Autobiografia e ‘Gjeneralit xhelat’ të diktaturës: Kam ekzekutuar kushëririn tim të dytë, edhe dajën e gruas
Dashnor Kaloçi/ Publikohen disa dokumente të panjohura arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendëshme në Tiranë, ku ndodhet dosja e punës e gjeneral-major Nevzat Haznedarit, ish-prokuror, hetues dhe kryehetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Shqipërisë nga viti 1945 deri në 1979-ën kur ai doli në lirim.
Çfarë shkruhet në “Kartela e Oficerit” dhe autobiografinë e shkruar me dorën e tij nga Haznedari, i njohur ndryshe si “Gjenerali i zi”, për shkak të dhunës dhe brutalitetit që ai ushtronte me tortura nga më të tmershmet ndaj “klientëve” të tij në qelitë e Sigurimit të Shtetit, duke filluar nga viti 1945, kur ai u gradua Kapiten i Parë, si shpërblim për aksionin e rrëmbimit në Greqi dhe sjelljes në Tiranë, të ish-kryeministrit të Monarkisë, Koço Kota?!
Të gjitha proceset e bujshme hetimore që Haznedari kryesoi që nga viti 1960, duke filluar me “Grupin armiqësor çam të Kundëradmiralit Teme Sejko”, “Grupin puçist në Ushtri të Beqir Ballukut, Petrit Dumes e Hito Çakos, ”, “Grupin sabotator në Ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit, Kiço Ngjelës, Vasil Katit”, etj., ku ai ka shkruar me dorën e tij për vlersimet që ka marrë për “punën e mire”, duke u nderuar me medalje dhe dekorata e tituj të lartë, si dhe shpërblimet financiare për çdo proces hetimor, që ishin baraz me rrogën vjetore të një nënpunësi të mesëm në regjimin komunist!
“Kam dhe një motër tjetër, Nevrez Uzuni. Burri i saj në fundin e vitit 1950, u cilësua si kulak dhe më vonë, siç jam njohur, për mos-denoncim të disa rrënjë pemëve, u dërgua 6 vjet në burg dhe në një operacion e sipër, në spital, ai vdiq. Motra, ka dy djem, të dy të organziuar me rininë. Njëri punon në Kuçovë, dhe tjetri, marangoz në Tiranë.
Ai rron tek unë së bashku me motrën. Dhe fare-fisi im ka qënë lidhur me Lëvizjen Komuniste. Unë kam dy kushërinj dëshmorë, Hasan Dishnicën, dhe Servet Agollin, dhe një kushëri tjetër të parë, si dëshmorë të L.A.N.Ç. Kam të dënuar dhe një kushëri tjetër, Selami Baruti, me 10 vjet, ish kapter xhandarmërie. Me këtë nuk kam pasur njohje, pasi ky ka rrojtur 10 vjet si xhandar në vënde të ndryshme, dhe mund të kem 20 vjet që se kam parë.
Kam pasur dhe një kushëri të mamasë fashist, Neki Starovën, të cilin, e ekzekutoi Lëvizja N.ÇL. në vitin 1942. Kam pasur dhe një kushëri të mamasë fashist, Neki Starovën, të cilin, e ekzekutoi Lëvizja N.ÇL. në vitin 1942. Gjithashtu dhe një kushëri i im i dytë, Xhevat Starova, ka qenë me armikun, të cilin kur kam qënë Prokuror, e kam gjykuar dhe ekzekutuar”.
Kështu shkruan në mes të tjerash në autobiografinë e tij (e cila ndodhet bashkangjitur dosjes së kartelës së oficerit), gjeneral-major, Nevzat Haznedari, ish-prokuror ushtarak dhe kryehetues i Ministrisë së Punëve të Brendëshme, i cili që nga janari i viti 1945 kur u gradua Kapiten i Parë, si shpërblim për aksionin e rrëmbimit të ish-kryeministrit Koço Kota në Selanik të Greqisë, e deri në fund të karrierës së tij si ushtarak i lartë pranë organeve të “Diktaturës së Proletariatit”, në Tiranë në vitin 1979, pak kohë pasi kishte hetuar “Grupin armiqësor në Ekonomi”, (me në krye dy anëtarët e Byrosë Politike dhe zv/kryeministrat Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi që u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan), është njohur si një nga hetuesit më të dhunshëm dhe tmerri i të dënuarëve politik në regjimin komunist të Enver Hoxhës.
Përveç aksionit të parë të tij, (atë të rrëmbimit në Greqi të ish-kryeministrit Koço Kota), që ishte dhe “prova e zjarrit” para Partisë, gjë e cila shënjoi fillimin e një karriere “brilante” të tij në rradhët e organeve të Ministrisë së Punëve të Brendëshme, si dhe proçesin hetimor ndaj “Grupit armiqësor në Ekonomi”, “skeda e punës” së gjeneral Haznedarit si hetues e kryehetues, është e mbushur edhe një sërë procesesh të tjera nga më të bujshme të historisë së regjimit komunist të Enver Hoxhës.
Si p.sh.: “Procesi i Kundër-admiralit të Flotës Luftarake-Detare, Teme Sejko”, “Procesi i Grupit puçist në Ushtri me në krye Beqir Ballukun”, etj., ku të gjitha mbjanë “vulën” e dorës së tij. Dhe për të gjitha këto, ashtu siç do të shohim në “Kartela e Oficerit”, ku bashkangjitur ndodhet edhe autobiografia e tij, gjeneral-major, Nevzat Haznedari, jo vetëm që është vlersuar për punë të mirë me stimuj moral, si fleta nderi, medalje dhe dekorata të larta, por ai është shpërblyer edhe materialisht me shumë të mëdha financiare pas çdo procesi hetimor ku ka marrë pjesë, të cilat kalonin pagën mesatare vjetore të një nënpunësi të thjeshtë në regjimin komunist të para viteve ’90-të.
Të gjitha këto janë të shkruara me dorën e tij si në “Kartelën e Oficerit” që ai e ka plotësuar me dorën e tij, ashtu dhe në autobiografinë personale që ndodhet bashkangjitur atij dokumenti, gjë të cilat ishin “normë” për çdo kuadër ushtarak dhe anëtar partie, i cili ishte i detyruar që t’i përgjigjej pyetësorit të atij formulari me rigorozitetin më të madh, duke shënuar aty çdo gjë që kishte bërë që nga dita që kishte lindur, si dhe biograftitë e rrethit të tij familjar, duke filluar nga bashkëshortja, fëmijët, etj., deri tek kushërinjtë e largët, shokët, kolegët, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij.
Po kështu, kuadri ushtarak dhe anëtari i partisë, aty në atë dosje duhet të deklaronte edhe të gjithë veprimtarinë e tij që nga dita që kishte lindur, si dhe: arsimimin, specializimet, vlersimet, shpërblimet, gradimet, kritikat, vërejtjet, dënimet, postet dhe funksionet e detyrat që kishte kryer e mbajtur, etj. etj., duke “mos i fshehur gjë Partisë”. E gjitha kjo “praktikë pune” ishte e huazuar nga Partia Komuniste Bolshevike e Leninit dhe Stalinit, të cilën Enver Hoxha e morri si shëmbull dhe e zbatoi pikë për pikë në të gjithë veprimtarinë e tij, që nga 8 nëntori i ’41-it kur erdhi në krye të Partisë Komuniste Shqiptare, e deri sa vdiq në prillin e ’85-ës.
Për më shumë se ç’përmbante “Kartela e Oficerit”, (me autobiografinë përkatëse) na njeh ky dokument arkivor që i përket dosjes së punës së gjeneral-major Nevzat Haznedarit, të cilin Memorie.al e publikon të plotë dhe për herë të parë, ashtu siç ndodhet në dosjen përkatëse në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendëshme në Tiranë.
Dosja e punës e gjeneral-major, Nevzat Haznedarit, 1944 -1979
KARTELA PERSONALE E OFICERIT
Emëri: Nevzat
Atësija: Ahmet
Mbiemri: Haznedari
TË DHËNA PERSONALE
Datëlindja, dita, muaji, vjeti: 25.XII.1915
Vendëlindja, Katundi, lokaliteti, rrethi, lagja, qyteti: Korçë, lokaliteti i qëndrës.
Kombësija: Shqiptare
Nënshtetësija: Shqiptare
Gjuha Amtare: Shqipja
Çfarë gjuhe din, lexon, dhe flet: Flas dhe shkruaj frëngjisht, flas dhe shkruaj italisht, dhe pjesërisht flas dhe shkruaj rusisht.
Profesioni civil dhe specialiteti: Mësues
Me se janë marrë prindërit: Para okupacionit të Prillit 1939, Gjatë periudhës së okupacionit prej 1939 deri në Nëndor 1944, Mbas okupacionit italo-gjerman: Babai merrej me administrimin e një shtëpie me qera, dhe ka vdekur në 1936, ndërsa Mamaja është shtëpiake.
A e kanë humbur të drejtën e zgjedhjes nga gjyqet, ose kush nga të afërmit e tu (Babai, nëna, motër, vëlla, gruaja, dhe të afërmit e saj, kur dhe përse, kur e ka plotësuar, ose kur e plotësojnë dënimin) në qoftë se i kanë fituar të drejtat, kur i kanë fituar: Askush nuk e ka humbur të drejtën e zgjedhjes nga gjyqet.
A kanë qënë ose janë, kush nga të afërmit të farë e fisit tënd në Partinë e Punës së Shqipërisë, ose në Parti të tjera, në qoftë se janë përjashtuar kur dhe përse: Në Partinë e Punës kam një kunat, Namik Kacidha, dhe dy djemtë e kushërirës së parë.
Origjina shoqërore: Jam prej origjine çifligare.
Gjëndja ekonomike e familjes, deri në 1939 në kohën e okupacionit, mbas okupacionit italo-gjerman: Vetëm një shtëpia dy dhomëshe dhe rrogën si oficer.
Kultura ushtarake: Çfarë kursesh ose shkollash ushtarake ke mbaruar në Shqipëri dhe kur? Çfarë kursesh ose shkollash ushtarake ke mbaruar në BRSS dhe kur? Çfarë kursesh ose shkollash ushtarake ke mbaruar në Jugosllavi dhe kur? Çfarë kursesh ose shkollash ushtarake ke mbaruar në shtetet e tjera, dhe kur: Nuk kam mbaruar kurse ose shkolla ushtarake, nuk kam mbaruar kurse ose akademi ushtarake në BRSS, nuk kam mbaruar kurse ose akademi ushtarake në Jugosllavi, nuk kam mbaruar kurse ose akademi ushtarake në shtete të tjera.
Kultura e përgjithshme: Shkollë fillore, shkollë e mesme, shkollë e lartë, shkollë speciale, shkollë politike: Kam mbaruar shkollën fillore në vitet 1922-1927 në Korçë, 5 klasë, pa bursë, kam mbaruar Normalen e Elbasanit, në vitet 1935-1939, 5 klasë, kam mbaruar një kurs në Bashkimin Sovjetik në 3.2.1951 deri në 27.2.1952.
A ke qënë antar i Rinisë Komuniste, ose i B.R.P.SH. prej cilës kohë, e deri në cilën kohë ke dalë. Nr. e çertifikatës të antarësisë: Nuk kam qënë antar i rinisë komuniste, dhe as i B.R.P.SH.
Gjëndja në Parti, stazhin e hyrjes në Parti, Nr. e teserës së Partisë, ose të çertifikatës së kandidatit: Jam pranuar në Parti në datën 17 Qershor 1942, Nr. i teserës…………
Në çfarë organizate partie, je bërë antar i Partisë Komuniste, ose i Partisë së Punës: Jam bërë antar i Partisë Komuniste në një nga organizatat e Komitetit Qëndror të Korçës.
Çfarë dënime Partie ke, kur i ke marrë, dhe nëse të janë hequr, kur: Nuk kam marrë dënime nga Partia. (Shif shtojcë fletë ankesën)
Nëse je përjashtuar nga Partia, kur dhe përse: Nuk jam përjashtuar nga Partia.
A ke qënë antar i Partisë Fashiste, Ballit Kombëtar, a ke marrë pjesë në formacionet armike, ku dhe kur, (Nga ç’datë e deri në ç’datë,) dhe çfarë funksioni ke pasur? A ke qënë në luftë kundër Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, dhe cili nga të afërmit e tu, ose të gruas tënde, kanë marrë pjesë në këto organziata: Nuk kam qënë antar i Partisë Fashiste, dhe nuk kam marrë pjesë në formacione luftarake. Nuk kam marrë pjesë në luftë kundër Ushtrisë Nacional-Çlirimtare. Në këto organizata ka marrë pjesë një kushëriri im i parë, Selami Baruti, dhe një kushëri i mëmës, Neki Starova, si fashist i vrarë si armik i Nacional-Çlirimtares në vitin 1942, në Pogradec.
Nëse ke qënë antar i organziatave të tjera, kur dhe përse ke dalë: Nuk kam qënë antar i organizatave të tjera.
A je gjykuar, kur dhe çfarë dënimi ke marrë. A ke humbur të drejtën e zgjedhjeve dhe përse: Nuk jam gjykuar dhe nuk jam dënuar. Nuk kam humbur të drejtën e zgjedhjeve.
A ke qënë jashtë shtetit, ju, ose babai, nëna, motra, vëllai, gruaja, dhe të afërmit e saj, ose të tjerët. Ku ndodhen, prej së cilës kohë, përse kanë ikur, me se merren, dhe çlidhje ke me ta: Kam qënë në Itali në 1939, sepse kam përcjellë motrën, në Greqi, kam qënë në vitin 1944 për punë partie, në Jugosllavi, kam qënë dy herë për punë zyrtare, në Bashkimin Sovjetik, kam qënë një herë për studime në vitet 1951-1952, kam dy motra në Amerikë, njëra ka ikur në 1929, ndërsa tjetra në 1939, të dyja të martuara atje. Kam vëllain e gruas në Rumani për studime, Namik Kacidhja.
Gjëndja familjare, beqar, i martuar, i ndarë, i ve. Emri, mbiemri, atësija e gruas, datëlindja, mosha, dhe emrat e fëmijëve. Emrat dhe datëlindjet e pjestarëve që kenë ngarkim, dhe nëse janë në gjëndje të punojnë: I martuar me Hiqmete Rami Kacidhja, datëlindje 1923, në gjëndje pune. I biri, Maksim, datëlindje 1948, e bija, Natasha, datëlindje 1946, dhe mamaja, Myzireja, lindur në 1880, s’është në gjëndje pune. Kam në ngarkim, mamanë, dhe dy fëmijët. Në 13.5.1954. lind vajza me emrin, Shpresa.
A ke marrë pjesë në Lëvizjen Nacional-Çlirimtare (prej dhe deri) dhe në çfarë organizate: Kam marrë pjesë në lëvizje, në vitin 1943, me Grupin Komunist të Korçës, dhe deri sa u bëra A.P. nuk e ndërpreva aktivitetin tim.
DHËNIA E GRADËS SË ZAKONSHME
Dita, muaji, viti: 1.1.1945. 1.1.1948. 1.9.1951. 1.12.1955. 6.7.1961.
Çfarë grade ushtarake: Kapiten i I-rë, Major, Nën-Kolonel, Kolonel, 7 muaj para afatit, Gjeneral-Major. Nr. Urdhërit të Ministrisë së M. Popullore. Nr. të Dekretit të Presidumit të Kuvëndit Popullor: Nr 1456 dt. 16.1.1945. Nr. 3326 dt. 7.6.1948. Nr. 3717 dt. 26.11.1955. Nr. 3380 dt. 6.7.1961.
Ku, kur, dhe sa herë je plagosur ose kontizuar, me cilin repart në luftime dhe operacione: Jam plagosur një herë në luftime në vitin 1943, në krahun e djathtë, në luftime me gjermanët në qytetin e Leskovikut.
SHËRBIMI NË RRJESHTAT PARTIZANE
Data, fillimi, mbarimi. Kur ke marrë pjesë në rrjeshtat partizane, dhe në cilën njësi (Çetë, Batalion, Brigadë) vullnetarisht apo i mobilizuar. Çfarë përgjegjësie ke pasur: 7.3.1943 – 20.5.1943, pranë Shtabit të Qarkut Korçë, vullnetar, 10.5.1943 – 12.7.1943, pranë Shtabit të Qarkut Korçë, Komandant vëndi në Leskovik, 12.7.1943 – 16.8.1943, pranë Shtabit të Qarkut Korçë, në dispozicion, 16.8.1943 – 1.1.1944, pranë Shtabit të Përgjithshëm, si Zv-Komandant i Qarkut të Korçës, 1.1.1944 – 2.2.1944, në Batalionin e Gorë-Oparit, si Komandant Kompanie, 2.2.1944 – 4.4.1944, në Batalionin “Skënder Çaçi”, si Zv-Komandant Batalioni, 4.4.1944 – 10.3.1945, pranë Shtabit të Përgjithshëm, si Zv-Komandant i Qarkut të Korçës, 10.3.1945 – 2.5.1945, në Komandën e Përgjithshme, si Komandant Qarku, dhe Prokuror.
PUNA DHE PËRGJEGJËSIA QË KE PASUR NË, ENTE, DIKASTERE, FABRIKA, UZINA CIVILE, QË NË FILLIM TË PUNËS TËNDE
Çfarë dikastere, ndërmarrje, familje, ose ekonominë tënde, ke punuar me rrogë, sa kohë, dhe çfarë përgjegjësie dhe specialiteti, ke pasur. Emërimi i dikastereve, dhe ndërmarrjeve shkollore, përgjegjësia, si dhe data e fillimit, dhe mbarimit: Në qytetin e Korçës, nxënës, në vitet 1922 – 1927, në Liceun e Korçës, student, në vitet 1927 – 1931, në Shkollën Industriale të Korçës, student, në vitet 1931 – 1933, pranë familjes në Korçë, kam bërë punë të ndryshme, në vitet 1933 – 1935, në Normalen e Elbasanit, student, në vitet 1935 – 1939, pranë familjes në Korçë, pa punë, në maj 1939 – korrik 1939, i burgosur për aktivitet politik kundër fashizmit, në korrik 1939 – shtator 1939, si arsimtar në Leskovik dhe në rrethe, mësues, në 27.12.1939 – 1.3.1943.
PUNA DHE SHËRBIMI NË FORCIME TË PARTISË DHE ORGANIZATA SHOQËRORE
Çfarë përgjegjësie ke pasur në Parti, Pushtet, në Organziatat e Masave, dhe sa kohë. Emërtimi i Përgjegjësisë, emërtimi i organizatës, koha e fillimit dhe mbarimit: Antar Byroje, në Organizatën e Gjykatës së Lartë Ushtarake, maj 1946 – tetor 1948, Antar Byroje, në Organizatën e Mobilizimit, janar 1950 – shkurt 1950, Antar Byroje, në Organizatën Nr. 5, shkurt 1950 – shtator 1951.
SHËRBIMI NË USHTRINË POPULLORE
Në cilën njësi, dhe repartee të ushtrisë popullore, ke shërbyer, çfarë përgjegjësie ke pasur, dhe sa kohë. Nr. i urdhërave mbi transferimin ose caktimin. Data e fillimit dhe mbarimit, emërtimi i njësive dhe reparteve ushtarake, përgjegjësia që ke pasur, nr. dhe data e urdhërit: 9.5.1945 – 10.4.1946, në Komandën e Përgjithshme, si Komandant Qarku dhe Prokuror, 10.4.1946 – 12.2.1949, në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, si Prokuror i Gjykatës së Lartë Ushtarake, Nr. 07.706/2 10.4.1946 – 12.2.1949 – 3.2.1950, në Drejtorinë Politike, si shef i Degës së Botimeve, Nr 07.921/5, 3.2.1950 – 20.3.1950, në Drejtorinë e Organizimin dhe Mobilizimit, si shef seksioni, Nr. 07.231 30.3.1950 – 3.2.1951, në Ministrinë e Punëve të Brëndshme, si Kryetar Dege, Nr 07.745. 3.2.1951 -11.3.1952, në dispozicion, për studime në BRSS, Nr. 52/8. 11.3.1951 – 15.5.1952, në Ministrinë e Punëve të Brëndshme, si Komandant Shërbimi, Nr. 1596. 15.5.1952 – 1.5.1962, në Ministrinë e Punëve të Brëndshme, si Kryetar i Degës së VII (Hetuesisë), Nr. 4221.
Nga data 1.1.1959, shpërblehet me rrogën bazë 9500 lekë, Nr. 499. 1.5.1962 – 1.6.1964. Drejtoria e Dytë, lekë 9500, si Zv / Drejtor dhe Kryetar i Degës së VII, Nr. 1056. 1.6.1964 – 1.4.1967. Drejtoria e Dytë, lekë 9500, si Zv / Drejtor i Lirë, Nr. 693. Në datën 1.5.1966, shpërblehet me 1400 lekë, Nr. 690. 1.4.1967 – 15.4.1974, Dega e Punëve të Brëndshme, në Elbasan, si Kryetar Dege, Nr. 132. Në datën 1.6.1967, shpërblehet me 1200 lekë, Nr. 231. 16.4.1974 – 15.8.1975, në Drejtorinë e Hetuesisë së MPB, si Këshilltar, Vendim Nr. 35.
Shpërblehet me 90 përqind të pagës. 16.8.1975 – 31.1.1977, në Ministrinë e Punëve të Brëndshme, si Kryeinspektor, me pagë 1200 lekë, Vendim Nr. 171. Në datën 1.4.1976, shpërblehet me pagë 1000 lekë, Vendim Nr. 1503. 1.2.1977 – 15.1.1979, në Drejtorinë e Parë, si Kryetar i Degës së Veçantë, Vendimet Nr. 36. dhe 84/2. 15.1.1979. nxirret në rezervë, për arsye të daljes në pension, Vendimet Nr. 342. dhe 1629/2.
LAVDËRIME DHE SHPËRBLIME
Kush urdhëron, urdhëri me nr. dhe datë, arsyeja lavdërimit dhe shpërblimit: Ministri, 9733, 27.12.1952. 4000 lekë për merita pune, ministri, 444, 27.1.1954. 4000 lekë për merita pune, ministri, 3280, 23.1.1957. 5000 lekë për rezultate të mira në sektorin e punës së tij, ministri, 2691, 10.11.1958, 7000 lekë për ndihmë ekonomike, ministri, 166, 30.1.1959. i dërgohen 200 marka, për të blerë barëra, pasi është shtruar si i sëmurë, në Republikën Demokratike Gjermane, Gjeneral Ziçishti, urdhër s’ka, 25.12.1958.
Lavdërohet për merita pune gjatë vitit 1958, ministri, 3505, 19.12.1959. 5000 lekë për rezultate të mira në punë, Zv / Ministri Ziçishti, 15.11.1960, ka kryer në përgjithësi mirë, detyrat gjatë vitit 1960, ministri, 2110, 4.9.1962. 5000 lekë për punë të mirë, ministri, 1034, 31.7.1965. 5000 lekë shpërblim, ministri, 25.12.1965, e përshëndet dhe e uron me rastin e 50 vjetorit të ditëlindjes, ministri, 25.12.1975, letër urimi me rastin e 60 vjetorit të ditëlindjes.
DËNIME GJYQËSORE, DISIPLINORE, DHE, PARTIE
Kush urdhëron, urdhëri me nr. dhe datë, lloji dhe arsyet e dënimit, urdhëri i shlyerjes me nr. dhe datë: Ministri, 01 – 27. 27.3.1956, vërejtje me shënim në biografi për këto arsye: megjithëse i ka konstatuar këto të meta, në sektorin operativ, nuk e ka bërë çështje të udhëheqjes së ministrisë, nuk ka marrë të gjitha masat për të përdorur materialet që disponoheshin në hetuesi, dhe hetuesia e tyre ka shkuar shumë ngadalë (në lidhje me njerëzit e ardhur nga jashtë shtetit) ministri, 935. 26.6.1963, i shtyhet afati i dekorimit me urdhërin e klasit të II, me një vit, 4025. 17 – 65. zv/ministri Shehu, 2662. 3.6.1971, drejtuar Drejtorisë së Parë, vërejtje për drejtimin dhe udhëheqjen e zhdërvjelltë të vartësve të tij, për përforcimin e kontrollit mbi mbikëqyrjen e problemeve, me karakter të mprehtë armiqësor, (lidhur me ndjekjen e një objekti përpunimi në Elbasan, për në Greqi).
Autobiografi
N/kolonel Nevzat Haznedari, i biri i Ahmetit, dhe i Myniresë, lindur në 25.12.1915 në Korçë, dhe banues në atë qytet. Edhe babai dhe gjyshi, janë lindur dhe rritur në atë qytet. Që nga viti 1946, i transferuar me shërbim, banoj familjarisht në Tiranë. Jam me kombësi dhe nënshtetësi shqiptare, dhe shqipen e kam gjuhë amtare.
Rrjedh nga një origjinë çifligare pasi gjyshi im, ka pasur nëj çiflik në Greqi, dhe një tjetër në një fshat të Korçës. Këtë pasuri e ka pasur dhe babai im, deri në vitin 1913, mbasi në atë kohë, me vendosjen e kufirit greko-shqiptar, pasuria e Greqisë ngeli përtej kufirit, ndërsa pasurinë në Shqipëri e shiti duke nga ngelur vetëm një shtëpi e madhe në Korçë. Në këtë shtëpi, pjesërisht rronim vetë, ndërsa pjesën tjetër e jepnim me qera. Babai im nuk ka punuar kurrë, ai rronte vetëm me të ardhurat e mallit që kishte, ndërsa në këtë kohë, ai ndihmohej nga vëllezërit e mamasë (kunetërit e tij) dhe me qeranë e shtëpisë. Gjithashtu pas vitit 1922, vëllai im filloi punë dhe ndihmonte shtëpinë dhe nga viti 1929, jemi ndihmuar nga motrat e mija.
Ato shkuan në Amerikë me burrat e tyre, njëra në vitin 1929, dhe tjetra në 1939. Ato na dërgonin në atë kohë, ndihma në të holla. Mamaja është marrë vazhdimisht, dhe merret edhe sot, me punë shtëpie. Deri në vitin 1913 prindërit e mi kanë pasur prona, dhe kanë rrojtur mirë, ndërsa pas këtij viti, kur unë akoma nuk kisha lindur, kanë mbetur me 1 shtëpi të cilën ua mori fajdexhiu në vitin 1929, duke na mbetur neve nga kjo shtëpi vetëm dy dhoma, të cilat i përdornim, kur kishim krejt shtëpinë si qilare. Në këto dy dhoma, familja ime ka rrojtur që nga viti 1913, dhe deri mbas çlirimit të vëndit, që unë mora një shtëpi tjetër.
Asnjë burim tjetër nuk kemi pasur përveç ndihmave të dajallarëve të mij, rrogës së të vëllait, dhe të motrave që na dërgonin nga Amerika. Kam mbaruar në qytetin e Korçës në vitin 1927, shkollën fillore, dhe pastaj vazhdova Liceun e Korçës deri në vitin 1931. Si nuk munda të ndiqja liceun, për arsye ekonomike, u futa në Shkollën Industriale të Korçës, por edhe kjo u mbyll në vitin 1933.
Më pas mbeta pa shkollë dhe u mora me punë të ndryshme krahu, dhe për një kohë u sëmura. Në vitin 1935, shkova në Normalen e Elbasanit, dhe i ndihmuar nga motrat, e mbarova atë në vitin 1939, në muajin maj. Kam vazhduar dhe një kurs një vjeçar në Bashkimin Sovjetik në vitet 1951 – 1952.
Si mbarova shkollën Normale, ndenja disa muaj pa u emrëruar mësues, sikurse shokët e mij, pasi u burgosa si antifashist në korrik të 1939, deri në shtator 1939, dhe nuk më emëronin mësues derisa erdha vetë në Tiranë. Me ndërmjetësimin e Ahmet Duhanxhiut, ish profesor i imi në Elbasan, dhe atëherë shef i shkollave fillore në Ministrinë e Arsimit, u emërova mësues, ku qëndrova deri në mbarimin e vitit 1942.
Rrethi im shoqëror në të kaluarën qysh nga koha e Zogut, dhe deri sa filloi L.A.N.Ç., kanë qënë të gjithë shokët e lagjes me të cilët isha rritur që në fëmijëri, dhe me të cilët kisha studiuar edhe në shkolla, si Sami dhe Nazmi Tyxhari, (vëllezër) të dy të lidhur me Lëvizjen qysh nga fillimi. Por kur Lëvizja filloi të zgjerohej, i pari shkoi në Itali, ku ishte student, dhe sot ndodhet atje, ndërsa i dyti u shkëput nga Lëvizja dhe ndenji indiferent, deri sa në gusht të vitit 1944, i thirrur nga unë, erdhi si mësues dhe qëndroi në zonat e lira, sikurse është dhe sot.
Familja e tyre sot, për faktin se janë prekur nga reforma, duhet të qëndrojë mirë. Gjithashtu kam pasur si shok të ngushtë në Normalen e Elbasanit, edhe një Telemak Kona, nga Berati. Me këtë banoja në një dhomë, por edhe ky sot ndodhet në Itali, ku kishte shkuar për studime. Unë nuk jam takuar me këta dhe as kam korresponduar që nga viti 1941. Shok të ngushtë kam patur në të kaluarën, dhe kam, Nuri Resnjën (antar partie). Në organizata dhe në formacione armike nuk kamë qënë.
Në Lëvizjen Nacional-Çlirimtare, jam lidhur qysh në fillim dhe pikërisht mbaj mënd që në korrik të vitit 1941, më ka folur duke më njohur si antifashist, mbasi kurdohera bisedonim për robërinë fashiste që na kishte pllakosur. Shoku Nuri Resnja, dhe më vonë shoku Taqi Skëndi, më kanë folur për Grupin Komunist të Korçës, dhe për detyrat që u dilnin përpara komunistave për t’i kryer. Unë u gëzova dhe pranova që të kryeja çdo gjë, kështu që shoku Taqi Skëndi, Nuri Resnja, Sami Tyxhari, dhe unë, formuam një grup që drejtohej nga Taqi Skëndi. Ne bënim mbledhje të rregullta, ndanim trakte, bënin propagandë dhe luftë, kundër të rinjve të Anastas Lulos, nga të cilët kishte shumë në lagjen ku banoja unë. Të gjitha detyrat në atë kohë i kam kryer me qejf.
Kështu vazhdova deri në tetor, dhe pastaj u ngarkova të punoj në Leskovik, ku isha mësues. Duke punuar sipas udhëzimeve të partisë, të gjithë punët m’i ngarkonte Taqi Skëndi, me të cilin mbaja dhe kontakte. Në rreshtat e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare kam hyrë me urdhër të Partisë në 7 mars 1943, si partizan i thjeshtë i Shtabit të Qarkut të Korçës. Në maj të vitit 1943, jam caktuar si komandant i vëndit në Leskovik, i cili ishte çliruar.
Me ardhjen e gjermanëve, ne u larguam dhe qëndruam për disa ditë në zonat e lira të Leskovikut. Në gusht të vitit 1943, kur po formohej Brigada e Parë në Vithkuq, shoku Nexhip Vinçani, më njoftoi se isha caktuar si zv/komandant i Qarkut të Korçës. Disa ditë para operacionit të janarit, u caktova komandant i një njësiti gueril, të gjithë A.P. dhe operonim në prapavijat e armikut. Mbas operacionit të pare, si ndenja pak kohë në batalionet territoriale me Kolonel Riza Kodhelin, u caktova zv/ komisar i Batalionit “Skënder Çaçi”, ku qëndrova deri në prill të 1944. Në atë kohë u thirra dhe u caktova përsëri zv/komandant i Qarkut të Korçës dhe në mars 1945, u caktova duke qënë komandant i Qarkut edhe Prokuror i Popullit në Korçë, ku kam qëndruar deri në datën 10.4.1946.
Me urdhër Nr 07.706/2 të datës 10.4.1946, të Minsitrisë së Mbrojtjes Popullore, jam caktuar si Prokuror në Gjykatën e Lartë Ushtarake, dhe kam ardhur në Tiranë. Si Prokuror i Gjykatës së Lartë kam qëndruar deri në shkurt 1949 dhe jam transferuar me urdhër Nr 07.921/5 të datës 12.2.1949, të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, në Drejtorinë Politike, si shef seksioni të botimeve dhe pastaj jam transefruar në Drejtorinë e Organizim – Mobilizimit me urdhër Nr. 07.231, datë 3.2.1950.
Si kryetar i Degës së Mobilizimit kam qëndruar deri në 30.3.1950, që kam ardhur në Ministrinë e Punëve të Brëndshme, me urdhër 07.745. datë 30.3.1950, si kryetar Dege. Prej datës 3.2.1951, deri në 11.3.1952, kam qëndruar në dispozicion të kuadrit me urdhër 32(8) datë 6.6.1953, duke kryer studime në Bashkimin Sovjetik, dhe me komandim shërbimi datë 1.4.1952. jam caktuar kryetar Dege.
Kam marrë pjesë në mjaft luftime që kanë bërë repartet e Shtabit të Qarkut Korçë, batalionin “Skënder Çaçi”, dhe njësitet guerile, që unë kam komanduar, kundra italo-gjermanëve dhe tradhtarëve të vëndit. Nuk jam shkëputur, dhe as zënë rob, duke qënë në rreshtat e Lëvizjes Nacional-Çlirimtare.
Gradën e parë, e kam marrë në datën 1 janar 1945, si Kapiten i Parë, me urdhër Nr. 1456-13, të datës 16.8.1945. Major jam graduar në 1 janar të vitit 1948, me urdhër 3326, datë 7.6.1948, dhe Nën – Kolonel jam graduar në 1.9.1951, me urdhër 1803, datë 4.9.1951. Betimin ushtarak e kam bërë në vitin 1946 në Shtëpinë e Oficerëve. Mbaj mënd që në korrikun e 1941, Shoku Nuri Resnja, dhe më vonë shoku Taqi Skëndi, më kanë folur për Grupin Komunist të Korçës. Në dhjetor të vitit 1941, ose janar 1942, u thirra nga Taqi Skëndi dhe erdha nga Leskoviku për në Korçë.
Më mori në një mbledhje ku ishin të pranishëm shokët Raqi Qirinxhi (dëshmor) dhe Nesti Dushku (dëshmor). Aty ata më komunikuan se isha bërë antar Partie. Por në dokumentat e mia, unë kam shënuar se jam bërë antar partie në 17 qershor 1942, pas pushimit të shkollave. Kam qënë antar Byroje i Organziatës së Gjykatës së Lartë në vitet 1945 e deri në 1948. Më pas po antar Byroje në Ministrinë e Brëndshme, dhe sot jam antar Byroje në Organizatën Nr. 17. Nuk jam dënuar nga Partia.
Jam i martuar, dhe në familje kam gruan Hiqmeten, nënën Mynyren, dhe dy fëmijët, Natasha dhe Maksimin. Gruaja ime ka qënë nënpunëse, por tani nuk punon dot. Ajo mban fëmijët, ndërsa nëna plakë bën ndonjë punë shtëpie.
Gruaja është 30 vjeç, ndërsa nëna 73 vjeç, dhe të gjithë i kam unë në ngarkim. Gruaja, është e bija e Qani Kacidhës nga Korça, dhe e Lytfije Hasanajt, po nga Korça. Ajo ka dy vëllezër, Namik Kacidhja, 29 vjeç, që ka kryer studimet jashtë shteit, dhe sot është inxhinier në hekurudhë, dhe Drin Kacidhja, ish antar partie dhe tani i pezulluar (nuk e di përse), 26 vjeç dhe shef seksioni në Ministrinë e Industrisë. Ka dhe një motër, Violeta, vjeç 19, studente dhe e organizuar me Bashkimin e Rinisë.
Familja e gruas ka qënë e lidhur me Lëvizjen dhe kanë një djalë dëshmor, Selaudin Kacidhja, të vrarë nga ballistët në vitin 1944. Nëna e gruas, ka një vëlla në burg, të cilin e kam gjykuar unë si Prokuror, me 10 vjet si armik. Edhe familja ime ka qënë e lidhur me Lëvizjen Nacional-Çlirimtare. Kam një vëlla të ndarë, i cili rron familjarisht në Korçë, dhe që punon në financën e qytetit. Kam dhe dy motra, Ikbalen dhe Xhekon, të cilat janë në Amerikë, të martuara prej vitesh.
E para ka ikur në vitin 1929 në Amerikë me burrin, dhe ka ardhur vetëm një herë në 1933, ndërsa e dyta ka ikur në 1939, dhe nuk ka ardhur fare. Shumë rrallë ime më, ka marë ndonjë letër prej tyre, dhe u ka dërguar me postë, ndërsa që nga viti 1948, unë nuk kam marrë asnjë letër. Kam marrë vesh që burrat e tyre punojnë, punë krahu. Kam dhe një motër tjetër Nevrez Uzuni.
Burri i saj në fundin e vitit 1950, u cilësua si kulak dhe më vonë, siç jam njohur, për mos-denoncim të disa rrënjë pemëve, u dërgua 6 vjet në burg dhe në një operacion e sipër, në spital, ai vdiq. Motra, ka dy djem, të dy të organziuar me rininë. Njëri punon në Kuçovë, dhe tjetri, marangoz në Tiranë. Ai rron tek unë së bashku me motrën. Dhe fare-fisi im ka qënë lidhur me Lëvizjen Komuniste. Unë kam dy kushërinj dëshmorë, Hasan Dishnicën, dhe Servet Agollin, dhe një kushëri tjetër të parë, si dëshmorë të L.A.N.Ç.
Kam të dënuar dhe një kushëri tjetër, Selami Baruti, me 10 vjet, ish kapter xhandarmërie. Me këtë nuk kam pasur njohje, pasi ky ka rrojtur 10 vjet si xhandar në vënde të ndryshme, dhe mund të kem 20 vjet që se kam parë. Kam pasur dhe një kushëri të mamasë fashist, Neki Starovën, të cilin, e ekzekutoi Lëvizja N.ÇL. në vitin 1942. Gjithashtu dhe një kushëri i im i dytë, Xhevat Starova, ka qenë me armikun, të cilin kur kam qënë Prokuror, e kam gjykuar dhe ekzekutuar.
Janë antërë partie, fëmijët e kushërirës sime të pare, Jakup dhe Hiqmet Frashëri. Gjithashut janë antërë partie, fëmijët e kushëririt të parë të babait, Emin Haznedari, ish antar i Byrosë së Komitetit të Partisë në Durrës. Ndërsa tjetri (emrin ja kam harruar, pasi shumë rrallë takohemi) është kryetar dege në Portin e Durrësit.
Një vëlla i tyre, Sabaudin Haznedari, (i përjashtuar nga Partia, arsyen nuk e di) u arratis nga vëndi në 1950. Kam qënë disa ditë në Itali (Napoli), në vitin 1939, pasi kam përcjellë motrën që shkonte në Amerikë tek burri i saj. Në vitin 1944 (dhjetor) kam qënë në Selanik të Greqisë, i udhëzuar me punë partie, dhe dy herë me punë zyrtare në Beograd. Një herë në dhjetor 1946, dhe herën tjetër në janar 1947, kur isha Prokuror i Ushtrisë. Në vitin 1951-1952, kam qënë me studime në Bashkimin Sovjetik
Mendoj se punën e kam kryer mirë dhe mendoj se jap shumë në sektorin ku punoj. Pretendoj Urdhërin e Flamurit, të cilin e kam kërkuar me dokumenta të rregullta, dhe më është dhënë përgjigje se dokumentat i kam paraqitur jashtë afatit. Por ky nuk është faji im, pasi kam qënë me studime në B.R.S.S., dhe nuk jam vënë në dijeni.
E pretendoj këtë gjë pasi këtë urdhër, e kanë marrë dhe disa shokë të mi, të cilët nuk kanë bërë asgjë më shumë se unë. Mbaj medaljen e kujtimit Nr.293 datë 14.11.1945, medaljen e çlirimit, Nr.3960 datë 21.6.1946, medaljen e trimërisë, Nr.290 datë 7 prill 1947, urdhërin Ylli Partizan i klasit të III, Nr.128 datë 8.5.1951, dhe urdhërin e shërbimit ushtarak Nr.141 datë 30.7.1951. Jam shpërblyer me rroga nga udhëheqja dhe dikasteri. Jam mirë me shëndet dhe nuk kam qënë asnjëherë në spitale ose në qëndra pushimi.
Tiranë më 20.5.1953
N/Kolonel Nevzat Haznedari
Memorie.al