Artistja Eda Zari vjen me zërin e fotografisë

Fotografinë, Eda e sheh si një zgjatim të muzikës që bën, duke e gjetur xhazin në peizazhet që të lënë pa frymë, te portretet e njerëzve që jetojnë në vërtetësi me natyrën, me vetë natyrën që e bën njeriun të vogël, me gratë dhe burrat e thjeshtë që punojnë çdo ditë… Një lloj filozofie jete që ajo e ka mbërthyer në ngjyrat bardhezi të një letre të lustruar dhe në shpirtin e saj, për ta shpërfaqur në gjithçka që bën më pas, si një lloj identiteti që pasurohet me gjithçka të vërtetë.

Krahas ekspozitës me 27 mars, Eda Zari vjen për publikun e Prishtinës edhe me një performancë artistike live të titulluar “Muzika-Fotografia-Momenti”

Këngëtarja e njohur e xhazit, Eda Zari çel ekspozitën e saj me fotografi të titulluar “Ura e çastit, fryma e momentit”. Ka zgjedhur Ditën Botërore të Teatrit dhe Prishtinën për ta shfaqur pasionin e saj.

Fotografia është heshtja që flet në një udhëtim muzikal. Kështu mendon këngëtarja e njohur e xhazit, Eda Zari. Kudo ku ajo ka udhëtuar ka të paktën një foto. Pas çdo koncerti, merr aparatin fotografik dhe shkrep emocione…

Emocione dhe përjetime personale, një përvojë e përzgjedhur për shqisat, syrin, veshin, mendjen dhe shpirtin. Artistja Eda Zari ka vendosur të prezantohet kësaj here jo vetëm si këngëtare, por edhe si fotografe. Ka zgjedhur 27 Marsin, Ditën Botërore të Teatrit dhe Prishtinën për ta shfaqur pasionin e saj për fotografinë.

Në një performancë që nis me ekspozitën me fotografi dhe përfundon me një koncert të vogël xhazi, Eda Zari shoqërohet nga perkusionisti Rhani Krija, pianisti Ilir Bajri dhe basisti Visar Kuçi, për të sjellë tituj, këngë dhe kompozime bazuar në katër ciklet fotografike të ekspozitës të titulluara: Bota në fokusin e një fëmije, Erosi në dy gjinitë, Dyert, Cikël urban me vende, njerëz, ngjarje.

Instalacionet fotografike – të vendosura në koncept interaktiv në sallën e Teatrit “Oda” –do të shoqërohen nga forma të ndryshme muzikale si; xhaz, etno-motive, improvizime, ritme trance, instrumente monokorde arkaikë, zëra, tinguj natyrorë etj. Zëri dhe interpretimi i Eda Zarit, në dialog me muzikantët e saj, do të zgjerojnë spektrin tonal, duke sjellë nuanca vajtimi, heshtjeje, nota sensuale, melankolike, por aq dhe vitale, plot energji, të marra nga repertori dhe arsenali i saj improvizues.

Cikli i fotografive urbane, sipas Eda Zarit flet për fotografinë autentike, të pa zbukuruar, për skenat e përditshme të jetës, që tregojnë veprimtarinë e njerëzve, por duke e vendosur objektivin nga një perspektivë interesante, prej nga rrëfehet një ndodhi, një çast, pjesët e një skene të caktuar shkëputur nga një ngjarje. “Të dallosh dhe të kapësh imazhe të tilla është një sfidë e vështirë fotografike”.

SHKARKO APP