“Artemisa në Dyrrah”, Posta Shqiptare emeton katër pulla me hyjneshën antike
Hyjnesha Artemisë e qytetit të lashtë të Durrësit ka zënë vend këto ditë në serinë e re të pullave postare shqiptare me temë nga arkeologjia. Katër pullat me vlerë nga 50 deri 90 lekë, janë emetuar nga Posta Shqiptare me rastin e 102-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë dhe në to janë paraqitur katër figurina të zbuluara në rrethinat e Durrësit gjatë viteve 1970-1971. Prof. Fatos Tartari, arkeolog dhe bashkëdrejtues i misionit 10-vjeçar shqiptaro-francez, që studioi mbi 5 ton materiale të zbuluara në Kodrën e Dautes, tha se nga repertori tipologjik i gjetur në qytetin antik janë përzgjedhur për pullat postare 4 terrakota dhe figurina në mermer dhe në bronz, që i kushtohen asaj dhe që përfaqësojnë atributet më të rëndësishme të saj në qerthullin ilir.
Dy nga figurat e punuara në baltë të pjekur i përkasin shekullit të IV para erës sonë, e treta është një kokë mermeri me lartësi 15 cm e së njëjtës periudhë, ndërsa e fundit një statujë në bronz me lartësi 12 cm, në të cilën hyjnesha paraqitet në këmbë-tha arkeologu i njohur durrsak. Këto objekte ruhen në Muzeun arkeologjik të Durrësit.
Prof. Tartari shtoi se për 10 vjet radhazi, që nga viti 2002, një mision i përbashkët franko-shqiptar punoi për studimin e materialit arkeologjik të zbuluar nga arkeologu i mirënjohur Vangjel Toçi, në zonën kodrinore të Dautes dhe Kokomanes në veriperëndim të qytetit. Pranë kësaj zonë sipas të gjitha gjasave ndodhej sanktuari i hyjnisë së Artemisës dhe materialet arkeologjike datohen që nga shekulli i 6-të para erës sonë. Gjatë ekspeditave të viteve 1970-1971 u zbuluan mbi 5 ton objekte të periudhave klasike, helenistike dhe romake, mes të cilave mbizotërojnë figurinat e grave prej balte të pjekur, enët dhe monedhat. Ekspedita studimore u kujdes për identifikimin dhe klasifikimin e këtij materiali të bollshëm.