Austin: Fan Noli s’e njihte mirë jetën politike në Shqipëri

“Fan Noli ishte i komplikuar”, janë fjalët e para me të cilat studiuesi kanadez, Robert Austin, e nis ligjëratën e vet. “Por ishte edhe shumë i zoti. Ai ishte poet, prift, përkthyes, shtetar, diplomat e historian”, shton ai.

Noli shërbeu si kryeministër dhe regjent i Shqipërisë në vitin 1924 gjatë Revolucionit të Qershorit. Por sipas Austinit, kjo ngjarje u quajt revolucion vetëm prej Nolit, sepse në të vërtetë nuk ishte i tillë. Duke qenë se Noli kishte studiuar në Amerikë, sipas Austinit, ai nuk e njihte mirë politikën e vendit të vet. Do të merrte pushtetin kur Shqipëria nuk kishte arritur shtetformimin e plotë.

Në këtë pozitë qëndroi derisa nuk u përmbys një vit më pas nga mbreti Ahmet Zogu. Gjatë kohës sa Noli ishte në pushtet ai do t’u kushtonte më shumë rëndësi problemeve të jashtme, në vend të atyre të brendshme. E kjo, sipas Austinit, ishte gabimi më i madh i tij. Shekullin XX ai e cilësoi si fatkeq për shqiptarët, ndërsa kritikoi sistemet politike.

Krejt këto deklarata studiuesi i çështjes shqiptare i bëri të martën në ligjëratën e cila zuri vend në amfiteatrin e Fakultetit Filologjik në Prishtinë. Austin u rikthye në kryeqytet pas dy vjetësh. Shkak për këtë u bë Seminari XXXIV Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqipe.

Austin ka thënë se Fan Noli është një prej politikanëve shqiptarë, veprimtarinë e të cilit e njeh më së miri. Pas tij në listë ka Ibrahim Rugovën. Studimet e tij për Nolin fokusohen më shumë në lidhjen e tij me politikën sesa me fenë ose pjesën tjetër të aktiviteteve të tij. Noli ishte themelues i Kishës Ortodokse Shqipe. Krejt këto detaje Austin i ka të përmbledhura në librin e tij “Fan Noli dhe revolucioni i humbur”, të botuar nga “KOHA”, në vitin 2011.

“Shqipja ime nuk është e mirë dhe kërkoj falje që nuk mund të flas më shumë. Më vjen mirë që u riktheva në Prishtinë. Është hera ime e parë që vij këtu gjatë verës. Kam 25 vjet që e vizitoj këtë pjesë të botës, tani jam më i vjetër dhe më pëlqen të mendoj se edhe më i urtë, por prapë nuk e kuptoj politikën këtu”, ka thënë Austin, pak para se të nisë ligjëratën, tek ka bërë me dije se ligjërata e tij do të bazohet vetëm në veprimtarinë e Fan Nolit.

“Ai shërbeu si kryeministër dhe regjent i Shqipërisë në vitin 1924 gjatë Revolucionit të Qershorit. Ai e quajti revolucion, por unë nuk mendoj se ishte i tillë. Ndoshta ka qenë revolucion për vetëm një person e ai është vetë Fan Noli”, ka thënë Austin, tek ka treguar se Noli nuk kishte para të niste punën. Prandaj si do ta mund të niste një revolucion kur nuk kishte para për udhëheqje.

“Mund të lexoni se çdo herë kur ka ndryshuar qeveria në Shqipëri, ata që kanë shkuar kanë marrë diçka me vete. Pra çdo herë që dikush i ri që vinte, duhej të përballej me larjen e borxheve që i linin sistemet e kaluara. Situata të tilla i hasim edhe sot”, ka thënë Austin. Sipas tij Noli nuk e njihte mirë jetën politike në Shqipëri, apo nuk e kuptonte siç duhet.

“Në vitin 1924 Shqipëria ishte komb jo i formuar. Prandaj edhe Noli u përball me shumë probleme. Shtetformimi i vërtetë i Shqipërisë nisi shumë vjet më vonë. Në qershorin e vitit 1924 do të duhej të mblidhte një larushi të njerëzve që kishin mendime dhe interesa të ndryshme. Noli krijoji qeveri e cila në mendjen e tij ishte revolucionare”, ka thënë Austin, tek ka treguar se Noli kishte interesa komuniste e nuk ishte komunist, por as nuk ishte demokrat.

Sipas Austinit, Noli u dha prioritet problemeve të jashtme në vend të atyre të brendshme që kishte Shqipëria e asaj kohe. 
“E ky ishte një gabim katastrofik. Problemet e Shqipërisë ishin të brendshme, e jo të jashtme. Shumicën e kohës sa ishte në udhëheqësi ai i kaloi duke mos u koncentruar në agjendat e vendit, por u mundua të kërkojë ndihmë nga jashtë për revolucionin e tij.

Nuk dua të jap një pikëpamje të keqe për të, por thjesht jam koncentruar në fakte”, ka thënë Austin. Shembulli për këtë merr shkuarjen e Nolit në Gjenevë dy muaj pasi kishte marrë pushtetin dhe kishte nisur revolucionin.

“Atje qëndroi disa muaj. Nëse do të isha udhëheqës dhe të isha duke e drejtuar një revolucion, gjë që nuk e shoh të ndodhë në karrierën time, do të qëndroja të udhëhiqja revolucionin. Ky është një shembull se si ai u ka dhënë prioritet problemeve të jashtme”, ka thënë Austin, i cili është njohës i mirë i çështjes së Shqipërisë dhe Kosovës.

Ai jetoi në Tiranë, ku punoi si korrespondent për Radion Evropa e Lirë dhe gazetar për “Canadian Boradcasting Corporation” në Toronto. Ai ka shkruar edhe për “The Globe”, “Mail”, “The Toronto Star”, “Orbis”, Southeast Europe Times” dhe “East European Quarterly”. Ai ka qenë aktiv në këtë rajon që nga fundi i viteve ’80. Austin jep mësim për politikën dhe historinë e Evropës Jugperëndimore në “Munk School for Global Affairs” në Universitetin e Torontos.

Austin ishte i pari i cili u parapriu ligjëratave që do të zënë vend në edicionin e sivjetmë të seminarit të gjuhës. Pas ligjëratës së tij u mbajt mbledhje përkujtimore për profesoreshën Hava Shala Qyqalla. Ndërsa në pjesën e dytë të ditës, programi vazhdoi me ligjëratën e Denis Ermolinit me titull “Përshëndetje prej Prishtine: Prishtina në kartolina”, për të vazhduar me Malgorzata Ptak me “Albania in Polish guide boks”.

Pas tyre u mbajt ligjërata e Aleksandra Chivarzinas me titull “Sistemi i ngjyrave në gjuhën maqedonase dhe shqipe”, për të vazhduar me atë të Natalia Badiyan-Siekierzycka “Edith Durham – forgotten travel writer” dhe për t’u përmbyllur me Tanja Trajkoviqin me ligjëratën me titull “Analiza e kolokacioneve frazeologjike në gjuhën shqipe dhe barasvlerësve përkthimorë të tyre në gjuhën serbe në Fjalorin frazeologjik ballkanik të Jani Thomait”.

SHKARKO APP