Asbesti, kanceri që vret në heshtje! Paralajmërimi i mjekëve: Efektet te shqiptarët do të ndihen dekadën e ardhshme
Deri në vitet 80 të shekullit të kaluar ishin ndër materialet më të përdorura e më efikase në ndërtim, me shtrirje të gjerë kryesisht në fushën e termoizolimit dhe izolimin e çative.
Por çka ishte e mirë dikur, sot vlerësohet si kërcënimi më i madh i shëndetit të popullatës. Fjala është për lëndë të para ndërtimi me përmbajtje amianti apo asbesti.
Është vërtetuar shkencërisht se fibrat e asbestit, lëndë e parë në prodhimin e eterniteve, janë elementë kancerogjenë dhe shumë kontaminues.
Disa nga gjetjet më të fundit janë bërë prezent gjatë kongresit të 11 të pneumologjisë nga profesor Lutfi Alia.
Në Shqipëri gjurmët e asbestit i gjen kudo edhe me sy të lirë. Ende sot të sheh syri objekte të para 90 të mbuluara me eternite, që shërbejnë si magazina apo edhe shtëpi banimi.
Në gjendje stabël azbesti ndodhet i izoluar, por mjafton një gërvishtje a thyerje e materialit, që fibrat e asbestit të çlirohen në ajër, duke shënjestruar aparatin respirator të individit më të afërt. Pavarësisht vendosjes, fibrozat e asbestit dhe amiantit gjejnë përhapje të shpejtë, si shkak i faktorëve natyrore dhe njerëzore, duke u kthyer në një kërcënim të përhershëm për popullatën.
Për fat të keq, fibrat e asbestit qëndrojnë të fjetura në sistemin respirator të njeriut për një periudhë që mund të shkojë me dekada, derisa një ditë aktivizohen, korruptojnë qelizat e pulmonit, duke prodhuar sëmundje shumë të rënda me fatalitet të lartë.
Profesori i mirënjohur mjek në spitalin e Sienës, në Itali, dokumenton me fakte shkencore kërcënimin serioz që mund t’i vijë popullatës në Shqipëri në dhjetëvjeçarin e ardhshëm, nisur nga ekspozimi i gjatë ndaj dy elementëve kancerogjenë.
Sipas legjislacionit në fuqi që prej vitit 1994, në Shqipëri është i ndaluar përdorimi i asbestit, si material termoizolues në të gjitha llojet e ndërtimeve për qëllime banimi dhe përdorimi publik.
Por një studim i publikuar në vitin 2013 nga një grup mjekësh shqiptarë zbuloi faktin tronditës se në Shqipëri vijojnë të futen materiale me përbërës amiant asbest në formën e paneleve të tavaneve të varura apo në forma të tjera.
Disa ditë më parë mjekët e spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”, në Tiranë, deklaruan se janë rreth 700 raste të reja të diagnostikuara me kancer në mushkri në harkun kohor të një viti, shifër kjo, që sipas mjekëve, pëson rritje me 50 deri në 60 raste çdo vit.