Artistët protestojnë te Rama: Por ç’do të thotë ‘feshizëm’

Përmes një performance artistike, pjesëtarë të shoqërisë civile kritikuan qasjen e mbyllur të Qendrës për Hapje dhe Dialog, një institucion i krijuar për të promovuar artin dhe shkencën, nën varësinë e kryeministrit.

Nga Ivana Dervishi, BIRN

Artisti Ergin Zaloshnja dhe pjesëtarë të shoqërisë civile organizuan përpara Kryeministrisë një performancë artistike të titulluar “Feshizëm” për të kritikuar mungesën e transparencës së Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD).

“Qendra për Hapje dhe Dialog nuk po funksionon si mjedisi i mendimit kritik që duhej të krijonte dialog mbi artin, por në fakt si një sallon elitar i artistëve të përzgjedhur në linjën artistike të kryeministrit Rama,” tha për BIRN, Ergin Zaloshnja, artisti organizator.

“E quaj të nevojshme që arti të jetë i hapur ndaj mendimit kritik të njerëzve, por COD ka treguar se është i mbyllur për mendimin ndryshe, përkundër synimit të krijimit të tij”,shtoi ai.

Në korrik të vitit 2015 Këshilli i Ministrave miratoi krijimin e Agjencisë së Menaxhimit të Qendrave për Hapje dhe Dialog, AMQHD, e cila ka mision mbështetjen e projekteve e të programeve për një shoqëri të hapur dhe institucione më pranë qytetarëve, shoqërisë civile dhe aktorëve të ndryshëm të fushës së shkencës e të artit.

Agjencia është një institucion juridik publik i propozuar dhe në varësi të kryeministrit.

Edhe pse vetë një artist, kryeministri Rama është kritikuar shpesh për promovimin e vetes gjatë mbajtjes së pozicionit publik.

“Logoja ‘Feshizëm’ nënkupton qasjen e modës që kryeministri Rama ka bërë ndaj prezantimit të reformave të tij dhe investimet në fasadën e politikave,” sqaroi Zaloshnja.

“Nga ana tjetër inkorporohet me Fashizmin, pasi mjedisi ku ka selinë Qendra për Hapje dhe Dialog është vepër e një arkitekti fashist, por lidhet indirekt edhe me etikën e politikës që kryeministri po ndjek,” shtoi ai.

Kjo ishte e para nga performancat “protestë”, të titulluara “Midis Artit dhe Politikës”.

SHKARKO APP