Arti poetik

Nga Ilir Levonja*/Në një nga përkufizimet e Karl Sandbergut (Carl Sandburg 1878-1967, poeti amerikan me prindër suedez) për poezinë, thuhet: Poezia është një varg shpjegimesh per jetën që tretet horizonteve aq shpejt sa s’mund të shpjegohet.
Me sa shihet ne lakun e fjalëve portat e mendimit janë të hapura. Poezia mbetet të jetë e lirë përgjithmonë. Dhe krijuesi nisur nga ky aspekt vetëm sa gjurmon ftillimin e saj, pra lirinë ku ajo ”harbohet” në llojin më tipik dhe unikal që i përket vetëm sojit poezi. Përpjekja e shpie atë (krijuesin) diku mbushur me ideale e frymëzim dhe pikërisht nga kjo ai trashëgon një lloj fanatizmi në dashuri.
Çuditërisht, pavarsisht ketij fanatizmi, ai asnjëherë nuk përbën kërcënim për lirinë. Kësisoj ashtu si herët e tjera rreziku më i madh per ‘të vjen nga interpretuesit, pasi shumë prej tyre e konceptojnë këtë dashuri në një trajte më të ngushtë. E thjeshtëzojnë deri tek dashuria për trup kur në të vertetë bëhet fjalë për një dashuri me përmasa më të mëdha. Për një dashuri-poezi, për një dashuri që nuk ka të bëj fare me mëkatin. Këtu duhet të sqarojmë se poezia e vërtetë është ajo qe mbart vlera te larta artistike më shume se mbi gjithçka. Përshembull më shumë vlera artistike se patriotike. Sepse nese ndodh rasti i parë, tendencat e tjera janë renditur në ‘të.

* Uollt Uitman (Walt Whitman 1819-1892 poet amerikan), shkruan:

Unë të fal dashurinë time
që është më e shtrenjtë se paratë;
po ti, a vjen me mua?!
Ta kalojmë bashke këtë copëz udhe që quhet jetë,
për aq kohë sa më mbetet
të jem i gjallë.

Në shembullin e mësipërm magjia poetike qëndron ne faktin e arritjes se sublimitetit, që dmth., përkushtimi ndaj dashurisë per një grua. Dhe t’i japësh jetës tënde trajtën e kësaj dashurie vetëm prej kesaj gruaje, pa dyshim që kemi te bëjmë me një arritje mbi njerëzore. Ndoshta një përkushtim i tillë është vetem poetik, pasi shembujt të ketij rasti nuk mungojnë në mbarë Letërsinë botërore. Përshembull Beatriçja e Dantes apo Etelka e Petëfit etj., megjithatë në jemi të ndërgjegjshëm të priremi nga përfytyrimi. Këtu qëndron edhe emocioni, fjala poetike mënyra se si e transmetojmë ndjenjën për të arritur nje komunikim masiv. Nëse Uitmani do të thoshte, unë të fal dashurinë time/ që është më shtrenjtë se një Bank dhe jo se paratë, vjersha do të humbte ndjeshmërinë. E, gjërat pa ndjeshmëri janë si me thënë fallco. Gjëra me një qetësi pa krye, por me atmosfere të zhurmshme, bulbëzuese. Dhe neve na duket sikur qetësia është diçka e rreme, ajo nuk ekziston.
Mes një mërzitje të madhe do të duhet të zgjohesh dhe të mërmërisësh, fjala vjen vargjet e mësiperme. Do të provosh se gjykimet marrin vullnet. Pikërisht këtu ndodh edhe ndryshimi. Jo më kot Gëte thotë…, “Bëhu i bukur” pasi ai e di se këtë progres eseistik tek njeriu e sjell vetëm poezia. Kurrë s’kam për të besuar se pa këtë romantizëm thelbësor, do të ketë ndonjëherë poezi. Sepse në fund te fundit çfarë është ajo? (Poezia.) Shpërthim vullkanik? Dashuri që s’përsëritet dy here? Pasion i çmendur? Rrebelizëm? Rrevolucion? Puthje? Harmoni? Endrra qe ti e pe vetem një here? Bukuria antike e Penelopës? Kthimi historik i Odiseut? Tradhtia e Juda Iskariotit në kopshtin e Geifsmanit? Kryqezimi i Jezusit? Epi i Gilgameshit? Apo…,? Me siguri që ajo nuk është asnjëra nga këto, por padyshim që të gjitha keto ajo i ka brenda saj. Atë nuk mund ta mbledhesh dot brenda nje laku fjalesh që quhet përkufizim. Andaj klasifikimet e Karl Sandbergut mbeten në shifrën 101, duke trajtëzuar përjetësisht atë që gjithçka dhe çdo gjë mbart emocion. Raportin final midis qënies dhe asaj e jep qartë vargu i poetit arbëresh Jeronim De Rada (1814-1903), bie, por s’dua të fle. Komenti që mund t’i bejme vargut te De Rades pikë së pari na shfaq një kontradiksion të madh eseistiko-njerezor. Ne shikojmë njeriun e pagjumë i cili sillet në shtratin e një dhome me një dritare ku varet kokrra e hënës në vend të mollës. “Bie” metaforikisht transemeton dëshirën për të pushuar, për tu shplodhur. Kontradikta nuk qëndron në lidhëzen kundërshtuese, “por” e me tej “s’dua të fle”…, ajo është sintetizuar në gjëndjen shpirtërore dhe psikollogjike që karakterizon njeriun. Pra magjia qëndron ne faktin se jashtë dëshires per të fjetur, njeriu është i ndëshkuar nga perceptimi.
Ky përfytyrim njeriu rreket të gjej paqen duke i dhën udhë çështjeve të ndryshme, duke zvogëluar sa më shumë kontradiktat. “Bie, por s’dua te fle”, është rrafshi horizontal i paraqitjes së njeriut në një sens meditativ vertikal duke e transportuar vetveten në kaltërsinë përtej mureve.
Nisur nga ky konstatim vetëm përmes perceptimit ne mund të përfytyrojmë konvecionet e magjise poetike, t’i dallojme ato në një pafundësi remishencash krahasuese në mbarë letërsinë botërore.

Shije rrushi mbajne buzët e tua
se kokrrizat i kafshova një e nga një

Dy vargësh i Pablo Nerudës (Naftali Ricardo Reyes Bosalto, 1904-1973, poet kilian). Veshuli i rrushit nuk përmendet asgjëkundi megjithatë ne nuk e kemi të vështirë ta përfytyrojmë, ashtu sikur nuk e kemi të pamundur të imagjinojmë përftimin e buzëve të vajzës që adhurojmë kur ajo i kap kokrrat një e nga një. Por është ky veshul i cili na shfaqet në të njëjtin vizualitet kontradiktsioni vargjesh dyshe që krijojnë fushën magnetike ku vepron poezia. Shijen e rrushit që unë hëngra, e mbajnë buzët e tua. Estetikisht ne shohim një njeri që pushon nën hijen e pjergullës dhe përtyp kokrrat e rrushit një e nga një, që domethënë se i shijon ato.
Për të ilustruar përfytyrimin brenda kësaj magjie poetike po jap disa shembuj të tjerë.
-a. Shandor Petëf (Alexandre Petrovics 1823-1849) Hungari.

A e ke parë Danubin shpirt,
Ujdhëzën sipër ujrave ngritur.
Këtu në zemër mu ngulit,
Fytyra jote e përndritur.

Dhe gjethet radhas një nga një i nis,
Që sipër ujrave dridhur shkojnë.
Për ty mendimet gjithë më ngrysen
Dhe brengat shpirtin ma shkallmojnë.

Askush nga ne nuk e ka të vështirë të shohi midis këtyre radhëve panoramën e një lumi me kavakë apo pemë të larta vënde-vënde, lëndina apo ndonjë bujtinë rrëzë një kodre ku në një kohë del dielli e në një kohë tjetër shfaqet hëna. Petëfin që ndjek rrjedhën me brengën e të dashuruarit të cilën e lëshon përmbi ujdhzën ku fanitet fytyra e së dashurës.

-b. Nazim Hikmet (Nazim Hikmet Ran 1902-1963)Turqi.

Gjithmonë e më të shkurtra bëhen ditët,
Prit kur shirat të vërshojnë si lumë.
Porta është hapur kanat të pret ty,
Po ti pse po vonohesh kaq shumë.

Një tjetër i brengosur Nazim Hikmet gjëndjen limfatike të mësipërme e kufizon brenda një dhomë të cilën ne e përfytyrojmë vetëm nga vargu i tretë porta është hapur kanat të pret ty. Ai mban sytë përjashta, nga rruga ku dita shkurtohet me shpejtësi dhe në qiell rëndojnë retë.

-c. Zherar de Nerval (Gerard de Nerval 1808-1855) Francë.

Nje vajzë mu shfaq atje në ikje,
E shkathët e shpejtë si zog i shkruar.
Fytyra e saj gjith përndritje.
Në buzë një këngë e pa kënduar.

Më me dritë brenga e Nervalit por me një keqardhje e cila përmblidhet në vargun e fundit, në buzë një këngë e pa kënduar. Ne përfytyrojmë dikë që adhuron një vajzë e cila i kalon aty pari me pushtetin e sfidueses duke shtrydhur një zemër djali. Në fakt, ajo ka shtrydhur zemrën e një plaku. Befasia, paradoksi i bukur poetik.

-d
-dh
etj…, për të ardhur sërish tek përpjekja e Karl Sandbergut, tek një nga përkufizimet e tij se, poezia është një varg shpjegimesh per jetën që tretet horizonteve, aq shpejt sa s’mund të shpjegohet. Si përfundim, përshkruam një rrethrrotullim fyllymtar, pra aktiv e të gjallë që ka emrin përsosmëri. Ja çfarë është, poezia.

Lushnje, pranverë 1994

_________________

*Nga vëllimi eseistik, Hiret e letërsisë moderne shqipe, Tetovë 2016 .

SHKARKO APP