Asnjë hap për restaurimin e qytetit antik në Irak

Në valën e shkatërrimeve që kanë bërë militantët e “Shtetit Islamik” nuk e kanë lënë të paprekur as qytetin antik asirian Kalhu, të njohur edhe si “Calah”, apo në kohët moderne edhe si Nimrud.
Rreth 30 kilometra në jug të Mosulit, në Irak, qyteti strategjikisht është vendosur në afërsi të pikës së bashkimit të lumit Tigër me Zabin e Madh, rrafshinë e Ninevehit në veri të Mesapotamisë. Ishte një prej qendrave më të mëdha asiriane ndërmjet viteve 1350 dhe 610 para Krishtit. Rrënojat qenë zbuluar dhe gërmimet arkeologjike nisën më 1845, me një ritëm që vazhdoi deri pas vitit 1949, thekson shkrimi i DW. Artefakte të çmuara ishin zhvendosur në muze në Irak dhe jashtë tij. Vendi që dikur kishte qenë qytet mbretëror asirian i kompletuar edhe me një pallat madhështor, ishte kandidat për ta fituar një vend në listën e UNESCO-s si trashëgimi botërore.
Si të tillë, terroristët e ISIS-it e kishin vënë në shënjestër për shkatërrim, derisa qeveria irakiane në verën e vitit 2015 raportoi se organizata militante kishte shfrytëzuar buldozerë për t’i shkatërruar mbetjet e qytetit antik. Në nëntor të vitit 2016, forcat irakiane e rimorën qytetin dhe konfirmuan shkatërrimin e tij. Derisa një pjesë e madhe e qytetit qe shkatërruar nga buldozerët dhe raketat, artefaktet më të vogla ishin hedhur në ajër deri në 10 kilometra larg, gjatë shpërthimeve të fuqishme. Disa nga ata që kanë qenë të përfshirë në gërmime besojnë që xhihadistët mund t’i kenë shitur artefaktet më të vogla në tregun e zi.
“Shkatërrimi i qytetit ishte aq gjithëpërfshirës saqë mund të krahasohet me shkatërrimin e Palmyras”, ka thënë profesori i arkeologjisë në Universitetin e Constance, Stefan Hauser. “Në Nimrud, një mori veprash arkitektonike dhe skulptura mungojnë”, ka shtuar ai. Sikur në Nimrud dhe në Palmyra, xhihadistët kishin shkatërruar mbetjet antike edhe në Hatra dhe Mosul. Megjithatë, në Nimrud nuk ka asnjë inventar sistematik për dëmin, qyshkur forcat irakiane e kanë rikthyer qytetin. “Asgjë nuk është bërë”, ka thënë Layla Salih, e cila punon për organizatën joqeveritare “Gilgamesh Center for Antiquities and Heritage Protection” (Qendra e Gilgameshit për Antikitete e Mbrojtje të Trashëgimisë). Në të vërtetë, Agjencia zyrtare qeveritare për mbrojtje të antikiteteve në Bagdad do të duhej të merrej me këtë çështje, por agjencia nuk ka lejuar asnjë nga 300 punonjësit e stafit lokal që të merret me këtë punë, ka raportuar kjo qendër. Kjo qendër po ashtu ka shtuar se duke qenë që stafi ka punuar nën ISIS, Ministria e Brendshme e Irakut duhet ta rivlerësojë secilin individ, gjë që nuk ka ndodhur ende.
Saleem Khalaf, drejtor i Bordit Shtetëror për Antikitete e Trashëgimi në Irak, që ka selinë në Bagdad, ka thënë se shqetësimet për siguri në veri të Irakut janë ende çështje e rëndësishme. “Kemi plane për të iniciuar rindërtimin, por nuk mund t’i vëmë në lëvizje, sepse operacionet e çlirimit ende po zhvillohen në atë zonë”, ka thënë ai. Ndihma nga burimet e huaja po ashtu ka qenë e nevojshme për t’i vënë në funksion planet, ka shtuar ai, duke theksuar që Iraku ka nisur masat e bashkëpunimit me UNESCO-n. Përderisa planet janë ende në ajër, mbetjet në Nimrud vazhdojnë të rrezikohen nga plaçkitësit dhe kushtet atmosferike.

SHKARKO APP