuar, sikur është tërhequr nga jeta e skenës, që është pjesa më e gjallë dhe më dinamike e jetës së tij. Kjo nuk ka ardhur si refuzim ndaj artit, por si refuzim ndaj asaj që po ndodh në muzikën tonë, të pushtimit të artit nga lakuriqësia që shitet si vlerë, nga komercializmi i rëndomtë etj. Tani Arifi jeton familarisht në Zvicër, por kontaktet me atdheun jo vetëm që nuk i ka ndërprerë por i ka bërë më të gjalla e më aktive se kurrë. Interesohet për fetsivalet, për këngëtarët e rinj, kujton të vjetrit, përkujton me shpenzimet e tij figurat e artit si Gjokë Beci me shokë, të cilët nuk jetojnë më. Refuzimi i tij ndaj “artit të lakuriqësisë”, ndaj artit që nuk buron nga shpirti por nga kuleta, nuk buron nga talenti por nga xhepi, është një thirrje që koha e artit dhe kulturës në këtë vend të zgjohet dhe të jetë në ato shina ku e vendosën me artin dhe krijimtarinë e tyre brezi i Arif Vladit dhe këngëtarëve e krijuesve të tjerë virtuozë.

SHKARKO APP