Autizmi jeton pranë nesh, por shpeshherë e refuzojmë
Nga Sibora Grifi –
2 Prill-Dita Botërore e Autizmit, në këtë ditë i vendosim akoma theksin sensibilizimin e të gjithëve lidhur me specifikat e këtij çrregullimi, diagnostikimin dhe trajtimin, si mund të jetë bota e një fëmije në spektër dhe jo me pak e rëndësishmja roli i prindit e disa këshilla që duhet të ndjekin.
Çrregullimi i Spektrit të Autizmit është një çrregullim neurobiologjik kompleks e shumëplanësh i zhvillimit të njeriut.
Fëmijët me ÇSA përgjithësisht kanë të dëmtuar 3 fusha të veprimtarisë së tyre:
1-Marrëdhënia sociale
2-Komunikimi( verbal dhe joverbal )
3-Sjellja/ aktivitetet stereotipike
Prindër të kujdesshëm dhe specialistë të mirëformuar ndonjëherë mund t’i identifikojnë shenjat e para që në moshën 18 muajshe.
Çdo fëmijë është unik ndaj dhe ndërhyrja është e ndryshme në fëmijë të ndryshëm. Me anë të terapive bëhet e mundur kontrollimi dhe modifikimi i simptomave specifike duke sjell përmirësim të dukshëm dhe të qendrueshëm.
Emëruesi i përbashkët është se ndërhyrja e hershme funksionon dhe përmirëson dukshëm prognozën.
Fëmijët me autizëm janë vëzhgues ndaj çdo gjëje, madje edhe të qëndrimit tuaj ndaj tyre. Një pjesës e tablosë së tyre kjo tepër e vogël në krahasim me botën e tyre të madhe do të ju bëj të reflektoni më shumë:
“Unë jam ndryshe nga ju, jetoj në një botë të vogël e plot ngjyra, gjuha e saj është gjuha e zemrës, mirkuptimit, pranimit dhe mosparagjykimit. Ndonjëherë jam pak çapkën, sfidues apo edhe kundërshtues por çelësi i portës së hyrjes në botën time është gjithmonë dashuria.
DUAMË, vetëm në këtë menyrë do të më kuptoni dhe do të mësoni kur unë ju kuptoj ju!”
Ata që i kuptojnë më së shumti dhe që unë dua ti vë theks të veçantë jane prindërit. Prindërimi me një fëmijë të diagnostikuar me Çrregullim të Spektrit të Autizmit është shumë sfidues por nuk duhet harruar që eksperiencat kanë treguar dhe provuar se kjo betejë mund të luftohet me sukses kur ka të bëjë me prindër që nuk dorëzohen kurrë.
Disa këshilla që unë do ti veçoja që ata duhet ti ndjekin janë:
•Dashuri të vazhdueshme pa kushte edhe kur veprimet, arritjet dhe sjelljet e fëmijës suaj nuk përputhen me atë që ju ndjeni, mendoni apo veproni kundrejt tij/saj.
•Besimi tek aftësitë dhe potencialet e fëmijës suaj.
•Gatishmëri për ta pranuar dhe për të dalë në komunitet haptas me fëmijën tuaj.
•Durim, durim dhe shumë durim, pasi sjell më shumë arritje se forca.
Dhe së fundmi, të gjithë fëmijët mbartin potencialin e tyre, e të gjithë ne së bashku(terapisti, edukatore/mësuese, prindi dhe i gjithë komuniteti) duhet t’ju japim mundësinë që të nxjerrim në pah potencialet.
Dhe ajo që nuk duhet harruar suksesi është shuma e përpjekjeve të vogla që përsëriten çdo ditë.
Logopede/ Terapiste ABA