Arsimi i lartë dhe virusi i “kurorës”
Nga Dr. Eustrat Zhupa*
Afrimi i zgjedhjeve për drejtuesit e universiteteve drejton vëmendjen edhe një herë te gjendja e arsimit të lartë në vendin tonë. Lexuesit kuriozë nuk gjejnë shpesh në shtypin e ditës ndonjë shkrim të mirë-informuar dhe të interesuar për problemet e arsimit, një boshllëk që ndoshta gjen një vetëjustifikim të përkohshëm te virusi pandemik. E ardhmja e universiteteve meriton pak kohë dhe vëmendje edhe në kohë të tilla, sidoqoftë.
Është interesante për lexuesin të hedhim një sy te ecuria e universiteteve pas “reformës” Meta-Rama I, të vazhduar nga Rama II (lexo “Rama dy” dhe jo “Rama i dytë”). Nuk ka shumë informacion publik se çfarë ka ndryshuar në këto vite, por po të konsiderosh vetë daljet e kryeqeveritarit problemet janë akoma aty: diploma dhe doktoratura të blera, pedagogë të padenjë, profesorë me tituj të falsifikuar. Edhe po të shikosh renditjet ndërkombëtare, nuk dukemi gjëkundi, në ndryshim nga fqinjët tanë të vjetër apo të rinj.
Prej kohësh tanimë ndjek me interes të madh zhvillimet në arsimin e lartë shqiptar, sidomos në Universitetin e Vlorës. Në vitin 2010 Universiteti paraqitej mirë në renditjet ndërkombëtare. Pa u futur në detaje, pas 10 vjetësh renditja është dy herë më e ulët. Në këtë periudhë zgjedhjesh universitare dhe në mungesë të mekanizmave të tjerë për të ndryshuar gjendjen, uroj dhe shpresoj që ish-kolegët dhe miqtë e mi në Universitetin e Vlorës të zgjedhin kandidatin, për të cilin besojnë se vërtet mund të ndryshojë disi situatën. Vlora dhe qytetarët e saj duhet të kenë një shkollë dinjitoze për fëmijët e tyre, një shkollë të administruar nga njerëz me vlera dhe integritet të lartë shoqëror dhe profesional, që garanton një edukim të përshtatshëm dhe konkurrues për tregun ndërkombëtar të punës.
Fotografia e arsimit të lartë që shohim sot nuk është rastësi. Meta-Rama I (një) kishte në përbërje zgjatime të Meta-Berisha, që as premtonin dhe as pritej të bënin diçka pozitive. Të tilla protuberanca nuk zhgënjyen dhe ekipi dështoi, por ajo eksperiencë shërbeu si vetë-justifikim për “teorinë e timonit”, trajtuar gjerësisht në shtyp dhe pa interes për lexuesin e këtij shkrimi.
Gjatë viteve të fundit politika vazhdoi të ndërhyjë në çështjet e universiteteve. Mjafton të kujtojmë emërimin partiak të rektorit në Vlorë, rastet e kërcënimeve në Tiranë, etj. Pikërisht kjo futje hundësh prodhoi shumë drejtues universitetesh, të cilët në rastin më të mirë ishin të papërshtatshëm për atë punë. Ligji i arsimit, megjithëse “de jure” u jep të drejtën kandidatëve të mundshëm të futen në garë, “de facto” nuk funksionoi. Klientelizmi dhe nepotizmi vazhdojnë të mbizotërojnë në arsimin e lartë shqiptar. Ekosistemi akademik i brendshëm nuk evoluoi dhe kjo ishte e pritshme. Të njëjtët njerëz të lodhur vazhdojnë të riciklohen dhe nuk arrijnë të gjenerojnë ndonjë ndryshim cilësor. Atëherë ndoshta edhe orientimi i politikave duhet të ndryshojë. Një qeverisje më largpamëse duhet të gjejë mënyra për të “trazuar ujin e ndenjur”.
Më bëri përshtypje një paragraf i ligjit për Kosovën. Ndërmjet të tjerash atje thuhej se kandidatët për rektor duhet të kalojnë nga një “komision profesional”. Unë nuk e di si funksionon “komisioni” i Kosovës dhe nuk e di sa sukses pati atje, por kuptoj frymën e atij ligji. Sidomos në vende me probleme të mprehta në arsim, duhet të ketë një lloj filtri meritokratik, ose “vetting”-u për tifozët e kësaj fjale. Ndoshta ka ardhur koha që kjo të imponohet me ligj edhe në Shqipëri. Ligji jonë, aktualisht, kërkon që kandidatët të kenë titullin “Profesor”. Ky titull në Shqipëri do të thotë shumë dhe asgjë dhe qeveria e di këtë. Dhe nëse nuk e di atëherë është koha ta mësojë. Personalisht kam denoncuar tituj të tillë të dhënë me qoka ose të blerë, por edhe në shtyp ka pasur denoncime të hapura për “presora” me tituj paçavure. Pavarësisht nga inflacioni i titullit në Shqipëri, në shtetet më të përparuara në arsim ajo që ka rëndësi është kontributi i kandidatëve në shkencë dhe edukim. Kjo nuk reflektohet siç duhet në ligjin tonë. Nuk është vështirë të argumentosh më formalisht papërshtatshmërinë e ligjit, por i evitoj këto detaje për lexuesin. Një pyetje e ngjashme me «A është një profesor në Itali “Profesor” edhe në Shqipëri?» mund të ndihmojë lexuesin më kërkues për të kuptuar problemin. Paqartësi të tilla bëhen pengesë e pakapërcyeshme për kandidatë që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe që ndonjëherë u shkon mendja të provojnë të thyejnë klanet politike dhe akademike në Shqipëri, nëse kjo ishte një nga aspiratat e ligjit.
Është një kërkesë e kohës që universitetet tona të hapen më shumë dhe të krijojnë kushte të favorshme për një konkurrencë të shëndoshë. Në kushtet aktuale, në fakt dhe pavarësisht daljeve mediatike të qeverisë, universitetet e kanë fatin e tyre në dorë, sepse ata vetë mund të vendosin se “çfarë duan të bëjnë kur të rriten”. Të gjitha gjasat janë se administratorët nuk bëjnë dot ndryshimin e shumëpritur. Shumë universitete nuk kanë akoma faqe interneti ashtu siç duhet e lëre më të reformohen sipas kërkesave të tregut. E vetmja mënyrë është që drejtuesit të ndërgjegjësohen se duhet afruar frymë e re, njerëz që kanë eksperiencën dhe aftësitë të përmirësojnë disi nivelin akademik, administrativ dhe shkencor të universiteteve. Natyrisht për këtë duhet që disa “pashallarë” të heqin dorë me vetëmohim nga privilegjet e akumuluara në vite dhe t’i nënshtrohen një konkurrence të ndershme. Sinqerisht këtë nuk po e shikojmë dhe uroj që qeveria, shoqëria civile, studentët ta kuptojnë këtë duke reaguar sa më shpejt. Situata të jashtëzakonshme kërkojnë masa të jashtëzakonshme dhe vetëm nëpërmjet ligjeve të veçanta, të paktën për një kohë të shkurtër, duhet që qeveria dhe parlamenti të krijojnë kushtet për të çliruar arsimin e lartë nga parazitët që i kanë marrë frymën.
E vërteta është se pati disa përpjekje për të sjellë një frymë të re ne politikat e arsimit. Ishte meritë personale e Z. Rama, që provoi të angazhonte edhe njerëz nga diaspora, shiko rastin e Taulant Mukës, për të rregulluar arsimin në Shqipëri. Pati edhe disa përpjekje për të ndryshuar disi “status quo”-në, shiko tentativën e dështuar për shkarkimin e rektorit të UT, “qortimet” publike të drejtuesve nga ana e qeverisë, etj. Nga njëra anë qeveria, nëpërmjet ligjit, u la dorë të lirë universiteteve, nga ana tjetër u tentua një tërheqje vëmendje, shpesh edhe publike, por efekti nuk ishte i ndjeshëm.
Nëse problemet nuk do të adresohen, arsimi i lartë do vazhdojë të vuajë. Nëse shqetësimet e sotme do trajtohen me sipërfaqësi dhe me mendësinë matogrudiane “atë e di unë”, pa pyetur dhe pa angazhuar njerëz që dinë të zgjidhin probleme të tilla, sepse për atë paguhen, e ardhmja e të rinjve shqiptarë nuk do ketë shërim për një kohë shumë të gjatë.
*Dr. Eustrat Zhupa – University of Rochester NY