Autoritarizëm, rrahje e civilëve… Si do të reagojë BE? Do të picërrojë sytë

Nga Augustin Palokaj/ gazeta kroate Jutarnji List

Ka dy ditë që Beogradi është lajmi kryesor në shumë media europiane. Jo për shkak të grindjeve të brendshme politike ose për faktin se shteti ka mbetur pa opozitë. Ishte lajmi kryesor sepse protestat që shpërthyen kishin lidhje me masat që ndërmorri qeveria për të penguar përhapjen e koronavirusit.

Edhe shtetet e tjera janë në dilemë se çfarë duhet bërë nëse ndodh vala e dytë e infektimit. Janë dakord se nuk guxojnë tu kthehen masave të mbylljes së plotë, sepse këtë nuk mund ta përballojnë më nga pikëpamja ekonomike, por mendojnë se janë më të mençur se para tre muajsh dhe se do të kenë më shumë kapacitete për përkujdesjen e të sëmurëve.

Reaksionim e qytetarëve të Beogradit shumë vetë e kuptuan si ngritje krye kundër masave që mund të ndodhin edhe në shtetet e tjera të Europës.

Por, ata që ndjekin zhvillimin e ngjarjeve në Serbi e dinë se këto trazira kanë një prapavijë politike. Njerëzve u ka ardhur në majë të hundës pushteti që luan me ta. Në harkun e disa ditëve qeveritarët në fillim deklaruan se Serbia “e ka mundur koronavirusin më mirë se të gjithë” për të kaluar pastaj në atë se “nëse nuk ndërmerren masa të ashpra kërcënon kolapsi”. Ndërsa zhvillohej fushata elektorale, ekzistonte besimi se rreziku kishte kaluar. Tani kur zgjedhjet u mbajtën dhe përfunduan, rreziku na qënka përsëri këtu.

Ndërkohë, në Serbi kundërshtarët e Aleksandër Vuçiçit gënjejnë veten nëse mendojnë se BE-ja do ta marrë anën e tyre dhe do të dënojë dhunën që kreu policia kundër civilëve.

Ndërsa opozita dhe kundërshtarët e Aleksandër Vuçiçit bisedojnë sesi të vazhdojnë me protestat, ai vetë merr pjesë në konferencën “E ardhmja e Europës pa censurë”. Tamam tema e duhur për të dhe për ta diskutuar me kryeministrin hungarez Viktor Orban dhe atë slloven Janez Jansha. Një ditë më vonë Aleksandër Vuçiçi do të pritet në Paris nga presidenti francez Emanuel Makron. Pas kësaj do të marrë pjesë në një videokonferencë me Makronin dhe kancelaren gjermane Anxhela Merkel. E gjithë kjo në kuadër të përgatitjeve për vazhdimin e dialogut që do të zhvillohet të dielën me 12 korrik në Bruksel.

Aleksandër Vuçiçi është i rëndësishëm për Bashkimin Europian, por edhe për Rusinë e Kinën, edhe Turqinë e Iranin si dhe Bjellorusinë dhe Algjerinë. Ose është partner me rëndësi, ose llogarisin te ai në zgjidhje e problemeve të vështira siç është normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Meqënëse ai ka raporte të shkëlqyera me liderë që nuk kanë fort mirëkuptim për njerëzit që protestojnë kundër pushtetit, ndërsa liderët europianë dhe ata amerikanë ka kohë që kanë hequr dorë nga promovimi i vlerave demokratike, përveç deklaratave, Vuçiçi mund të llogarisë te mbështetja e plotë dhe e pa rezervë e bashkësisë ndërkombëtare.

Bashkimi Europian do të jetë i pari në këtë. Për atë Vuçiçi ka rëndësi dhe ai e di mirë një gjë të tillë. Sesa BE-ja është e interesuar për marrëdhënie të mira me Vuçiçin e tregon edhe shembulli i vënies së Serbisë në listën e shteteve që rekomandohen për heqjen e kufizimeve të udhëtimeve të qytetarëve të saj në vendet e BE-së. Ka mundësi që edhe vetë Vuçiçi të jetë çuditur nga kjo sepse e dinte mirë se përhapja e koronavirusit në vendin e tij po merrte përmasa dramatike dhe natyrisht, shumica e shteteve të BE-së, nuk i’a vuri veshin këtij rekomandimi. Vetëm Hungaria e dëgjoi këtë “rekomandim” dhe i hoqi kufizimet për Serbinë, por këtë ndoshta këtë e bëri për shkak të hungarezëve që jetojnë në Vojvodinë.

Gabim ose jo, në BE mendojnë se është pikërisht Vuçiçi njeriu që u nevojitet për zgjidhjen e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Se përveç tij askush tjetër nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, dhe as do të mundet në një të ardhme të afërt. Për këtë duket qartë se atyre u duhet një Vuçiç i fortë dhe për këtë tolerojnë rrëshqitjen e Serbisë për nga totalitarizmi. Vuçiçin në BE e kritikojnë disa qarqe, por ata janë kryesisht nga taborri kundërshtar politik, ose të qendrës së majtë ose liberalë. Ka mbështetjen e Bashkimit Europian dhe për më shumë të Partisë Popullore europianë (EPP) si grumbullimi më i madh politik.

Por gjërat edhe mund të ndryshojnë. Nga njëra anë në BE nuk e kanë fshehur kurrë se Vuçiçi për ata është jo vetëm “partneri” më i mirë por edhe i vetmi, por nga ana tjetër tani janë bërë të vetëdijshëm se duke bashkëpunuar me Vuçiçin ndihmojnë që Serbia të rrëshqasë drejt autoritarizmit.

Bashkimi Europian në raportimet, të brendshme dhe publike, e kritikon Serbinë për shkak të gjendjes në media, për shtetin e së drejtës, për madhështimin e kriminelëve të luftës. Por kjo nuk ka qënë kurrë pengesë që Serbisë t’i jepet pa rezervë ndihmë financiare.

BE-ja tashmë ndodhet në situatë të pakëndshme.

Tani ajo nuk do ta ketë më të lehtë të bashkëpunojë me një shtet që praktikisht është pa opozitë dhe nga i cili vijnë pamje ku policia ndjek protestuesit me qen dhe i godet me shkopinj, dhe të gjithë këtë e justifikon me interesin e qytetarëve.

*Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza

SHKARKO APP