“Arti në epokën dixhitale”

 Dixhitalizimi është tashmë një realitet i kohës dhe sfidës për t’iu përshtatur kësaj ‘ere’ të re nuk i shpëton dot as arti dhe kultura. Por, ndërsa bota ka ecur me hapa të shpejtë në këtë drejtim duke ofruar ture virtuale në muzetë më të famshëm në botë dhe duke krijuar platforma dixhitale për ruajtjen dhe përcjelljen e trashëgimisë kulturore, Shqipëria vazhdon të jetë modeste në hapat e saj.

 Pikërisht mbi këto sfida dhe për të kuptuar se si epoka e dixhitalizimit e ka ndryshuar artin e kulturën, u organizua sot në Hotel Tirana simpoziumi me temë; “Arti në epokën dixhitale”, i organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës dhe Shoqata Kulturore Vizart.

 Diskutimet e të pranishmëve u bënë rreth sfidave që sjell epoka dixhitale për artin dhe kulturën. Rëndësia që ka ky moment për të krijuar mundësinë që vlerat e artit dhe kulturës shqiptare të mos humbasin por të jenë në një arkivë online, apo projekti për të krijuar një hartë dixhitale të turizmit kulturore në vend, etj,. u diskutuan për rreth 3 orë nga pjesëmarrës nga institucionet më të rëndësishme.

 Si një nga institucionet që merret drejtpërdrejt me teknologjinë dhe inovacionin ishte Milena Harito, Ministër për Inovacionin dhe Administratën Publike, e cila tha se jemi në një moment ku si të gjitha fushat e jetës, edhe arti preket nga ai që quhet revolucioni dixhital që është duke ndodhur aktualisht. “Ne do të adaptojmë zgjidhjet më të mira në këtë fushë që vjen nga vendet që e kanë këtë problem si ne. Bota dixhitale shtron sfida rregullimi dhe ligjvënieje që janë detyra e parë e një qeverie, të cilat janë sfida dinamike. Ne jemi duke punuar në mënyrë shumë dinamike për të përthithur në të gjithë legjislacionin tonë gjithçka të re që del në këtë fushë, që duke qenë e gjerë e dinamike, kemi nevojë për sugjerimet tuaja”, theksoi më tej Harito.

 Nga Kuvendi i Shqipërisë ishte deputeti Alfred Peza, i cili mban detyrën e nënkryetarit të Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Peza tha se ka ardhur momenti të kuptojmë se cili do të jetë raporti ynë me artin dhe si mund t’i përdorim mënyrat moderne të informimit për të promovuar vlerat e vërteta të artit dhe të kulturës. Sipas tij është një sfidë e vërtetë ruajtja e trashëgimisë kultutore në këtë moment kur dixhitalizimi po përfshin gjithçka.

 Prezantimi i profesorit të Grafic-design Dr. Shpend Bengu, pedagog në Universitetin Europian të Tiranës, krijoi një interes të madh tek tryeza. Duke folur me gjuhën më të fundit të teknologjisë ai solli shembuj se si bota e ka dixhitalizuar tashmë artin dhe trashëgiminë kulturore në përgjithësi. Në diskutimin e tij Dr.Bengu, diskutoi mbi projektet inovative që studentët po praktikojnë në këtë fushë dhe kërkoi që të ketë politika nxitëse dhe promovuese ndaj artistëve të rinj të talentuar.

 Diskutime u mbajtën dhe nga të pranishmit e tjerë. Përfaqësuesja e ministrisë së Kulturës, Silva Breshani, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, foli mbi projektet që ky institucion ka në këtë drejtim dhe mori si shembull dixhitalizimin e Fototekës Marubi.

SHKARKO APP