Aurela Hoxha: Puna, nëse nuk e bën me dashuri, mos e bëj fare

Intervistoi: Albina Gjergji 

Prej disa javësh, Aurela Hoxhën e shohim në ekranin e Vizion + si drejtuese programit, “Shopping Quën”, një reality shoë ky i pari në llojin e tij në ekranet shqiptare. Mjaft e përfshirë emocionalisht dhe fizikisht në këtë projekt, Hoxha tregon që formula e kësaj patente e ka intriguar jashtëzakonisht shumë dhe me bindje të plotë thotë që, pranimi i ftesës për moderimin e këtij programi ka qenë vendimi i duhur. Një garë, e cila në thelb ka konkurrimin e përzgjedhjes së veshjes më të bukur nga sfidantet për në një event të caktuar, shijen e hollë dhe kritikën profesioniste si pikat më të forta të spektaklit, xhelozinë femërore dhe çmimin e parë… nga finishi këtë garë e ndajnë edhe pak javë. Lidhur me formulën e këtij formati, raportin me konkurrentet, kolegët, si dhe për disa detaje të tjera prezantuesja, Aurela Hoxha flet për suplementin “Koha Tjetër” në gazetën “Koha Jonë”.

“Shopping quën”, quhet reality-shoë më i ri që ju drejtoni në ekranin e Vizion + çdo javë. Si erdhi ky projekt tek ju Aurela?

Ishte një propozim nga produksioni. Ata më kishin menduar mua si imazh dhe drejtuese të këtij formati, unë e pranova me shumë kënaqësi dhe tani që jemi në mes të programit e them me bindje që ishte gjëja e duhur, pasi unë gjendem mjaft mirë në këtë format.

Një garë që në thelb ka konkurrimin e përzgjedhjes së veshjes më të bukur për në një event të caktuar… është e vështirë për ju si prezantuese që të drejtoni një emision të kësaj natyre?

Vështirësia në këtë rast është në momentin që unë nuk mund të jap mendim, apo të komentoj në lidhje me veshjen, pasi nuk duhet të ndikoj tek konkurentët. Këtë e kam pasur pak të vështirë, pasi siç dihet veshja është pasioni im dhe aty mund të kem shumë për të thënë, megjithëse roli që kam më pëlqen.

Në fakt Aurela Hoxha, duke qenë shumë e lidhur me modën, duket sikur në prezantimin e emisionit padashje ju u bëni sfidë konkurrentëve në garë. Deri ku shkon lidhja juaj me modën?

Unë uroj të mos jetë kështu, dua të them që uroj që imazhi im në emision e gjithashtu tek teleshikuesit të vijë në një fare mënyre në ndihme e jo si sfidë, duke pasur parasysh që unë përpiqem të kem një stil dhe një veshje që i përket trendeve të fundit. Lidhja ime me modën është e hershme e pandashme dhe dua-s’dua pas kaq vitesh ndjej që e kam në lekurë, nëse mund ta quajmë kështu.

Na flisni pak për formulën e “Shopping Quën” dhe sipas jush, cilat janë detajet që e bëjnë të veçantë këtë program?

Ky format i realizuar në 12 vende të botës, mendoj që ka shumë të veçanta. Ajo çka unë vlerësoj është gatishmëria e vajzave për t’u bërë pjesë e këtij reality, për të na hapur dyert e shtëpisë, për të pritur të buzëqeshura të gjitha kritikat e konkurentëve, apo dhe panelit profesionist. Gjithashtu ne jemi çdo ditë në terren, në dyqanet e Tiranës, me tema dhe veshje nga më të larmishmet, kështu mendoj në një mënyre kjo i vjen publikut femëror shumë në ndihmë me ide për veshjet dhe kombinimet e tyre për raste të ndryshme. Kjo besoj është një tjetër e veçantë shumë interesante.

Karakteristikat dhe loja e garuesve. Sa me sportivitet e marrin ato kritikën?

Siç e përmenda më lart, kanë qenë vërtete shumë elegante në mënyrën se si ato kanë pritur çdo kritikë, apo sugjerim, që le të themi jo në të gjitha rastet ka qenë i drejtë mbase e kjo për dy faktorë, një sepse janë konkurentë në garë dhe pikët e tyre vlejnë, por edhe për shijet e tyre të ndryshme e jo gjithnjë të bazuara në trende, apo modë.

Për 12 javë me radhë 5 femra sfidojnë njëra-tjetrën nëpërmjet pasionit të të veshurit me shije, por ndërkohë rrëfejnë edhe historitë e tyre. Cila prej tyre të ka goditur më shumë?

T’ju them të drejtën secila prej tyre ka patur histori dhe lidhje shumë të veçantë me fashion-in, pasi të gjitha në profesione ishin krejt të kundërta me këtë pasion shumë të madh. Megjithatë do të veçoja një gjyshe 60-vjeçare, e cila u prezantua aq bukur, sa nuk mund të mos më linte një shije shumë të mirë.

Hasni zili, xhelozi mes tyre?

Sigurisht, por janë gjithmonë në kuadrin e lojës së garës. Dua të them që dinë ta menaxhojnë shumë mirë.

Këshillat, raporti i tyre me stilisten Skifteri?

Vajzat ditën e diel prezantohen para profesionistëve. Atë ditë e marrin me shumë seriozitet dhe sigurisht përpiqen të ndjekin këshillat e Rezartës në çdo detaj, e cila ka dhe të drejtë vote.

Producente e këtij projekti është një emër shumë i njohur i botës së medias, pikërisht Eva Idrizllari. Si është të punosh me të Aurela?

Unë më parë Evën e kam njohur vetëm nëpërmjet punës së saj, por bashkëpunimi me të më ka lënë vërtetë një shije shumë të mirë. Është një femër e zgjuar, e zonja, shumë profesioniste dhe unë e admiroj në gjithë energjinë që jep çdo ditë për këtë produksion e mbi të gjitha për pozitivitetin e saj në lidhje me mua. Jam e lumtur që jemi bashkëpunëtorë në punë dhe mikesha jashtë saj.

Përveç këtij projekti, nga i cili edhe pak javë kanë ngelur, po merreni me diçka tjetër?

Vazhdoj me dyqanin e nusërisë, të cilin tani e kam zhvendosur në një ambient të ri. Po merem me agjencinë, revistën, punët e përhershme. Sigurisht me kohë më të reduktuar, pasi ky projekt po më merr një kohë të konsiderueshme.

Shumë angazhime, pjesë e eventeve më në zë në vend, palestër, puna me revistën tuaj, etj., mund të na thoni cili është raporti juaj me kohën?

S’e di as vetë se si ia dal, por ju betohem që i bëj të gjitha, madje me shumë pasion. Gjej gjithashtu pak kohë edhe për miqtë e mi, të cilët kanë vlerë në jetën time.

Po me fundjavat?

Në fundjave ndodh të kemi xhirime, por të dielave përpiqem të shkëputem pak për në vendet bregdetare.

Është e bukur jeta juaj Aurela dhe çfarë e bën më së shumti të bukur atë?

Jeta ime është e bukur padiskutim dhe të tillë besoj e bën dashuria ime e madhe për çdo gjë që bëj. Për mua vlen shumë ajo shprehja, “Nëse nuk e bën me dashuri mos e bëj fare” (qesh).

Gjithmonë e qeshur në ekran, po pas ekranit si është Aurela?

E qeshur jam përgjithësisht dhe kështu duhet të jemi të gjithë çdo dite të jetës sonë, me gjithë të mirat, apo problemet që hasim në jetë, pasi çdo gjë ka zgjidhje, nëse ne i japim një mundësi dhe e presim me pozitivitet dhe buzëqeshje.

Ka ditë gri në jetën tuaj?

Ka, por unë përpiqem të gjej një hapësirë sado të vockël mes reve për të lejuar një rreze dielli që të depërtojë.

Çfarë ju trishton?

Vetëm mungesa e njerëzve të zemrës.

Ka pengje Aurela dhe a ka një sekret të bashkëjetosh me një peng?

Jo, fatmirësisht nuk kam dhe besoj që nuk duhet ta lëmë veten në bashkëjetesa të tilla, por duhet të tentosh, të gabosh më mirë mbase dhe të lëndohesh, por të mos lësh asgjë “peng”.

Ju udhëtoni gjithashtu shumë. Cili ka qenë udhëtimi juaj më i bukur dhe pse?

Unë udhëtoj shumë, ose më saktë sa herë mundem, pasi nuk ka asnjëherë shumë. Nuk di të them më i bukuri, pasi të gjithë janë të tillë për mua.

 

SHKARKO APP