Aristokratit të mbramë të bibliotekës shqiptare

In Memoriam Willy Kamsit

Nga Kastriot Marku

Albanologjia, diplomacia, Shqipëria dhe Shkodra kanë humbur njërin nga aristokratët e saj të mbramë: Willy Kamsin! Shkodra humbi kështu një personalitet të shquar të dijes albanologjike, eruditin e ndershëm dhe korrekt, shembullin e një qytetari dinjitoz.

Biblioteka e Universitetit humbi themeluesin e saj, bibliotekat e tjera në Shkodër e në Shqipëri humbën bashkëpunëtorin e vyer, shtypi periodik shkencor humbi akribinë e studimeve të tij. Politika e jashtme humbi ambasadorin e parë të Shqipërisë në Selinë e Shenjtë. Familja Kamsi është një familje e nderuar, e cila dha intelektualë dhe atdhetarë që bënë emër në botën shqiptare.

Ajo vinte nga Drishti ose siç njihet ndryshe Drivastum, qyteti kështjellë dhe qendër ipeshkvore e shekullit XII, i famshëm për statutet e katedrales së tij dhe se Kamsi është mbiemri i njërës prej dy degëve të familjes së sundimtarëve të Drishtit, asaj të Ejllorëve ose Engjëllorëve, e cila më pas u nda në dy degë, në atë Kamsi dhe Radovani.

Me pushtimin e Drishtit dhe fortesës së saj nga turqit, Ejllorët (Engjëllorët) u shpërndanë, ku një pjesë e tyre mori mbiemrin Kamsi dhe zotëronte fshatrat mes Cukalit e Drishtit. Më pas ata u shpërndanë në zona të ndryshme të Shkodrës.

Vlen të theksohet se përfaqësuesi i kësaj familjeje atdhetare ishte edhe Pal Engjëlli, Kryeipeshkvi i Durrësit, njëkohësisht ambasador i Gjergj Kastriotit dhe autori i “Formulës së Pagëzimit” (1462). Willy Gjon Kamsi kishte lindur në Bari të Italisë më 17dhjetor të vitit 1926. Ishte djali i vetëm i Gjonit/Linit të Palokë Kamsit dhe Rozës së Pjetër Daragjatit.

Shtëpia e të atit në Bari kishte qenë një vatër e ngrohtë për patriotët dhe politikanët shqiptarë, të cilët kaluan aty si: Luigj Gurakuqi, At Gjergj Fishta, Imzot Luigj Bumçi, dom Lazër Shantoja, Mustafa Kruja, Bahri Omari, Sotir Gjika, Xhevat Kortosha e shumë të tjerë. Willy u rrit në mërgim, dhe pasi kreu shkollën fillore dhe të mesme në Bari pranë institutit të Etërve Jezuitë “Istituto di Cagno Abbrescia”, erdhi dhe u vendos me gjithë familje në Tiranë në kohën e Luftës së Dytë Botërore, në qershor të vitit 1943.

Edhe pse i ati, Gjoni, nuk ishte marrë gjatë luftës me politikë, pasi punoi një kohë të shkurtër si këshilltar i Bankës Kombëtare, familja e tij në qershor të vitit 1953 do të dëbohet prej Tirane, duke u detyruar kështu të shkojë në Shkodër.

Vitet e përgjakta të terrorit të kuq nuk e thyen karakterin e Gjon Kamsit, i cili jo vetëm si intelektual por edhe si ekonomist profesionist e ngriti zërin në mbrojtje te vlerave të kulturës që po rrënohej, sikurse ishte rasti i prishjes së varreve monumentale katolike të Shkodrës në Rrmaji.

Willy fillimisht në vitin 1944, punoi për rreth 8 muaj nën drejtimin e Filip Fishtës si bibliotekar pranë Institutit të Studimeve Shqiptare në Tiranë. Pas vendosjes në Shkodër, fillimisht punoi si vullnetar te biblioteka e qytetit dhe më pas në zyrën teknike të bashkisë së qytetit për t’u marrë më pas me restaurimin e kalasë “Rozafa” (1960-1961), e për t’u vendosur përfundimisht në vitin 1963 si bibliotekar pranë Institutit të Lartë Pedagogjik 2-vjeçar e më pas 4-vjeçar në Shkodër, punë që e kreu deri në vitin 1990.

Puna e jashtëzakonshme që kreu Willy Kamsi me fondet e bibliotekës së Institutit (sot Universiteti i Shkodrës), përbën një rast unik se si një njeri i vetëm me përkushtim të patëdytë mblodhi në mirëbesim nëpër familjet shkodrane fondin libror që ishte rrezik të zhdukej prej përndjekjes së regjimit duke e dhjetëfishuar fondin e bibliotekës, sidomos fondin e saj albano-ballkanologjik.

Nëse ka një bibliotekë universitare shtetërore që mban vulën e një personaliteti, që me sakrifica dhe përkushtim profesional e ndërtoi atë me duart e veta, kjo është pa asnjë mëdyshje Biblioteka e Universitetit “Luigj Gurakuqi” dhe ati i saj është padyshim Willy Kamsi.

Në vitin 1975 diplomohet për histori-gjeografi. Krahas punës së bibliotekarit Willy Kamsi është marrë edhe me studime historiko-kulturore dhe me bibliografi.

Ka botuar një seri artikujsh dhe ka përkthyer mjaft vepra me rëndësi në fushën e albanologjisë në një numër të madh revistash shkencore dhe botimesh periodike, si: “Monumentet”, “Studime historike”, “Shkodra”, “Buletini Shkencor” i Universitetit të Shkodrës, “Phoenix”, “Kumtari”, “Hylli i Dritës” etj., si dhe ka marrë pjesë vazhdimisht në Seminaret e Gjuhës, Kulturës dhe Letërsisë Shqiptare në Prishtinë, Seminarin “Shkodra në Shekuj” etj.

Mbas rënies së komunizmit, në vitin 1993, ai u emërua prej qeverisë demokratike ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë në Vatikan, detyrë të cilën e kreu me përgjegjësi të lartë deri në dhjetor të vitit 1996.

Edhe pse i trajtuar në mënyrë jo fort dinjitoze nga shteti amë në misionin e tij diplomatik, Willy Kamsi nuk u ankua asnjëherë dhe nuk e përgojoi shtetin që përfaqësonte, por e nderoi në mënyrë shumë dinjitoze Shqipërinë krahasuar me përfaqësitë diplomatike të tjera para Selisë së Shenjtë.

Mbas kësaj Willy Kamsi jetoi në Shkodër së bashku me të motrën, i përkushtuar i tëri mbas librave të shumtë të shtëpisë-bibliotekë të tij.

Përgatiti dhe botoi bibliografitë “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Albania” dhe “Shêjzat”, si edhe i disa materialeve me rëndësi historike, siç janë “Ditari” historik i Shuk Gurakuqit, “Kujtimet” e Gjon Kamsit, një përmbledhje të studimeve të veta me karakter historik. Në periudhën fundore punoi si drejtues dhe këshilltar i Bibliotekës albano-ballkanologjike “At Zef Valentini S.J” të Institutit të Studimeve të Lartat të Filozofisë dhe Teologjisë pranë Seminarit Ndërdioqezan Shqiptar në Shkodër.

Janë të njohur artikujt e tij për fortifikimin dhe restaurimin në kalanë e Shkodrës, për kishën e Shirgjit për veprën “Çetta e Profetënve” të Bogdanit, për fillimet e arkeologjike të At Shtjefën Gjeçovit, për At Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Vinçenc Malajn, Daniel Gjeçajn, Zef Valentinin, për historikun e bibliotekave të Shkodrës, për Mesharin e Gjon Buzukut etj.

Kontributi i tij i madh ishte përgatitja e serisë bibliografike kronologjike të revistave “Albania”, 1897-1909; “Hylli i Dritës”, 1913-1944; “Leka”, 1929-1944; “Shkëndija” 1940-1943, dhe “Shêjzat” 1957-1978. Po ashtu kontributi i tij i çmuar ishte përkthimi i veprave albanologjike si ajo e Ernest Koliqit “Saggi di letteratura albanese) (1972), botuar në kompletin e veprave të Koliqit, Vepra 4, Sprovë letërsie shqiptare, Përkthye prej italishtes e pajisë me shënime nga Willy Kamsi, Shtëpia Botuese Faik Konica, Prishtinë, 2003, ajo e Luigi Marlekajt: Pietro Bogdano e i‘Albania del suo tempo.( 1989), përkthyer me titullin: “Pjetër Bogdani e Shqipëria e kohës së tij”.

Me riprodhimin fotografik të njëqind e tridhjetë e dy dokumenteve. Përkthye, pajisë me shënime të veçanta, tregues të emnave dhe redaktue nga: Willy Kamsi, Botime Françeskane, Shkodër 2008; si dhe ajo e filologut frëng Mario Roques, “Frang Bardhi dhe fjalori i tij (1635)”. (Përkthye e pajisë me shënime nga Vili Kamsi), botuar fillimisht në: Buletini i Institutit Pedagogjik Dyvjeçar të Shkodrës, Shkodër, Nr. 4, 1966, f. 429-464; ribotuar edhe në Franciscum Blanchum, Dictionarium latino-epiroticum, me parathënie nga Mario Roques, Botim anastatik, Çabej, Tiranë, 2006, f. 25-85; “Recherches sur anciens textes albanais”, “Gjurmime mbi Tekstet e Vjetra Shqipe e shkrime të tjera”. Botuar fillimisht në: Buletin shkencor i Institutit të Lartë Pedagogjik Dyvjeçar të Shkodrës, Shkodër, I/1964, Numër i posaçëm, f. 385-409 ; II /1965, f. 397-422,

Të dyja studimet e filologut frang u botuan të përkthyera së fundmi nga frëngjishtja e pajisë me shënjime plotësuese nga Willy Kamsi. Botimet Françeskane, Shkodër, 2011. Me humbjen e Willy Kamsit kultura shqiptare humb një nga dinjitarët e saj më të kulturuar, i cili punoi gjithë jetën në heshtje, por me sqimë të pashoqe.

Këtë humbje e zvogëlon trashëgimia e tij e pasur që na la pas, ndaj kjo mendoj se nuk është pak. Do të ishte në nderin e qytetit të Shkodrës dhe të Universitetit të këtij qyteti që biblioteka e tij të mbante emrin e themeluesit të saj: Willy Kamsit.

SHKARKO APP