Arkivat e huaja për Shqipërinë e 103 viteve më parë
Luftërat Ballkanike dhe Shqipëria
Nga Nuri Dragoj
Shembjen e Perandorisë Osmane, Rusia e shfrytëzoi për interesat e veta. Në bashkëpunim me Francën ajo kishte marrë nën mbrojtje të krishterët që ndodheshin nën varësinë e Perandorisë dhe objektivi i saj ishte zgjerimi i trojeve sllave në gadishullin e Ballkanit si dhe dalja e Serbisë në Adriatik. Pikërisht për këtë qëllim u organizua dhe lufta Ballkanike. Nën pretekstin e largimit të ushtrisë osmane, fqinjët e Shqipërisë synonin copëtimin e saj. Ndërkohë Austro-Hungaria ishte e vendosur në formimin e një shteti shqiptar sa më të qëndrueshëm, pasi siguronte daljen në Selanik dhe shmangte shtrirjen e sllavizmit.
Rusia shprehu publikisht shqetësimin e saj për fatin e miqve të vetë sllavë. Në radhë të parë ajo dëshironte të tërhiqte pas vetes Francën dhe Britaninë duke propozuar ndërhyrjen e fuqive në ndihmë të Aleancës Ballkanike. Humbja e tyre përballë Perandorisë Osmane shihej me rrezik për planin rus. Zgjidhjen e kësaj çështjeje Franca e shihte në organizimin e një konference ndërkombëtare. Mirëpo shtetet ballkanike përparuan aq shpejt në luftë kundër ushtrisë osmane, sa habitën tërë Europën. Ndërkohë, fitorja u dha forcë dëshirave serbe për të dalë në Adriatik. Për ministrin e Jashtëm rus kjo shihej normale, pasi i kishte rrënjët në shkaqe historike. Sipas tij, sllavët e jugut kishin pasur dikur lidhje me atë det dhe për më tepër dalja në Adriatik shihej e nevojshme në aspektin ekonomik, pasi Serbia donte të shpëtonte nga zgjedha austro-hungareze.
Perandori rus ishte deklaruar kundër një Shqipërie autonome me territore të zgjeruara. Sipas ministrit të Jashtëm, Sazonov, nëse do të ngrihej një provincë autonome shqiptare, kufijtë e saj duhej të caktoheshin në një largësi jo të madhe nga bregdeti. Ai trembej mos Austria dhe Italia do të përpiqeshin t’i jepnin provincës së re një prapatokë sa më të gjerë, pasi kjo do të ishte në konflikt me aspiratat serbe. Ndërsa në lidhje me pushtimin e Durrësit ai mendonte që serbët kishin të drejtë, pasi Shqipëria ishte një territor turk. Serbia do të vepronte brenda të drejtave të veta si ndërluftuese për të pushtuar një port në bregdetin e Shqipërisë. Këtë opinion ai do t’ia shprehte më 13 nëntor ambasadorit britanik në Shën Petërburg. Po atë ditë ambasadori rus në Londër do të shkonte në zyrën e Edëard Grey-t, të cilit i dorëzoi një memorandum të qeverisë ruse, në të cilin kërkohej ndërhyrje e Fuqive të Mëdha, sa më shpejt që të ishte e mundur.
Patriotët shqiptarë, u përpoqën t’i dilnin për zot fatit të popullit të vetë, por ishin disi të vetmuar. Përgjithësisht atyre u mungonte mbështetja ndërkombëtare. Të rrethuar me armiqësi të shumta, brenda dhe jashtë Shqipërisë, ata luftuan dhe sakrifikuan gjithçka, për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej prej gijotinës europiane. Përkundrazi, fqinjët mundën të kënaqnin oreksin e tyre barbar, sepse kishin pas vetes mbështetës të fuqishëm, si Rusia, Franca apo edhe Anglia. Shqipëria përkrahej nga Austro – Hungaria dhe Italia, të cilat nga ana e vet, kishin thurur plane të fshehta, për ta ndarë atë midis tyre.
Atdhetarët shqiptarë, për një shekull të tërë, nuk u dorëzuan përpara padrejtësive historike. Për të ndalur rrjedhën e kësaj hemorragjie, përpjekjet e tyre do të vazhdonin pandërprerje. Njëqindetre vjet pas kësaj tragjedie, koha vërtetoi katërcipërisht, se luftërat ballkanike të vitit 1912 ishin pjesë e skenarit tinëzar të armiqve historik të Shqipërisë. Por ajo nuk mundi të përjetësonte mashtrimin. Mjafton të përmendim këtu ditën e madhërishme të Pavarësisë së Kosovës, për të vërtetuar, se ky skenar ogurzi do të gjente fundin e vet në vitin 1999, kur popullsia kosovare fitoi lirinë nëpërmjet grykës së pushkës. Por le të udhëtojmë 103 vite më parë dhe të shohim çfarë ka ngjarë me fatin e shqiptarëve.
Kurorëzimi i kryengritjes së gushtit
Në Shqipëri kishte triumfuar Kryengritja e Përgjithshme e Armatosur. Në verën e vitit 1912, ajo kishte gjetur shtrirje në Prishtinë, Shkup, Shkodër e deri në Vlorë. Më në fund, forca e armëve pati gjunjëzuar perandorinë. Ndërkohë, kryeministri i qeverisë osmane kishte dhënë dorëheqjen. Pasuesi i tij do të kërkonte bisedime me shqiptarët, duke tentuar të shmangte përplasjet e armatosura. Shqiptarët do të paraqitnin një paketë me 24 kërkesa, 22 prej të cilave ishin pranuar menjëherë nga Porta e Lartë. U përjashtua vetëm pika, në të cilën kërkohej nxjerrja në gjyq e ish – kryeministrit të mëparshëm dhe dënimi i administratës së kaluar.
Qeveritarët premtuan reforma në Shqipëri, duke përfshirë edhe një lloj autonomie të padeklaruar plotësisht. Por lihej të nënkuptohej, se ajo mund të arrihej më vonë. Megjithatë, vendet fqinje të përfshira në Aleancën Ballkanike, nuk i lanë kohë Turqisë për të provuar vërtetësinë e këtyre premtimeve.
Më 8 tetor 1912, nisi Lufta Ballkanike me sulmin e Malit të Zi. Njëzet ditë më pas, Greqia do të pushtonte Pashalimanin. Ndërkohë, Serbia ishte nisur nga Veriu, ndërsa Mali i Zi po i drejtohej Shkodrës. Pikërisht më 8 tetor, Rusia dhe Austro – Hungaria do të firmosnin një deklaratë, sipas së cilës, Lidhja Ballkanike nuk duhej të përmbyste Traktatin e Berlinit. Kjo luftë nuk duhej të ndryshonte kufijtë territorialë. Austro – Hungaria e shihte me frikë pretendimin serb për dalje në Adriatik nëpërmjet një porti shqiptar. Ndërsa Rusia i druhej ndonjë aksioni në këtë rajon nga ana e austro – hungarezëve.
Armiqësia e shqiptarëve dhe letra e Dervish Himës
Më 22 tetor 1912, e ashtuquajtura Lidhje Ballkanike ishte gati për sulm. Pasi kishin firmosur traktatet e fshehta gjatë gjithë pranverës dhe verës, në prag të dimrit kishin rreshtuar brigadat e para të këmbësorisë. Pranë tyre gjendeshin kolonat e artilerive dhe anijet luftarake të flotave detare. Ishin gati për të nisur gjakderdhjen. Gjithçka ishte menduar të organizohej si një mësymje mbi trojet e Perandorisë Osmane në Ballkan. Por, në fakt, rrethi i sulmeve kishte si pikësynim të drejtpërdrejtë tokat shqiptare. Ndërsa në kancelaritë e huaja, nuk kalonte asnjë ditë pa u diskutuar për Shqipërinë. Përditë kërkoheshin lajme prej saj.
Më 21 tetor, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austro – Hungarisë kishte mbërritur një letër e Dervish Himës. Ai paralajmëronte austriakët për rrezikun e tradhtisë së krerëve shqiptarë. Në atë letër thuhej: “Shqipëria e Jugut sot gjendet para rrezikut të një sulmi të grekëve, miqve të Ismail Qemalit… Lajmi, se ju e keni vënë në dijeni formalisht Greqinë, që nuk do të toleroni bombardimin e brigjeve shqiptare, ka bërë një përshtypje shumë të mirë midis shqiptarëve. Vetëm Ismail Qemali dhe agjenti i tij, Luigj Gurakuqi, janë kundra këtyre manifestimeve të marra prej jush”.
Kjo letër tregonte qartë, se patriotët shqiptarë ishin përçarë dhe armiqësuar keqazi midis grupimeve, farefisnive apo individëve, të cilët bashkë me luftën kundër pushtuesve, organizonin edhe plane kundër njeri – tjetrit.
Lufta e Parë Ballkanike
Lufta e Parë Ballkanike kërcënoi kufijtë e Shqipërisë. Në fund të muajit tetor, tabelë qitjeje për të ishte bërë harta e trojeve të populluara me shqiptarë. Ajo ishte programuar në disa drejtime, duke filluar nga Shkupi, Prishtina, Shkodra, Gjakova, Dibra, Korça, Gjirokastra, Karaburuni…. Në këtë mënyrë, vendi ynë po viktimizohej prej një lufte të paimagjinuar. Në atë kohë krerët e Serbisë, Greqisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë do të shfaqnin një megallomani të paparë në lidhje me të drejtën që i jepnin vetes për të pushtuar trojet shqiptare. Por para se të ndërmerrnin operacione konkrete, ata bënin provokime edhe ndaj Fuqive të Mëdha.
Në pasditen e 22 tetorit të vitit 1912, përpara se Serbia të sulmonte Sanxhakun dhe Novi Pazarin, kryeministri serb, Pashiç, do të thërriste në një takim ministrin britanik në Beograd, Ralph Paget. Ai do t’i parashtronte atij, gjoja si rastësisht, një pjesë të planeve për pushtimin. Në atë kohë, Nikolla Pashiç ishte 67 vjeç. Pikërisht në moshën kur njeriu zëvendëson brenda vetes rrëmbimin me ngadalësinë, dhunën me urtësinë dhe nxitimin me pjekurinë. Në këtë moshë, përpara se mendja e njeriut të punojë për luftën, ajo duhet të vihet tërësisht në shërbim të paqes. Por te Pashiçi kishte ndodhur e kundërta. Duke qenë një mjeshtër i bixhozit, ai mendonte natë e ditë vetëm si të fitonte. Nëse gjatë natës përpiqej të fitonte para me anë të seancave të pokerit, ditën synonte sa më shumë territore nga harta e Shqipërisë. Njëlloj si dy rusët e dehur, që në shekullin XIX kishin shkuar në këmbë drejt Greonlandës dhe kujtonin se ishin në brigjet e Vollgës.
Pashiç, që nga koha kur kishte mësuar për të folur, trojet shqiptare i quante “Serbia e vjetër”. Atij ia kishin prerë kostumin për t’u bërë politikan qysh kur ishte i vogël, për shkak se njihej si një mashtrues i regjur. I ungji qeshte me të madhe dhe i thoshte shpesh: “Ti do bëhesh politikan, sepse nuk të skuqet faqja kur gënjen”.
Pashiçi nisi të ngjiste shkallët e hierarkisë. Fillimisht do të bëhej kryetar i Bashkisë së Beogradit. Pastaj, pesë herë rresht do të zgjidhej kryeministër i vendit, ndonëse përjetoi dështime të njëpasnjëshme. Ai shqiptonte përherë një frazë eufemike: “Rusia ka gjithmonë të drejtë”! Sipas tij, gjithçka duhej venë në shërbim të Serbisë, ndaj dhe atë mëngjes, Pashiçi do t’i thoshte Pagetit:
– Kam argumente të mjaftueshme për të besuar se Austria nuk do të ketë arsye për të ndërhyrë, në rast të ndonjë operacioni nga ana e Serbisë. Është fjala nëse ne do ta quanin të nevojshme një ndërhyrje në Sanxhak!
Për shkak të kryengritjeve dhe zhvillimeve të vrullshme të ngjarjeve që patën ndodhur atë vit, Pageti kishte ditë që e priste këtë bisedë me kryeministrin serb. Por nuk kishte ngulmuar të provokonte një takim të tillë. Ai po e dëgjonte me kujdes folësin, ndonëse kishte rënë në mendime.
Ralph Spencer Paget kishte studiuar për diplomaci dhe në atë vit mbushte 48 vjeç. Ishte në kulmin e pjekurisë së një diplomati. Gjatë karrierës së tij kishte kryer dhe detyra të tjera, por prej dy vjetësh ishte emëruar ministër fuqiplot i Britanisë në Mbretërinë e Serbisë. Për shkak të kontakteve të vazhdueshme me kryeministrin Pashiç, Paget ia njihte mirë kreut të shtetit serb, si dinakërinë dhe momentet e sinqeritetit.
– Tani për tani, trupat serbe të dërguara në atë drejtim, do të mbajnë pozitat mbrojtëse, – tha Pashiç dhe i hodhi sytë diku në horizont. Mirëpo, në Senicë dhe Novi Pazar, – vazhdoi ai, ka reparte turke. Prandaj, për krahun e djathtë të armatës serbe, do të jetë e pamundur që të avancohet drejt jugut. Duke i pasur ato trupa mbi shpinë, ndoshta do të jetë e nevojshme të ndërmarrim një ofensivë, për të pushtuar Novi Pazarin, – përfundoi kryeministri serb, me një ton jo plotësisht të sigurt, i cili linte shteg edhe për tërheqjen e argumentit.
Ndërkaq, ambasadori britanik në Beograd kishte kryqëzuar duart dhe po dëgjonte pa folur asnjë fjalë. Ai thuajse e dinte, që këto hyrje e dalje të vështira të ligjëratës së Pashiçit, do të kishin si përfundim Novi Pazarin. Dinte gjithashtu, që interesat serbe do përballeshin me ato austriake. Ndërsa në vetvete po mendonte, se kjo informatë nuk ishte e përpiktë. Novi Pazarin e kishin në duar “arnautët”. Pashiç duket se ia “lexoi” mendimin dhe pasi mori një qëndrim krenar, vijoi:
– Lidhur me ruajtjen e statuskuosë, të gjithë shtetet e Ballkanit janë të prirur për zgjerime territoriale.
Në këtë moment, Paget e vështroi ngultas në sy dhe e pyeti:
– Zoti kryeministër! Mos do të thotë kjo, se Serbia, në rast fitoreje, do të përpiqet të mbajë pas lufte cilindo territor që do të pushtojë në Sanxhak?
Pashiç, pasi kruajti kokën, hodhi sytë në dy – tri drejtime të ndryshme dhe iu përgjigj.
– Kjo përbën një pikë, që do të zgjidhet midis Serbisë dhe Austro – Hungarisë. Ajo do të varet nga rrethanat. Por edhe me pjesëmarrjen e Fuqive të Mëdha, – shtoi pas pak. Dhe më tej vijoi: – Në rast se Austria është thjesht duke kërkuar një dalje tregtare nëpërmjet Sanxhakut, mund të konceptojmë ndonjë rregullim, i cili t’u përshtatet nevojave të saj. Njëkohësisht, ajo duhet ta lërë patjetër nën zotërimin e Serbisë territorin me popullsi serbe, e cila me të drejtë i përket asaj.
Paget nuk foli. Atë çast iu kujtuan sugjerimet e homologut të tij austriak, D’Ugron*. Para pak ditëve ai i kishte thënë: “Nëse Pashiç mund të mendojë që Austria nuk do të ndërhyjë në Sanxhak gjatë luftës, besoj se gabohet. Do të ishte mirë që ata të kuptonin, se Austria nuk mundet të lejojë mbajtjen nga Serbia të çfarëdo pjese të Sanxhakut”. Po të ndodhte kjo, sipas D’Ugronit, Serbia dhe Mali i Zi do të lidhnin duart me Bullgarinë në kurriz të Austrisë. Pra, do të ndërtonin një kombinim sllav, që do të shtrihej nga Deti i Zi deri në Adriatik. D’Ugron i kishte shpjeguar Pagetit, se një kombinim i tillë do të bllokonte kufirin e Hercegovinës. Madje do t’ia mbyllte rrugën edhe Austrisë për të ardhmen në Detin Egje. Nëpërmjet intrigave dhe trazirave, ajo do të kthehej në një kërcënim për sundimin e Austrisë në Bosnjë – Hercegovinë, si edhe në provincat fqinje. Në një moment të tillë, rreziku për Austrinë nuk ishte i shpërfillshëm.
– Më kuptove? – pyeti befas Pashiçi. Atë çast Pageti u rikthye në bisedë, e cila ishte ndërprerë për disa çaste. – Këto janë mendimet e mia për këtë çështje, – përfundoi kryeministri serb.
Pageti bëri një lloj lëvizjeje duke tundur kokën. Ishte një veprim, që as i miratonte dhe as i kundërshtonte gjykimet e Pashiçit. Të paktën, tundja e kokës tregonte, që e kishte kuptuar saktësisht bashkëbiseduesin. Pas dy orësh, diplomati britanik do ta transmetonte bisedën me korrektesë drejt Londrës.
Gjashtë Fuqitë e Mëdha në ankth
Kryeqytetet e Fuqive të Mëdha nuk kishin qetësi. Kriza e Luftës Ballkanike i kishte përballur me situata të papritura. Në këto rrethana, zgjidhjen e disa enigmave ishin të detyruar t’i linin për më vonë. Vjena, Londra, Moska, Berlini, Roma dhe Parisi, e kishin hedhur vështrimin mbi hartën e Ballkanit. Por secila prej tyre kujdesej për interesat e veta. Sepse nuk bëhej fjalë vetëm për fatin e kufijve të vendeve ballkanike. Diskutohej dhe për fatin e Turqisë, e cila rrezikohej të shpërbëhej. Një shpërbërje e Turqisë do të krijonte problem për gjithë Europën.
Tendenca kryesore e shteteve që përbënin Aleancën Ballkanike ishte, që pas luftës, fitorja e tyre të shpërblehej me territore nga pjesët e Turqisë Europiane. Harta e kësaj pjese të kontinentit europian, nënkuptonte Shqipërinë. Të ndanin territoret e saj midis tyre. Kjo edhe për faktin e thjeshtë, se Shqipëria jetonte ende nën administratën turke dhe humbja e Turqisë, do t’u jepte të drejtë ndërluftuesve ballkanikë të bënin pazar me tokat e kolonive të saj. Por katër ditë më vonë dhe pikërisht në mëngjesin e datës 26 tetor, Cartwright*, ambasador i Britanisë në Vjenë, u takua me ministrin e jashtëm austriak, Kontin Berchtold, i cili sapo ishte kthyer nga Roma. Në fakt, ai njihej për ndjeshmërinë e tij të lartë, për tolerancën, por edhe për shpërthimet e befasishme që i shfaqte hera – herës. Konti Leopold Berchtold ishte njëri prej njerëzve më të mençur e më fisnikë të Europës. Në atë kohë ishte 49 vjeç. Flokët i kishin rënë disi në pjesën e përparme, sipër ballit. Ndërsa nga prapa i mbante të qethura shkurt, duke e kompensuar mungesën e tyre me një palë mustaqe të zeza e të dendura, që të kujtonin portretin tipik të një shqiptari tradicional.
Berchtold kishte lindur në një familje me pronësi tokash në Moravi dhe Hungari. Ai ishte një nga njerëzit më të pasur të Austro- Hungarisë. Fillimisht u rrit me tutelë në shtëpi. Më vonë studioi ligjin dhe në vitin 1893 u bashkua me shërbimin e huaj austro – hungarez. Berthold mendonte se bota dhe sidomos Europa, mund dhe duhej të ndreqej. Prandaj ia kushtonte gjithë kohën vëzhgimit të hartave ballkanike, duke formësuar në mendjen e vet pikat kryesore të kufirit shqiptar, ku Austro – Hungaria kishte mbështetur shumë plane për të ardhmen.
Sapo u takua me ambasadorin Cartwright, kryediplomati i Vjenës e pyeti:
– Si u shkoi vizita në Romë?
– Mrekulli, – iu përgjigj Berchtold, duke kaluar menjëherë në detajet e bisedës së tyre diplomatike, ku kryefjala kishte të bënte me ngjarjet e krizës ballkanike.
– Jam shumë i kënaqur nga të gjitha bisedimet që zhvillova. Megjithëse për Ballkanin nuk folëm shumë, – tha kryediplomati austriak. – Diskutuam për çështjen shqiptare, – vijoi ai pas pak, kur e kuptoi se tjetri priste një ekspoze të bisedimeve.
– Po? – tha Cartwright, duke i lënë radhë ministrit të Jashtëm austriak, që të vijonte ligjëratën e tij.
– Unë nuk e përjashtoj idenë e një principate shqiptare, të vogël apo të madhe, nën suzerenitetin e sulltanit. Natyrisht, këtë e presupozoj brenda disa rrethanave të caktuara, – nënvizoi Berchtoldi.
Në atë moment ambasadori britanik po përgatitej ta pyeste për reagimin e mundshëm të grekëve, kur ministri, sikur t’ia kishte lexuar pyetjen, vazhdoi.
– Greqia së bashku me Malin e Zi, në fund të luftës, do të nxjerrin probleme për rishikimin e kufirit në kurriz të Shqipërisë.
Atëherë, Cartwright, gjeti rastin dhe e pyeti:
– Zoti Ministër, çfarë mendoni për aneksimin e Shkodrës nga Mali i Zi?
Berchtold iu shmang pyetjes. Dukej hapur që ai nuk donte t’i përgjigjej në mënyrë direkte. Prandaj dha një përgjigje të ndërmjetme, me disa fjali të papërcaktuara, që nuk detajonin thelbin e mendimit të tij ose që linin të kuptohej, se kjo do të shihej pak më vonë.
Cartëright kishte 4 vjet që kryente detyrën e ambasadorit anglez në Vjenë. Madje, aty – këtu, në korridoret e Ministrisë së Jashtme, kishte dëgjuar thashetheme lidhur me një transferim të mundshëm të tij. Disa thoshin se do të ngjitej më lart, të tjerë betoheshin, se ishte piketuar zbritja e tij në detyrë. Mbase edhe largimi nga misioni diplomatik. Kjo e dyta e trishtonte disi, pavarësisht se të gjitha njoftimet që i vinin, ishin thjesht thashetheme korridoresh.
Cartwright ishte djali i dytë i William Cartwright, që njihej prej të gjithëve në Londër për influencën e tij parlamentare. Por Cartwringht ishte shumë i dhënë pas letërsisë dhe shkruante drama të mrekullueshme. Megjithatë, domosdoshmëria për të zgjedhur një profesion të pranueshëm për prindërit e nxiti drejt diplomacisë. I penduar për braktisjen tinëzare që i kishte bërë letërsisë, iu përvesh punës. Në vitin 1880 botoi disa nga tragjeditë e tij të mëdha si dhe vepra të tjera. Por gruaja, e cila ishte lexuesja e parë e librave të tij, megjithë mbështetjen e madhe që i jepte, shpesh i thoshte të vërtetën: Sado që të shkruash, nuk bëhesh dot Shekspir i kohës sonë, ndonëse kjo kohë është e mbushur me tragjedi.
Atë çast, duke e parë Bertholdin që po i shmangej pyetjeve, Cartwright mori përsëri iniciativën dhe e ripyeti në mënyrë direkte për Sanxhakun.
– A do ta kundërshtonit përfshirjen e Sanxhakut në një principatë shqiptare, për të cilën folët më lart?
– Them se po afrohet momenti për ta menduar një gjë të tillë, – iu përgjigj ministri. Por pak minuta më vonë, ai do të paraqiste dyshimet e tij për Lidhjen Ballkanike. Pas luftës do të ishte e vështirë që Lidhja të hiqte dorë tërësisht nga pretendimet e veta. Ata do të këmbëngulnin patjetër për rishikime të kufijve. Në fakt, Ballkani më tepër se sa në një aleancë shtetesh, po përfshihej në kaos. I vetmi moment që i bashkonte ishte aspirata për copëtimin e Shqipërisë dhe fshirja e saj nga harta ballkanike. Londra ishte e shqetësuar pikërisht për shkak të konfuzionit ballkanik.
(Vijon)