Artur Metani, vizitë në institucionet e drejtësisë në Londër

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani zhvilloi një vizitë pune në Londër në institucionet e drejtësisë, që merren me inspektimin dhe procesin disiplinor të magjistratëve dhe në Ministrinë e Jashtme britanike. Metani u shoqërua nga një ekip i ILD-së dhe nga ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar z. Uran Ferizi.
Në Inspektoratin e Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës së Madhërisë së Tij, Inspektori i Lartë i Drejtësisë u mikprit nga Kryeinspektori z. Anthony Rogers.
Të dy bashkëbiseduesit u ndalën në ndarjen e praktikave të mira mes institucioneve dhe rolin që ka procesi i inspektimeve në efiçencën e sistemit të drejtësisë për promovimin e transparencës e paanësisë, në shërbim të besimit të publikut.
Më tej z. Metani dhe delegacioni që e shoqëronte zhvilluan sesione pune me ekipin e Inspektoratit britanik të Prokurorisë. Zëvendës Kryeinspektorja znj.Lisa Morris bëri prezantimin e Inspektoratin e Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës. Procesi i inspektimeve, inspektimet tematike dhe inspektimet pasuese u paraqitën nga Inspektori i Lartë ligjor z. Colin Darroch dhe nga Inspektorja ligjore znj. Leanne Townsend.
Rekomandimet dhe impakti i inspektimeve u trajtua nga z.Rogers dhe znj.Morris, duke iu përgjigjur interesit të ekipit të ILD-së për aspekte të punës dhe krahasim me modelin e Shqipërisë.
Në takimin e zhvilluar në Zyrën e Hetimeve të Sjelljes Gjyqësore ekipi i ILD-së u njoh nga drejtuesi operativ z. Simon Parsons dhe shefja e çështjeve pranë kësaj zyre, znj. Kim Webb me të gjitha aspektet e punës mbi hetimin e sjelljeve të gjyqtarëve britanikë për llogari të Ministrit të Drejtësisë dhe Drejtueses së gjyqësorit në Mbretërinë e Bashkuar. Ngjashmëritë në procesin e hetimit disiplinor, llojet e shkeljeve disiplinore dhe masat ndëshkuese ndaj gjyqtarëve u trajtuan gjerësisht gjatë takimit nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Metani dhe z.Parson e znj. Webb nga Zyra e Hetimeve të Sjelljes Gjyqësore.
Pjesë e vizitës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në Londër ishte edhe një takim në Ministrinë e Jashtme britanike, me drejtoren për Ballkanin Perëndinor znj. Madeline Knox.
Pasi i bëri një prezantim të funksioneve e rolit të ILD-së në sistemin e drejtësisë, z.Metani vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për shtetin e së drejtës dhe integrimin evropian të Shqipërisë.
Znj.Knox vërejti se marrëdhënia me Shqipërinë është shumë e rëndësishme për Mbretërinë e Bashkuar, që ka investuar për këtë sepse e konsideron një partneritet të rëndësishëm edhe për të ardhmen.
Z. Metani dhe znj.Knox bashkëndanë qëndrimin e përparimit të Shqipërisë në fusha prioritare siç është lufta kundër korrupsionit, shteti i së drejtës dhe besimi i publikut tek sistemi i drejtësisë.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani dhe delegacioni i ILD-së u mikpritën në ambasadën e Shqipërisë në Lodër nga ambasadori z. Uran Ferizi. Pasi falenderoi ambasadorin për mbështetjen në organizimin e kësaj vizite, z.Metani u informua nga z.Ferizi mbi punën e Ambasadës sonë në mbrojtje të interesave të Shqipërisë e shqiptarëve që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe kontributin britanik për përparimin e vendit tonë.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?