Atje ku toskënishtja nuk e mbush dot qëllimin, le t’i vijë në ndihmë gegënishtja!

Nga Luljeta Dushi

Aleksandër Xhuvani u bë i njohur në vitin 1905 kur botonte për problemet e gjuhësisë shqiptare, në revistën “Albania” të Faik Konicës, studimin Për themelim të një gjuhe letrare. Autori parashtroi domosdoshmërinë e formimit të një gjuhe të përbashkët kombëtare. A. Xhuvani në veprën e tij Studime gjuhësore dilte me idenë se kjo gjuhë letrare duhet t’i kishte bazat në dialektin e toskërishtes. Ai pohon se njisia e gjuhës asht njisia e kombit, – duke shtuar se në toskërisht ai shihte ato dukje historike, ato ngjarje, atë udhëtim shtëllisje qi kallëzova për gjuhët greqishte, latinishte etj..

Sipas studiuesve, arsyet që e shtynë Xhuvanin të dilte në këto përfundime kanë qenë:

  1. Koha kur gjuha shqipe ishte në rrezik, pasi fqinjët tanë po hapnin shkolla në gjuhë të tyre;
  2. Ai mendonte se dialekti i jugut ishte varianti i një areali më të zhvilluar në krahasim me veriun e asaj periudhe;
  3. Ai ishte i mendimit se varianti dialektor i jugut mund të zotërohej më shpejt jo vetëm prej shqipfolësve bashkëkombas, por edhe prej të huajve.

Sërish në veprën Studime gjuhësore, autori shkruan: “Mue pra, ndonëse jam gegë dhe e di se këto qi thashë për toskërishten ndoshta nuk do t’u vinë mirë gegëvet mi, më thotë mendja se nuk ngjanë ta marrim dialektin e Elbasanit si udhëheqës a si pajtor…, por toskërishten lypset me e marrë për themel, mbi të cilin të ndërtojmë gjuhën tonë letrare. Atje ku toskënishtja nuk e mbush dot qëllimin, le t’i vijë në ndihmë gegënishtja”.

      Këto mendime e ide ishin formuar tek Aleksandër Xhuvani, kur në vitin 1917 ai u ballafaqua me një ngjarje madhore për historinë e gjuhës së shkruar shqipe, siç ishte Komisia Letrare e Shkodrës, drejtuesit dhe akrivistët e së cilës e ftuan si ekspert gjuhësor dhe njohës i Elbasanishtes, i cili do të ndihmonte për të përmirësuar gjuhën letrare të zgjedhur. Menjëherë pas kësaj periudhe, Xhuvani iu vu një pune të jashtëzakonshme për hartimin e teksteve shkollore, gramatikave e metodikave shqipe, ku vendin e parë e zënë librat e sintaksës që nisën të botoheshin e të ribotoheshin në vitet 1922-1938. Jup Kastrati në veprën e tij Studime për nder të Aleksandër Xhuvanit shkruan: A. Xhuvani ka merita të shquara në vëzhgimin e kësaj fushe të dijes. Trajtimi i sintaksës së shqipes nga ana e tij është i lidhur me hapjen e shkollave fillore të mbarë Shqipërisë, mbas vitit 1916 prej Luigj Gurakuqit dhe, veçanërisht me studimin e kësaj lënde në Normalen e Elbasanit.

Tekstet u shkruan të gjtha duke zgjedhur të folmen e Elbasanit, e cila u bë gjuhë shkrimi e administratës shtetërore me shtysë të KLSH, më 1923. Dhe kjo sipas Mehmet Çelikut për tre kushte që plotësonte:

  1. Elbasanishtja ishte një e folme gege me tipare të përbashkëta e të afërta si me gegërishten veriore e jugperëndimore, ashtu edhe me toskërishten;
  2. Elbasanishtja ishte një e folme gege me tradita shkrimore pa largime të theksuara dialektore;
  3. Elbasani ishte qendër e rëndësishme ekonomike e kulturore dhe ofronte traditën shkrimore të figurave të shquara në studimin e shqipes.

Këtë traditë shkrimi, Aleksandër Xhuvani, e zhvilloi më tej si tekstolog e gjuhëtar. I ftuar si specialist në Komisinë e Shkodrës, sipas T. Osmanit, Xhuvani nuk u tregua shumë aktiv, ndërkohë që ishte i ndërgjegjshëm për vendimet e këtij organizmi, si përpjekja e parë serioze për normëzimin e shqipes. Këto rregulla, – shkruan ai 30 vjet më vonë, – kishin për qëllim që të ofrojshin shkrimin e dy dialekteve dhe këto patën influencën e tyre mbi shkrimin e mëpastajmë të gjuhës e sidomos të gegërishtes.

Sipas Tefë Topallit te vepra e tij Gramatikë e gjuhës shqipe, është e natyrshme që shumë libra shkollorë të kohës hartoheshin në të folmet e qyteteve dhe krahinave nga ishin autorët e tyre, si Sheperi, Rrota etj., por në ndryshim nga këto, Xhuvani shquhet për prirjen nga gjuha e popullit edhe në këto tekste shkencore. Për autorin një gjuhë është e thjeshtë dhe e pastër, kur atë e përdor edhe populli, është në gojën e popullit dhe e përdorin shkrimtarët më të mirë të popullit. Kjo duket krejt mirë në parathëniet e sintaksave dhe në shpalljet e dyta (siç i quan ai ribotimet), të cilat janë plot sintagma e njësi nga frazeologjia popullore, larg gjuhës së ngurtë të shkencës, gjë që bie në sy me shembuj të tillë: po dalin sot në dritë, janë marrë parasysh, kam ndërmend ta nxjerr, simbas zakonit etj. Të sigurtë se janë zbatim i vendimeve të Komisisë dhe vazhdim i traditës së kohës, në librat e sintaksës së A. Xhuvanit, bien në sy shenjat diakritike për hundorësinë dhe theksin si florí, ulëtí, matuní etj. Ai i shkruan të plota togjet e zanoreve: ie, ue, ye- për me lehtësuem, tue, kujtuem etj.; si dhe grupet e bashkëtingëlloreve mb, nd, ngj. Ë-ja gjendet e përdorur edhe për arsye të gjatësisë së zanores së theksuar.

Nga të gjitha shkrimet shkollore, Xhuvani ka ndjekur, siç e thotë edhe vetë, të shprehunit e fjalive me artim  (rend) të drejtë d.m.th., “ajo qi i ka pjesët e vumuna në nji radhë të natyrëshme, ku përpara vjen kryefjala, pastaj kallëzuesi e mbrapa vijnë kundrinat e plotësorët”. Kurse fjali me artim të zhdrejtë quan “atë fjali qi i ka pjesët vumun në nji radhë të përkundërtë me atë të sipërmen”. E në lidhje me shembujt, autori shpjegon në parathënie se “shumë fraza nga ato të shkrimeve janë marrë edhe nga shkrimtarët tanë, si Sami Beu e Kristoforidhi e nga goja e popullit, kuse copat e këndimit, me të cilat asht përcjellun thuajse çdo shkrim syndaktik, janë adaptuem e nxjerrun, ma të shumtat, prej teksteve të huaja”.

Në nder të Aleksandër Xhuvanit, Universiteti i Elbasanit, mban emrin e tij.

SHKARKO APP