Arthur Schopenhauer, shkundullima e mendimit filozofik

155 vjet nga vdekja e Arthur Schopenhauer (22 Shkurt, 1788- 21 Shtator, 1860)

Nga Albert Vataj

Ai guxoi si pakkush t'i qaset njeriut si një udhërrëfyes. Sa "zemërgurë", po aq dhe i vërtetë është ai. Pesimist deri në kufijtë e reales, asaj përvoje që orvatet të jetë jeta e njeriut. Në mendimin e tij ai nuk përdor aspak marifete dhe lajle për ta kamufluar atë që ai mendon dhe atë që ai dëshiron të thotë. Ai i bie troç. Davarit mjegullat e çoroditjes dhe e vendos individin në një realitet që nuk ndryshon nga e përditshmja. Nuk merr përsipër të jetë një apostull, por i tregon rrugën njeriut të bëhet zotërues i asaj që dëshiron. U keqkuptua, sepse ai e "struki" mendimin pas një dëshirimi për ta njohur siç është. "Fuqia është në mendjen tonë si një njeri i fortë i verbër që mbart mbi supet e tij një njeri të çalë që mund të shohë", në një sentencë të kësisojtë e ngërthen njeriun, pesimisti gjerman i filozofisë.

Arthur Schopenhauer ishte një nga filozofët gjerman më të njohur, pesimist dhe ateist, doktrinist i qartësisë dhe komunikimit filozofik. Paraprirës dhe shkallmues i rregullave dhe normave. Kumtues kurajoz dhe ndëshkues. Në moshën 25 vjeçare, ai botoi disertacionin e doktoraturës, “On the Fourfold Root of the Principle of Sufficient Reason”, e cila ekzaminoi pyetjen themelore: "A mundet arsyeja, e vetme, të japë përgjigje mbi botën". Punimi më me ndikim nga Schopenhauer, "Bota si vullnet dhe përfaqësim", theksoi rolin e motivimit themelor të njeriut, që Schopenhaueri e quan vullnet. Analiza e Schopenhauerit mbi vullnetin e çoi atë në përfundimin se dëshirat emocionale, fizike, dhe seksuale nuk mund të përmbushëm kurrë. Si pasojë, Schopenhauer favorizoi një jetesë duke mohuar dëshirat njerëzore, ngjashëm me mësimet e Budizmit dhe Vedantas.

Metafizike e Schopenhauerit mbi vullnetin, pikëpamjet e tij mbi motivimin dhe dëshirat njerëzore, dhe stili i shkrimit aforistik ndikoi te shumë mendimtarë të njohur, përfshirë Friedrich Nietzsche, Richard Wagner, Ludëig Ëittgenstein, Erëin Schrödinger, Albert Einstein, Sigmund Freud, dhe Karl Kraus.

Për Artur Shopenhauerin, arti më i lartë është muzika, sepse ajo nuk parqet ide që fshihen prapa objekteve të paraqitjes, por është një ide që nuk ka objekt. Si shumë kompozitorë të tjerë pas tij (mes të cilëve Gustav Mahler), Rikard Vagneri ishte një admirues i madh i Shopenhauerit. Në operën e tij, veçanërisht tek "Tristani dhe Izolda", ai u frymëzua nga mendimet e filozofit si për veprimin, ashtu edhe për muzikën; e njëjta gjë mund të thuhet edhe për "Parsifalin", emrin e të cilit mban opera.

Bota nuk është gjë tjetër veçse paraqitja jonë. Kur ne paraqesim diçka, ne jemi – si në çdo veprim tonin – veçse organ zbatimi i një "dashjeje për të jetuar" të errët, që i vidhet pushtetit të vetëdijes.

Edhe në moral, njeriu ka aftësinë të ngrihet mbi vartësinë e tij nga vullneti, mbi vetveten si qenie e instinktit egoist. Kjo aftësi është mëshira, duke bërë timen dhimbjen e një tjetri, si individ unë kapërcej kufirin e ngulitur nga vullneti dhe paraqitja që më ndan nga bota e objektivit. Për një çast, bëhem një me gjininë njerëzore ose me krijesën e plotë universale. Nëse mëshira është një virtyt, nuk ka asnjë shpresë që ajo të bëhet virtyt i të gjithë njerëzve. Nuk ekziston parajsë që do të sillej mbi tokë falë veprimit të virtytshëm, por as në botën tjetër, ku do të shpërblehet e mira.

Arthur Schopenhaueri si personalitet i çuditshëm, që të shpërfaqet në kontaktin fillimor sendërtuar nëpërmjet një portreti aspak të ngrohtë i'a qas një kontributi të frytshëm të mendimit filozofik. Urtësia e tij me dizajn të bukur idesh, mbetet një filozof i inkuadruar brenda territorit të pesimizmit teorik. Akti i të menduarit tek ai do të prek mendimin që të çon deri tek këshilla e jetës dhe njohja në esencë e lumturisë. Aty- këtu hedh ngjyrat e një pesimizmi që të çojnë deri tek njohja dhe modifikimi i unit njerëzor, të cilat duhet të jenë reminishenca të përvojës personale. Ai dëshmon me përkushtim dhe devotshmëri, por edhe me një cinizëm të ndjeshëm jetën e degraduar të qenies njerëzore. Kur e lexon mendjen e thellë të Schopenhauerit, fill pas të lër një pasqyrë të çoroditur, një bosh të përpin. Ai nuk qaset që ta përdor mendimin filozofik për t'ia shtruar njeriut rrugën me lule. Pikërisht duke qenë i drejtpërdrejtë dhe shumë i qartë, një ndjesi trandje është ajo që të rethvjen si një mantel rrymash të fuqishme që të shkundin, me kast të të zgjojnë duke të të treguar se kush është e vërteta dhe cilën rrugë të duhet të marrësh. Ky njeri i mrrylët, krejt i zymtë, me një jetë dhe sprova të cergëta, do të mund të ishte si pakkush tjetër nga kolana e mendimtarëve filozofikë, më i kjartë, më trandës. Ai na këshillon sesi të njihemi me lumturinë edhe pse ajo nuk është e përgjithmonshme. Është një moment që duhet shkulur në çastin e pesimizmit duke e mundësuar këtë nëpërmjet një afrie në altarin e urtësisë shpirtërore.

Schopenhaueri: “Siç dihet, filozofia ime mohon çdo përqasje që mund të bëhet midis jetës njerëzore dhe konceptit të ekzistencës së lumtur”. Thelbi i filozofisë së tij, më vonë do të ngrinte mbi bedenat e kërcënuar prej dallgëve, një flamur të pesimizmit ngushëllues. Ai predikon për një komunikim me njeriun dhe të njeriut me vetveten pa e ngërthyer nëpër iluzione. Ai është i zhytur në pesimizëm, dhe virtualitetin e gjinisë njerëzore e merr sa më shumë që është e mundur shtruar. Psikologjia dhe filozofia e tij jep një koncept më të përparuar për ta njohur esencën e asaj se ç’jemi në të vërtetë, pastaj çfarë kemi dhe çfarë paraqesim. Schopenhaueri në veprën e tij "Këshilla për jetën" tregon se “Njeriu që është i pajisur me një forcë të madhe shpirtërore, ka aftësinë dhe si rrjedhim edhe nevojën për të ushqyer një interes të vërtetë për fushën e diturisë së pastër, pa ndërhyrjen e vullnetit”. Sa bukur rreh mendjen e tij për të thënë se lumturia s’është asgjë, veçse një ndjenjë e çastit, ndërsa ajo që është e rrahur me melodinë e mendjes së urtë është lumturia që të sjell bagazhin e botës së brendshme, respektivisht botën e madhe shpirtërore.

Mendimi i tij filozofik rreket të paraqesë një mendim më realist sesa optimizmi iluminist, madje ai botën përpiqet ta shohë si një gjendje të ngarkuar me plot dhembje, ku mungon kryekëput lumturia.

Arthur Schopenhaueri këshillon: “Besomëni mua: mos u martoni! Lëreni shkencën të bëhet dashnorja dhe bashkëshortja juaj: do të ndjeni veten njëmijë herë më mirë. Martesa jonë perëndimore është gjëja më absurde që mund të mendohet! Sa telashe e detyrime të ndryshme, shpeshherë aspak të arsyeshme, diktohen në shkëmbim të gëzimeve kalimtare”.

SHKARKO APP