Armand Shkullaku: Shqipëria, demokraci evropiane apo latino-amerikane?
(Botuar me 26 Gusht 1993)
Nga Armand Shkullaku-
A e kishte Shqipëria mundësinë dhe shansin që për të paktën dy vjet të ishte shndërruar në një vend tërësisht demokratik? Natyrisht që po, por një gjë e tillë kërkonte një përkushtim të sinqertë të pushtetarëve tanë, të cilët pa frikë mund të thuhet se e humbën mundësinë për të hyrë në histori si krijues të diçkaje e jo më të një shteti të ri. Ç’po ndodh aktualisht në Shqipëri? Përse demokracia jonë po na shëmbëllen me atë të vendeve latino-amerikane? Njerëzit që morën përsipër krijimin e shtetit të ri shqiptar deklaruan se asistenca sociale është një zgjidhje demokratike dhe se kur të marrë fund, për të papunët shteti do të ketë hapur mijëra vende pune. Asistenca mbaroi. Këtë muaj mjaft njerëz firmosën për të marrë një shumë prej 300 lekësh të reja. Vetëm 3 dollarë në muaj, 10 lekë në ditë. As fiset e Afrikës nuk kanë parë çudira të tilla. Çfarë do të bëjnë 400 mijë shqiptarët e papunë, të cilëve iu ndërpre edhe asistenca? Këta shqiptarë që as bukë nuk kanë të hanë, duan të ikin nga Shqipëria. Deklaruan fituesit në zgjedhjet e 22 marsit se do të vendosin rregullin e qetësisë. Përditë na shtohen vrasjet. Vrasje për tokën, për gjakmarrje, për grabitje, për përdhunim. As Televizioni Italian i një shteti me rreth 60 milionë banorë, nuk transmeton në ekran aq vrasje sa Televizioni Shqiptar. Në Shqipëri u fut droga, hashashi, heroina, kokaina. Një trafik i organizuar që ka filluar të shkaktojë edhe viktima: ç’mund të bëjnë përballë këtyre krimeve policët shqiptarë që rrezikojnë kokën për 3 mijë lekë në muaj? Reklamohen çdo ditë ndihmat që vijnë nga KE për vendin tonë, sidomos në shëndetësi. Pas kësaj ndodhin paradokse të padëgjuara. Zbulohen mbartës të virusit, të SIDA-s, qytetarë që dhurojnë gjak. Si do të vejë halli më vonë kur në një shtet në shekullin e 20 mungojnë profilaktikët elementarë? A vret ndokush mendjen se brenda pak vjetësh një sëmundje e tillë mund të bëjë kërdinë në një shtet të infektuar nga të katër anët? Qeveritarët e rinj thanë se do të punojnë për popullin dhe jo për xhepin e tyre. Ndërkohë korrupsioni ka plasur sheshit. Vidhen 1.6 milionë dollarë, “humbin”360 mijë të tjerë, vijnë 60 tonë ilaçe të skaduara me vlerë 2 milionë dollarë dhe ministrat tanë vetëm sa trishtohen e pikëllohen në ekranin e TV. Të mësuar 50 vjet vetëm me suksese, edhe pushtetarët e sotëm me faqe rozë e barkun e trashur ka dy vjet që flasin vetëm për suksese. “Ne qeverisim bota na ndihmon”, ishte një nga parullat e PD për zgjedhjet që shkuan. Dhe në fakt, udhëheqësit e rinj nuk po bëjnë asgjë tjetër. Kanë thënë se do të qeverisin dhe nuk kanë ndërmend t’i lëshojnë kolltukët. Edhe po nuk ndihmoi bota, populli të ndihmojë veten. Gati përditë dëgjon deklarata ku thuhet se këto dy vjet demokracia shqiptare ka bërë hapa përpara dhe ka pasur arritje të panumërta. Ndërkohë shqiptarët kërkojnë të ikin sa më parë jashtë shtetit. Të gjejnë një punë e të mund të jetojnë. Në tregun e zi çmimet e vizave rriten dita-ditës. Përse duan të ikin shqiptarët kur gjithçka shkuaka mirë? Pushtetarët e sotëm e ata që do të vijnë nesër duhet ta dinë se vetëm atëherë kur shqiptarët do të duan të rrinë në vendin e tyre, vetëm atëherë historia do të bëjë vend edhe për ta.
Armand Shkullaku