Át Shtjefën Gjeçovi, 140-vjetori i martirit të krishterë

Ditën e shtunë, në Kuvendin Françeskan në Shkodër u organizua aktiviteti “Át Shtjefën Gjeçovi, thesar në hulumtim”. Ky përkujtim u bë me rastin e 140-vjetorit të lindjes së martirit të fesë dhe të kombit, Át Shtjefën Gjeçovi. Ai u lind më 12 korrik 1874 në Janjevë të Kosovës, dhe u vra barbarisht në Zym, më 13 tetor 1929.

Në veprimtarinë shkencore morën pjesë 18 studiues nga Shkodra, Tirana, Kosova, Italia e Gjermania. U trajtuan tema të ndryshme me qëllim ndriçimin e figurës dhe personalitetit të Françeskanit, Át Shtjefën Gjeçovi. Ledi Shamku paraqiti në kumtesën e saj pikëpamjet e Gjeçovit rreth mitologjisë. Studiuesja Evalda Paci solli disa përveçime letrare e gjuhësore të Át Gjeçovit. Studiuesi e publicisti Ardian Ndreca trajtoi institutin e martesës në Kanunin e Lekë Dukagjinit. Filologu, Bardhyl Demiraj, me trajtesën “Fe e Preme”, përcolli kontribute të reja në studimet gjeçoviane. Át Vitor Demaj paraqiti pikëpamjet edukuese si vlera humane e atdhetare në veprën “Agimi i Gjytetnisë”. Studiuesja Fatbardha Hoxha hodhi dritë mbi vizionet qytetëruese të Gjeçovit, ndërsa studiuesi Alfred Çapaliku solli kontributin e Konicës për Gjeçovin.

Willy Kamsi, njohës i mirë i veprës gjeçoviane, kumtoi kontributet arkeologjike të Át Sh. Gjeçovit. Dy studiuesit nga Kosova, Frok Kristaj e Prend Buzhala, sollën figurën e Gjeçovit në pikëpamjet biografike e letrare. Disa veçori gjuhësore të veprës “Agimi i Gjytetnisë” u trajtuan nga Tomor Osmani, ndërsa Mimoza Priku mbajti kumtesën rreth vështrimit gjuhësor të fjalorthit të Kanunit. Arben Prendi, në trajtesën e tij u ndal te kontributi i Gjeçovit në folklor e letërsi gojore. Elinda Ramadani bëri një analizë të stilit letrar dhe mjeshtërisë e përkthimeve të Gjeçovit. Nertila Ljarja solli figurën e Gjeçovit përmes faqeve të shtypit katolik, ndërsa Gëzim Puka, në temën e tij trajtoi “Jehona ndërtekstësore e Kanunit përmes një teksti dramatik të letërsisë bashkëkohore”. Në këtë përvjetor u fol edhe për rëndësinë e publicistikës gjeçoviane nga studiuesit Rrokin Daberdaku e Gjovalin Çuni. Të gjitha kumtesat do të vijnë të botuara në një vëllim të veçantë në Botimet Françeskane. Në kuadër të përvjetorit të 140 të lindjes së priftit françeskan, ditën e djeshme u hap edhe një ekspozitë me dorëshkrime e libra që i përkisnin Át Shtjefën Gjeçovit.

SHKARKO APP