Artisti që i jep frymë drurit dhe historisë

Nga Dukagjin HATA/Kur Kryeministri Rama ftoi sipërmarrjen izraelite për të kontribuar në Shqipëri, nismë që pati nxitje dhe bashkëpunime konkrete, skulptori i talentuar i punimeve në dru, Llesh Biba, i para (pas) priu me një punim mbresëlënës, yllin e vjetër të Davidit, simbolikën e lashtë të botës hebreje, me të cilën ajo vazhdon të identifikohet tash pesë mijë vjet.

Me rastin e ardhjes së Papa Françeskos në Shqipëri, LLesh Biba projektoi dhe realizoi figurën e Jezu Krishtit, vendosur midis dy stemave, stemës së Arbrit dhe stemës së Vatikanit.

Pas jehonës së kësaj vizite historike, artisti nisi dhe përfundoi me një cilësi të admirueshme maketin në dru kushtuar dyzet martirëve të besimit katolikë, që Diktatura vrastare ua mori jetën në kulmin e veprimtarisë së tyre klerikale, si përçues të mesazhit hyjnor, në një vend të braktisur e të izoluar, siç ishte Shqipëria komuniste dhe ateiste.

Para pak kohësh, një sipërmarrës i kërkoi Lleshit realizmin e një skulpture gjigante në dru, me portretin e Nënë Terezës, si dhuratë për një nga personalitetet më të larta të shtetit shqiptar për Vatikanin, Ditën e Shenjtërimit të Nënës së Madhe të Botës, në Romë. Skulptori derdhi në këtë punim gjithë talentin, fantazinë dhe mesazhet, që burojnë nga një figurë emblematike si ajo e Nënë Terezës, me të cilën lidhet një nga kulmet e krenarisë, dinjitetit dhe përkatësisë europiane të kombit tonë.

I veshur në një mënyrë të çuditshme, me një mjekër të gjatë, sikur vjen nga koha e eremitëve, Llesh Biba herë të ngjan me një asket shëtitës, herë me një pelegrin në kërkim të përvojave të reja jetësore; në fakt, ajo që është, me sa duket, zembereku i “orës së tij” ka të bëjë me filozofinë e nxitimit, pasi ai nuk ka kohë për të humbur dhe gjithmonë e pret një punë, një porosi, “një takim intim me drurin”, siç i pëlqen ta ngacmojë mikut të tij, Tonin Dedë Shalës së Kryeziut, vijuesit të vijës së gjakut të derës ikonë të At’ Shtjefën Gjeçovit.

Llesh Biba ka mbi tridhjetë vjet që jeton me magjinë e drurit, i jep drurit frymëmarrjen e tij dhe e bën të gjallë, e shndërron në simbolika brilante të botës shqiptare, në kumte të historisë dhe përditshmërisë.

Që kur lindi 60 vjet më parë, më 3 maj të vitit 1956, Llesh Biba, rreth dy të tretat e jetës së deritanishme ia kushtuar artit, poezisë, interpretimit kinematografik, ku spikat në disa role dhe, kryesisht, gjatë këtyre tre dekadave të fundit, drurit, punimeve në dru, të cilat i kanë dhënë krahët e lirisë së krijimit dhe magjinë e përcjellëse së mesazheve mbarëshqiptare në kohë.

Një jetë e çuditshme, mes botës së librave dhe të drurit, me projekte dhe realizime, duke aplikuar një kod të veçantë mendimi dhe sjellje, si një “pasuord” me të cilën identifikohet krijimtaria dhe karakteri i “vështirë” i artistit.

“Leshi është model i gjallë i një talenti shpërthyes, befasues dhe emancipues, që të trondit me fuqinë e pasionit dhe fantazinë e tij, thotë Tonin Alia, një nga miqtë më të afërt të tij, ai që ka marrë përsipër t’i sigurojë falas lëndën e drurit sa të jetë gjallë, duke ia zgjeruar hapësirat e lirisë artistit virtuoz.

Takimi me skulptorin unik Llesh Biba është befasues në të gjitha drejtimet: në rrekjen për ta takuar, e cila duket gati e pamundur, në fjalët e tij të kodifikuara, nën tisin e të cilave fshihet një artist i vështirë dhe në atë humorin e tij të hollë e shpotitës, që nis me vetveten dhe përshkon gjithçka, njerëzit që e rrethojnë, mjedisin social, drejtësinë, mediat, politikën e të tjera.

T’i japë jetë drurit, ta bëjë atë të përçojë ndjeshmërinë e kohëve dhe të epokave, kjo për Llesh Bibën nuk është thjeshtë një profesion: mbi të gjitha është një mision, që i tejkalon caqet e një realizmi të zakonshëm dhe të një mbijetese të zakonshme.

Në shtëpinë e tij studio, çdo vizitor do të ndeshi një derë të madhe, një portë, ku spikat figura e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, e cila zë pjesën kryesore. Anash saj, duken citate nga njerëz që bënë historinë shqiptare, gjurmë mendjesh të ndritura, të cilat ai i përcjell si një mozaik mbresëlënës, ku konturohet një prelud sa estetik, aq dhe gjeo-historik e gjeo-strategjik.

Biba duket se ka si kryemotiv të ecjes së tij në rrugëtimin estetik shkrirjen në një të historisë me përditshmërinë, duke nxjerrë në pah mesazhet që vijnë nga lashtësia e bëhen ura komunikimi panshqiptar në kohën tonë.

 Në të djathtë, ky punim gjigant për vendin në të cilin po merr jetë, ka një mesazh të cilin nuk mund ta lëmë jashtë profilit të këtij artisti. “Nuk është mëkat mosdituria e të parëve tanë, por mosdëshira për dituri dhe mbulimi i saj është kryemëkat që s’mund ta bëjë dheu i Arbrit” është edhe një prej mesazheve që mund të shkëpusim nga puna e Bibës. E gjitha në dru, një derë ishte e zbërthyer dhe pasurohet çdo ditë me “shenja” të reja, fryt i imagjinatës së shfrenuar të artistit.

 “Unë, rrëfen Llesh Biba,  -kam edukatë pune nga babai im “për të respektuar çdo lloj pune që duhet bërë në kohë të ndryshme, respektoi punët e të tjerëve dhe kur ajo s`është me nivel”. Sepse unë kam e do të kem parim: Më mirë një punë e dobët sot, se 100 punë të mira në mendje për s’e di se kur. Më 1990 vërejta se si artistët e arteve figurative po hynin të notonin në artin modern, unë thashë me vete; po merrem me atë që askush s`po e do, dhe vendosa të prek temën e traditës në një formë tjetër, duke bërë përpjekje të lartësoj jo aq sa dua e sa di, por aq sa kam mundësi në një ambient të caktuar rrethanash”.

“Porta e shekullit” është një nga punimet më transhendente të Llesh Bibës, me një fuqi përfytyrimi dhe konçizitet estetiko-historik, që arrijnë në kufijtë e të pamundshmes. Është një shpërthim ndjesish, trajtash, konturesh, një përzierje e fuqisë kreative të artistit me konkretësinë e mjeshtrit.

Nuk mund të lëmë pa përmendur një nga punët e tij më të lakuara, një vepër drusore që përfshin nëntë instrumente muzikore, të gjithë të unifikuar me njëri-tjetrin. E promovuar në Torino, në Itali, me rastin e 600-vjetorit të lindjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit, kjo punë është vlerësuar në të gjitha ambientet shqiptare e jo shqiptare ku është ekspozuar e sidomos është pëlqyer shumë në ekspozitën e skulpturës në Zvicër.

Artisti i veçantë ka mbi 80 vepra të punuara mrekullisht në dru e me një gjuhë poetike magjike.

Të gjitha këto punë i ka hedhur në Facebook, në internet, i ka bërë pjesë e një komunikimi publik me dashamirësit e artit të tij, me koleksionistët dhe sipërmarrësit e veprave të artit.  Më e populluara e këtyre punëve “Porta e shekujve” ka marrë mijëra e mijëra klikime dhe qindra komente, çfarë tregon interesin e madh që shkon deri tek befasimi dhe suprizimi…

Punimet e tij në varret e vjetra, kryesisht të atyre figurave e dyerve që kanë bërë histori, me një dekoracion mbresëlënës, kanë bërë që Lleshi të jetë mjaft i kërkuar, por siç thotë vetë, “unë bëj aq sa mundem, aq sa më lejon koha fizike dhe koha e shpirtit”.

Llesh Biba, që nga viti 1981 e deri më tani ka jetuar e jeton si artist i lirë, pa punuar asnjë orë në shtet e pa pasur asnjë ndihmë sado të vogël nga shteti. Edhe pse nuk i mungojnë blerësit, ai do të donte, si çdo artist elitar, dorën e shtetit, mbështetjen e shtetit të tij. Përkundër kësaj, institucionet ia kanë mbyllur derën, duke refuzuar projektet e tij, çfarë ka bërë që artisti të betohet për të mos trokitur më kurrë në zyrat e shefave të këtij shteti, që stimulon mediokritetin dhe anashkalon e refuzon artistët e vërtetë, artin elitar të tyre.

Lleshi është dhe një veprimtar human, që bën shumë për vendlindjen, për nënshejtasit, oroshasit, mirditorët e tij. I lidhur me botën e biznesit human në perëndim, me anë të së cilit ka arritur të çojë në spitalet e Qarkut Lezhë Rrëshen-Kurbin mbi një milion euro pajisje për modernizmin e shërbimeve spitalore, Llesh Biba nuk mërzitet që pushtetarët lokalë as e ftuan në drekën e inagurimit të këtyre pajisjeve, që do t’i jepnin një fytyrë të re shëndetësisë në këtë qark.

Lleshin e karakterizon një sens humori i hollë, sa duket sikur kufijtë midis seriozitet dhe ironisë, nën “të folmet me rrotulla” (me nënkuptime) shpaloset një botë magjike, të cilën ai e plazmon në idetë dhe fantazitë e tij të harlisura për punimet e reja në dru.

Herë të duket si kaubojs, nga ata të serialëve të vjetër të Hollivudit, herë si murg shëtitës, gjithmonë në nxitim, me pluhurin e tallashit të drurit që ai nuk ka dëshirë ta heqë nga rrobat, sikur kërkon të shenjtërojë magjinë e “lëndës së parë”.

Dhe seç ka një mani për kapelet, të cilat i ndërron “si mbreti gratë” dhe duket sikur është në garë me stilistët më të mirë të tyre, për të na dhënë trajta e forma nga më të larmishmet, të cilat i ekspozon në kokën e tij, ku flokët tashmë ia kanë lënë vendin një

I diplomuar për dramaturgji, Lleshi ka punuar si regjisor, ka luajtur në disa filma artistikë, shkruan poezi dhe ese, kryesisht me motive të lashta të botës shqiptare, gjurmon kalket dhe glasat gjuhësore me rrënjë të vjetra Iliriane, duke menduar, ashtu si disa nga figurat më të shquara të mendimit shqiptar,se shqipja është e parë gjuhë e botës, etj., por emrin e ka fituar pas mesit të viteve ‘80, atëherë edhe kur filloj të punonte me drurin, duke i dhënë forma të jashtëzakonshme artistike lëndës drusore që siguron, forma ku konfigurohen shija estetike, finesa e detajit të gdhendës, vlera historike dhe njerëzore.

Pas disa ditëve, me ftesë të mërgatës shqiptare në Itali, të gazetarit dhe të veprimtarit të mirënjohur Ndue Lazri, Lleshi do të udhëtojë për atje, për të qenë pjesë e një promovimi të madh, që kulturologët shqiptarë në tokën italiane, sipërmarrësit, njerëzit e artit dhe administratorët italianë do t’i bëjnë kulturës shqiptare të thellësive, traditës artistike, mendimit dhe shpirtit kolektiv krijues të popullit shqiptar.

Ngula këmbë që LLeshi të ma jepte poezinë e tij “Amaneti” dhe ai, me gjithë hezitimin, ma dha duke më sugjeruar të mos e botoja. Kjo poezi, e botuar në librin e tij me titull “Nën Shejt-Letërnjoftim-Të jesh NËNË”, midis të tjerave thotë:

“S’dua të varrosem

As në kishë as në xhami

Po do varrosem në lartësi

Ku ka vetëm liri

Vetëm shqipja mundet me më dhi…”

Dhe e mbyll poezinë me këto vargje:

“Një lugë kafe nga i imi katund

Peshon ma shumë

Se dheu i një shteti pa fund”…

SHKARKO APP