Artistët e Cirkut Kombëtar në protestë

Artistët e Cirkut Kombëtar kanë protestuar dje në Tiranë. Shkak për këtë është bërë një konflikt mes pronarëve të truallit ku është ndërtuar cirku dhe përgjegjësve të këtij institucioni artistik. Artistët kanë kundërshtuar lëvizjen e çadrës së Cirkut dhe kthimit të këtij trualli pronarit, duke theksuar se ky mjedis është caktuar nga Ministria e Kulturës për të qenë institucion artistik.

Megjithëse dje ka qenë afati i fundit për lirimin e Çadrës së Cirkut, biznesmeni që ka truallin nën pronësi, nëpërmjet një kërkese drejtuar zyrës private përmbarimore ka kërkuar shtyrje të ekzekutimit të vendimit në një moment të dytë.

Ky konflikt pronësie i ka detyruar drejtuesit dhe anëtarët e Cirkut që të protestojnë këtë të hënë, duke kërkuar nga Ministria e Kulturës dhe qeveria që të gjendet një zgjidhje.
Për drejtorin e Cirkut Kombëtar, Kujtim Duni, palët duhet të bëjnë marrëveshje me Ministrinë e Kulturës dhe qeverinë shqiptare. Sipas tij, Ministria e Kulturës nuk ka ende një përgjigje konkrete lidhur me një ambient të ri për Cirkun Kombëtar, ndonëse ekziston një projekt që në vitin 2013.

“Është bërë një projekt në vitin 2013 në rrugën ‘Anton Ashta’ poshtë digës së Liqenit Artificial, ku janë rreth 2040 metra katrorë me hipotekë për të ngritur një ambient të ri për Cirkun Kombëtar. Duhen fonde për ta vënë në zbatim”, është shprehur Duni. Zhvendosja e çadrës së Cirkut është kundërshtuar edhe nga kryetari i Sindikatave të Artistëve, Reshat Ibrahimi. Ai ka deklaruar se një veprim i tillë cenon rëndë artistët dhe është detyra e qeverisë që t’i kompensojë truallin pronarit. “Duke e spostuar këtë çadër rrezikohet vendi i punës së artistëve. Kërkojmë nga qeveria që të kompensojë truallin pronarit”, -tha Ibrahimi

SHKARKO APP