Atdheu, kryefjala e Hysni Milloshit

IN MEMORIAM Nga Ismail  METAJ

Sa shpejt ikin vitet! Vrapojmë udhëve të jetës duke menduar të arrijmë më të mirën e saj. Lëmë pas vite, mundime, sakrifica, ëndrra, poezi, dashuri dhe vjen një ditë krejt papritur ku gjithçka i mbetet memories njerëzore. Fundja, kjo është jeta e njeriut e ne nuk i shpëtojmë dot ligjeve të saj. Secili nga ne përpiqet të bëjë diçka për vete dhe të tjerët, por jo të gjithë lëmë gjurmë në kohë . “Të privilegjuar” janë ata që mbeten gjatë në memorien e brezave që vijnë pas. E ky “privilegj” shkon më së pari për poetët, shkrimtarët e artistët e të gjithë zhanreve, vepra e të cilëve trashëgohet brez pas brezi. Sot është dita të kujtojmë njërin prej këtyre njerëzve të mirë që gjithë jetën e tij të shkurtër ia kushtoi Atdheut tonë të dashur me tërë muzën, përkushtimin dhe vetëmohimin si rrallëkush tjetër, poetit,shkrimtarit e publicistit të paharruar Hysni Milloshi, në katër vjetorin e ndarjes nga jeta. Biri i Macukullit të bukur e të rreptë, trupshkurtri e kaçurreli simpatik Hysni Milloshi ishte ndër “Skënderbegasit” legjendarë që u betua para Flamurit Kombëtar për t’i shërbyer Atdheut në çdo qelizë, betim të cilin nuk e cenoi për asnjë çast deri në frymën e fundit të jetës së tij.

Jo vetëm ne që e patëm dhe e kemi të gjallë në zemrat tona, por kushdo që e njohu nga afër, në një kafe apo bisedë të rastësishme e ka të vështirë ta largojë nga memoria pasi ai ishte ndër ata njerëz të rrallë që ulej me të gjithë, bisedonte me këdo e për gjithçka dhe përjetonte shqetësimet e njerëzve më shumë se hallet e tij. E mbajnë mend bashkëkohësit Skënderbegas, por jo vetëm ata, e mbajnë mend brezat e rinj të kohës dhe të moshuarit, bujqit, punëtorët, ushtarakët, studentët, poetët, shkrimtarët, artistët e mbajnë mend të gjithë, sepse ai ishte njëri prej tyre, i urtë e i thjeshtë si vetë ata. Ushtaraku shembullor Hysni Milloshi, veçohej nga të tjerët për krijimtarinë e tij të spikatur letrare në poezi, prozë, romane, drama, publicistikë e zhanre të tjera . Ai ishte poeti që i këndoi me aq dashuri Atdheut, ishte poeti i dashurisë njerëzore .

E çuditshme kjo botë! Na merr malli për gjithçka kishim, por më shumë për ata që na mungojnë. Na merr malli vërtetë shumë, për ata njerëz që ju kishte hije fjala e vepra dhe që nuk janë më mes nesh. E ndjejmë mungesën e tij fizike, fjalën, por ndjejmë shpirtin e tij të madh, fisnikërinë e tij, thjeshtësinë, mençurinë dhe dashurinë njerëzore, që ai rrezatonte. I jashtëzakonshëm për nga vlerat që kishte dhe transmetonte, i matur, guximtar, fjalëpak e mendjehollë, që dinte të rrinte kudo dhe ishte i aftë t’i jepte përgjigje cilitdo, i çdo moshe qoftë, sepse ai fliste këmbëkryq me njerëzit, fliste gjuhën e tyre. Ai ishte simbol i njeriut të mirë, që tretej çdo ditë nga pak në vetvete për tu dhënë të tjerëve qetësi e shpresë për të ardhmen.

Ai kishte mall për Macukullin ku u lind, ndjente mall për gurët, pyjet, ajrin, njerëzit, plakun e moçëm, të riun, legjendat, luftërat, folklorin, zakonet e traditat shekullore, ndjente mall për Labërinë e Vlorën, ndjente mall për Bajram Currin e Isa Boletinin, Hasan Prishtinën… Kishte mall për njerëzit e thjeshtë, mall e dashuri për të gjithë, nga Çamëria e në Mitrovicë, për Kosovën e shqiptarët kudo që janë me trojet e rrënjë. Çdo pëllëmbë e tokës shqiptare ishte e shtrenjtë dhe e shenjtë për të. Mendja e tij punonte orë e çast për Atdheun, për popullin e tij, për ditë më të bardha. Rrallë kush si Hysni Milloshi i shkroi atdheut të vet me aq dashuri e dhimbje në 50 vitet e fundit. “Me një zemër majë shpatës, këmbëzbathur mbi flori,/ ngriheshe mbi mal legjendash e qefinin mu në gji,/ sa kish deti ujë e valë, yje qielli i paanë, / mëmëzote, lokemadhe ti ke pasur kapedanë.”/ Botimet e tij të para në poezi si: “Dëshira të një skënderbegasi”,”Vatra e kuqe”,”Pushka dhe poeti”, “Djaloshi nga Dropulli”, “Tek postblloku pret një vajzë”, “Me dëborë mbi supe”, dramat e tij “Vajza e komitit”,“Komandanti i lirisë”, “Komediani në mal”, “Familja Bulku”, librat politike “Shqiptari i madh Enver Hoxha”,”Komisari i epokës”, romani “Skënderbegasit e vitit 1946” etj., por mbi të gjitha spikat poema “Atdheu”, e cila pa dyshim përbën një nga perlat e letërsisë shqipe, por që fatkeqësisht është lënë qëllimisht në hije, për shkak të mesazhit që jep dhe interesave meskine të kritikes letrare.

Lexojmë sot dhe na vjen mirë tek mbushen gazetat me krijues të rinj e mjaft botime dinjitoze, ashtu siç na vjen keq që lihen në harresë vlera të jashtëzakonshme të krijuesve të mëdhenj, mes tyre dhe veprës së Hysni Milloshit. A mos vallë duhet të presim gjatë për t’u rikthyer atëherë sirtarëve të harruar të bibliotekave?! Hysni Milloshi ishte poeti që i këndoi luftërave e përpjekjeve të popullit shqiptar për liri e zhvillim, i këndoi vegjëlisë, pjesë e së cilës ishte edhe ai vetë, dashurisë si një Esenin i vërtetë. Iu këndoi të rënëve për atdhe, trimave që me gjakun e tyre shkruan historinë që ne sot jetojmë, i këndoi atdheut, të cilin ai e deshte aq shumë me po aq dashuri e dhimbje, siç shkrojtën dikur rilindësit e mëdhenj. “Nënë moj, do pres gërshetin, / e do dal malit përpjetë, / shokë e shoqe po me presin, / atje lart ku puthen retë,/në mu kalbtë rripi i pushkës / nënë moj në shi, në erë, /do ta lidh në ballë të luftës / me gërshetin tim të prerë”,…

“Kasollja e Galigatit”, “Një djep në barrikadë”… jehonte zëri brilant i të mëdhenjve Vaçe Zela, Avni Mula e Marinda Grabovari, që këndoi të vetmen këngë fituese të Festivalit Kombëtar të Këngës në RTSH etj, u bënë himne për brezat, pasi aty ishte shpirti i shqiptarit të mirë që shpërthente në skenë e ngrinte zemrat peshë si kushtrim për brezat që do të vinin pas.

Eh, sa shumë na mungon Hysniu ynë i shtrenjtë! Na mungon tani që s’e kemi, madje na mungon të gjithëve edhe atyre që e paragjykuan në bindjen e tij sa ishte gjallë. Ndoshta shumëkujt sot duhet t’i skuqet fytyra për atë përbaltje çnjerëzore që i bënë personalitetit të Hysni Milloshit. Por unë e di që ata nuk skuqen, sepse fytyra e tyre e zezë është ushqyer me llumin e kohës . Por, më kot përpiqen t’i japin kohës fytyrën e tyre. Herët a vonë vlerat shkëlqejnë e ruhen, kurse plehrat dekompozohen landfilleve moçalorë .

Na mungon fisnikëria e tij e rrallë, guximi prej njeriu që nuk u step kurrë për të thënë e paralajmëruar ngjarje të errëta, aftësia e tij për të imponuar respekt tek secili, njeri që kurrë nuk i binte gjoksit, por ama edhe kurrë nuk e ktheu shpinën. I mungon kohës për të cilin kishte sot nevojë. Katër vite më parë, në elegjinë për Hysni Milloshin, miku i ngushtë i tij, poeti i madh Arben Duka, ndër të tjera shkruan: “Qaj moj Shqipëri, djepi i kreshnikëve, / se tu shua sot kreshniku i kreshnikëve, / shkoi Hysni Milloshi si ylli mbi re, / ai që të deshte më shumë nga të gjithë ne”. Ndaj edhe ne e kujtojmë me mall e dashuri se, në të vërtetë, ai ishte më i miri nga të gjithë ne.

SHKARKO APP