Aroma e vargjeve të  një poeme

Nga  Besnik Bedollari

“Djepi që përkundi këngën” është titulli i poemës së autorit prof.as.dr. Agron Agolli. Një metaforë e bukur nisur që në kopertinë gërshetuar me lirizmin dhe historinë e trevës ku ai ka lindur. Shpirti i autorit ka braktisur kryeqytetin e Shqipërisë ku banon prej vitesh dhe ka ndalur shtegtimin për të ndërtuar folezën e mallit dhe brengës mes bukurisë së natyrës gorare arratisur gjelbërimit dhe freskisë duke shkundur pluhurin e arkivit të historisë. Duke shfletuar faqet e saj dhe biseduar nëpër vargje me patriotë dhe heronj të shquar.

Hipur në ballkonin e Gurit të Kamjes ky monument natyrore, nga ku përgjon gjithë krahinën, si një piktor që luan me mjeshtëri me dritën dhe hijet mbi telajo, autori i përdor ato me delikatesë në veprën e tij. Mendimet rrjedhin si yjvarat e kristalta me bekimin e pyjeve që karakterizojnë vet krahinën. Aty tretet fëmijëria, patriotizmi, idealizmi, mëshirimi i bujarisë së trazuar brezave të kohës dhe damarëve të shpirtit. Ai humbet mes bukurisë dhe korit melodioz të zogjve duke kthyer pas në kohë fëmijërinë shprehet me vargjet: “Eja, more mik i pyllit dhe i tokës/ Rritur nëpër fije bari me vesë/ Kështu më lehtë t’i tregojmë botës/ Diçka të bukur që rron e s’vdes. Moj fëllëzë çallmoke pendëshkruar/ S’e di ku veron, ku ngre folenë/ Kush tha fëmijërinë paskam harruar/ Shih si zë pusi edhe pas më vjen”. Poeti shpirtëzohet dhe tretet i gjithi në vendlindjen e largët. “Portëz, moj, që nuk m’u mbylle kurrë/ Strehës, moj, që kurrë s’më je larguar/ O ti lumi plak që rrjedh mbi gurë/ Spërkatmi pak vargjet që kam shkruar. Që kur ndjeva madhështinë tuaj/ Tingëllimë e shpirtit atje mbet/ Kur jam larg shkretohem e vuaj/ Kur jam pranë bëhem zog e fletë”.  Ai hendet kudo nëpër rrugë, drurë, në tigujt e zilkave të kalit bardhosh duke kalëruar mbi karrocën e viteve rrëmbyer nga madhështia e zëmrës dhe shpirtit që i fal vendlindja, miqtë, shokët dhe etërit kjo plot figuracion të pasur në metaforë, epitet dhe personifikime. Me një mjeshtëri pena e tij zbret e ngjitet nga pjedestali i heronjve në krijimtarinë e poetëve krahinore me fame kombëtare. Me lirizëm fanatik i këndon vashës gorare: “ Vështroj gjithë lulet sikur të jem flutur/ Dhe pse rinia e moshës më s’më vjen/ Por me ngadalë, moj gorare e bukur/ Moti tjetër s’dihet, vallë, a na gjen?! …Hajde syri i zi,ç’u bëre moj, vetull/ Sa më qënke ligur, sa më qënke tretur/ Qasu e më thuaj ç’merak të ka mbetur/ S’thahemi mbi dhe, kemi për të vdekur….”. I ndodhur në këtë situatë mallëngjimi të ndjenjës së dashurisë mes nostalgjisë poeti ynë do të shprehet më tej: “Kështu kaq pa rritur vallë si më ike/ Lehtas pa u ndjerë, moj rinia ime/ Si një këngëz malli, vallezë nazike/ Valëz e përroit në brinjë plot ligjërime”. Gjithashtu një kalim elegant nëpër vargje e bën dhe më tërheqëse poemën. Nga sirtari krahinor të luftës për liri dalin kapedanët më në zë të Gorës, Kajo Babjeni, Shahin Matraku, Ismail Dërdusha që i shkuan pas krahut Themistokliut për mbrojtjen e Korçës nga ordhitë greke dhe sllave. Kjo del në pah në vargjet: “Rrudhur ball’ i gjerë, shpirti dallgëzuar/ Sa jam gjallë nuk dua t’ma shkelni limerin/ Mbret e fqinj saherë më keni trazuar/ I jam fal dyfekut, kam puth’ muazerin”! Heroizmi dhe tradita liridashëse e trevës gorare profesori e lartëson në një tjetër strofë: “ Puhizë e pranverës që frynte në zaje/ Fshatrat fladiti, hyri në çdo shtëpi/ Gora jonë e bukur si një majë mbi male/ Po bënte betimin ‘Vdesim për Liri’. Nuk janë të pakët emrat e atyre që dhanë gjakun duke u bërë portrete të gjallë nëpër vargje si kujtim për brezat në vijim. Duke depërtuar në çdo qelizë me ta ai flet dhe bashkëjeton me qënien e tyre. I ngre të piedestal dhe i bën të pavdekshëm. E gjithë poema flet. Flet me një ton të fuqishëm si buçimë bjeshke. Herë si erë flladi dhe herë si furtunë e rrëmbyer. Krihen mendimet, ndjenjat dhe brengat. Edhe pse poema e gjitha ka nocion, shpirt dhe jetë në fund të saj vargjet jetësohen më harratinë e poetit në çdo guvë të vendlindjes duke simbolizuar me bilbilin, zëri melodioz që shëron plagët. Një mbyllje e maturuar bukur dhe tretur si shiu mes plisit të tokës së vendlindjes. “ Mendimi si korbi s’zu fole tek unë/ Se jam rritur malesh e jam larë në lumë/ Në dua më shumë lulet që mbinë prillit/ Aty qan e këndon shpirti i bilbilit. O bilbil i majit kokëkrisur/ Gjer në fund, or mik, mbete rrebel/ Mos ajo që deshe të ka ikur/ E me tjetër fshihesh në zabel? Se të bukurat ikin shkojnë larg/ po s’i ndoqe pas, s’kthehen më/ Humbet tingëllimi në çdo varg/ Fjalë e rrokje mbeten krejt pa zë”.  E shohim të endet në çdo hapësirë orizonti të pakufishëm të trevës gorare, duke i bërë nder asaj dhe mesazhit të fortë që i përcjell çdo lexuesi. Gjaku rrjedh nëpër damarë, por burimin e ka në zemër. Jo pa qëllim autori e ka mbyllur poemën me strofën e fundit: “Ëndëra qerpikçelur petalet po shkund/ Mbi supet e mia ku vijnë e shkojnë vjetët/ O djep i vendlindjes që më ke përkund/ Për ty  kënga ime s’do t’i hedhë kurrë fletët ”. A thua ky është testament i dalë shpirtit që ai le pas me veprën e tij. Kafazi i kraharorit është braktisur nga djenja që rend kudo nëpër vendlindje. Edhe pse disi larg fizikisht por që me profesorin na bashkon arti i të shkruarit e ndjeva plot emocion poemën e tij dhe i uroj plot shëndet e suksese në jetë dhe penë të pashterur krijimtarie.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?