Azis Nesini, i vetmi “sulltan turk”, që hyri në kalanë e Krujës

 Takime e ngjarje të shkrimtarëve Dritëro Agolli, Fatos Arapi e Niko Nikolla me një nga shkrimtarët më të famshëm të Turqisë….   

Nga Duro Mustafai

Në një nga takimet e kohëve të fundit me shkrimtarin e madh Dritëro Agolli, në shtëpinë e tij, biseda për Turqinë, na solli në vëmendje edhe ngjarje nga ato interesantet, që nuk mund të harrohen.. Ishte viti 1978, kur Agolli, si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë, do të vizitonte Turqinë. Në vizitë do të ishte edhe shkrimtari humorist, ish-kryeredaktori i revistës “Hosteni”, Niko Nikolla.

Pas asaj vizite Dritëro Agolli erdhi në Shqipëri me kujtime të shumta e të bukura. Përjetim i tyre do të pasqyrohej edhe në disa prej intervistave, shkrimeve e poezive të tij, botuar në shtypin qendror e në libra. Disa prej këtyre krijimeve, sidomos poezitë : “Poçari” e “Turkesha” janë bërë shumë të njohura. Ato janë kompozuar e këndohen edhe tani nga këngëtarët më të mirë të vendit. Por ajo që tërheq vëmendjen, për fabulën e saj interesante, është poezia “Poçari”. Përmbajtja e kësaj poezie mund të dukej si një trill poetik, por në fakt është e vërtetë. Dritëroi na ka treguar se ngjarje i ka ndodhur atij në tregun e Stambollit….

“Atë njeri ( Poçarin), thotë Dritëroi, e takova kur po bëja pazar në Stamboll. Papritur, m’u thye një vazo qelqi dhe ai u trondit shumë, si çdo pronar, që e ka mallin e tij. Prandaj edhe më shau rëndë në turqisht. Por unë ia ktheva në shqip, duke e sharë nga nëna. Dhe ai, në vend që të nxehej, u zbut shumë dhe ma ktheu në shqip, duke më thënë: “Më shaj edhe njëherë, mor të keqen vëllai, se kam vite, që nuk më ka sharë njeri në gjuhën e nënës sime”. Poçari kish qenë shqiptar dhe me të Agolli u bë mik e ngjarja lindi frymëzimin e poetit, në krijimin e një poezie perlë, kompozuar me një melodi të bukur, që është e vështirë ta harrosh. Agolli shkruan:

 “…Vazoja nga dora shkau e ra

Dhe m'u bë njëzet e pesë copë,

Më erdhi rrotull deti Marmara

Dhe m'u hap dyqani turk si gropë,

Më erdhi rrotull deti Marmara.

 

Pa më shau poçari keq turqisht,

Unë e shava shqip e mend i rashë;

Për çudi poçari nuk u ligsht,

Veç dy lot në sytë e kuq i pashë,

Për çudi poçari nuk u ligsht!

…………..

Psherëtiu si unë: " Jam shqiptar,

Shqip, vëlla, ti shamë dhe një herë,

Fjala shqipe s'blihet në pazar,

Në dyqan ka vjet që s'e kam ndjerë,

Fjala shqipe s'blihet në pazar!"

Një vit pas kësaj (tetor 1979) patëm rastin që, me poetin e shquar Fatos Arapi të ndodheshim në Turqi, të takonim edhe Azis Nesinin e të njiheshim edhe me disa ngjarje nga takimet e Dritëroit e Nikos me Azis Nesinin. Azisi na tha se e çmonte si një dhuratë të rrallë të miqve nga Shqipëria konjakun “Skënderbeu”, që Dritëroi i pat dhënë gjatë vizitës së tij në Stamboll.. Dhe Dritëroi, me doza të forta humori ka treguar edhe për një pritje të shkrimtarëve turq për ta në Stamboll. “Shkrimtarët turq, na bënë një pritje të jashtëzakonshme. Ata na ftuan për darkë, në një restorant të mrekullueshëm, që quhej, “Xhehnet bahçe”, pra, “Kopshti i parajsës”. Në Stamboll përdorej shumë, një pije, që quhej “Jeni raki”. Ishte një përzierje gjysëm për gjysëm me ujë. Ishte pije e lehtë. Por pasi u nxeh pak, muhabeti, ne nxorëm nga çantat tona, konjakun, “Skënderbeu”. Dhe ua mbushëm gotat turqve, të cilët nuk kishin provuar kurrë, një pije të tillë, me gradacion kaq të lartë alkooli. Prandaj, u këputën njëri pas tjetrit, duke mbështetur kokat sipër tavolinave. Dhe si me shaka, ne u thamë se, “Skënderbeu“ i mundi përsëri turqit, madje edhe 500 vjet pas vdekjes… Dhe ata qeshën të gjithë”. Azis Nesini dhe shkrimtarët e tjerë, ishin të këndshëm në biseda e gazmorë, sidomos me ne shqiptarët… Azis Nesini ishte jo vetëm, një shkrimtar i madh, por edhe një humorist i vërtetë. Megjithëse, ndonjëherë, thoshte edhe gjëra të zymta, përsëri thelbi i mesazheve që përcillte ishte optimizmi për jetën. Me atë bisedonim dhe qeshnim. Me ish-kryeredaktorin e revistës, “Hosteni”, Niko Nikolla, bënte shumë shaka. Madje, atij i thërriste: “Sulltan Nikolla”. Dhe shakat miqësore të filluara në shtëpinë e tij në Stamboll dhe në lokalet e pritjeve do të vazhdonin edhe në Shqipëri. Se një vit më vonë, (më 1979) me ftesën që i bëri Dritëro Agolli, në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve, Nesini erdhi për herë të parë në Shqipëri. Por, vepra e tij në ato vite njihej edhe tek ne.. Para se të shkelte në Shqipëri, kishin hyrë disa libra të tij me poezi e tregime. Dhe ai ish bërë i njohur dhe i dashur për ne shqiptarët. Atëherë Azis Nesin përmendej si autor i më shumë se 100 veprave humoristike (Tregime, romane, poezi) të përkthyera në më se 30 gjuhë të botës. Ishin përkthyer disa libra të tij edhe në Shqipëri e sidomos një botim i posaçëm me 27 tregime humoristike, për të cilin u organizua dhe promovimi i tij në Tiranë. Po Azis Nesini shfaqi dëshirën të vizitonte edhe Kështjellën e Krujës me Muzeun kushtuar Skënderbeut.

“Dhe ai, e vizitoi Krujën e kalanë e saj. Dhe i kish bërë shumë përshtypje e ndjehej i befasuar. Dhe Dritëro Agolli tregon se për ti hequr emocionet “unë i thashë me shaka”. “Këtu, në këtë kështjellë që prej 500 vjetësh, nuk ka hyrë dot asnjë osman. Ti je i pari… Dhe ai qeshi me atë që i thashë”. Po edhe Nikua do na tregonte se Azis Nesini u mahnit nga pamja e Krujës si dhe nga kështjella, për historinë e së cilës dhe të trimave të Skënderbeut, kish dëgjuar e lexuar. Kruja e kish shpurë Azis Nesinin në epokën e luftërave të Skënderbeut kundër turqve Prandaj, pas kësaj vizite të veçantë do ti thoshte edhe Nikos, atë që i pat thënë Dritero Agolli, se; “Unë, Azis Nesini, jam i vetmi sulltan turk, që hyri në kalanë e Krujës”!

“Shqiptaria e vetmja sëmundje e imja”…

Me poetin tonë të shquar Fatos Arapin, sapo arritëm në Ankara do të merrnim një ftesë nga profesor Nexhip Alpan. Turku me origjinë shqiptare, do na ftonte të ishim mysafirë në shtëpinë e tij.  Nga Radio Ankaraja kemi dëgjuar në gjuhën shqipe zërin e një gazetari të njohur, jo vetëm në Turqi, por edhe në Shqipëri. Kur e takova në Ankara, që në fjalët e para përshëndetëse të tij, mu kujtua se ishte po ai zë që kisha dëgjuar nëpërmjet valëve radiofonike edhe në Tiranë. Ai ishte Nexhip Alpan, shqiptari nga Zhulati i Gjirokastrës. Aty nga vitet 1930, kur ende nuk i kish mbushur 10 vjetët e jetës, familjarisht, ai e la Shqipërinë duke u vendosur në Kryeqytetin turk Ankara. Në ditën që e takuam ai ishte në prag të 60 viteve të jetës. E 50 prej tyre i kish kaluar në Turqi, kryesisht në Ankara. Na bëri përshtypje shtëpia e tij, që veç flamurit tonë ishte e mbushur me simbole shqiptare që nga veshjet librat në gjuhën shqipe dhe pijet. Në shtëpinë e tij vetëm vera shqiptare u servirej miqve. Dhe nuk e harrojmë atë shprehjen e tij interesante për Shqipërinë. “Unë po plakem, por nuk jam i sëmur nga pleqëria, unë jam i sëmur nga shqiptaria”,- na tha duke na vështruar në sy. Dhe përsëriti: “Shqiptaria është e vetmja sëmundje e imja”. I bëhej zëmra mal kur takohej e bisedonte me shqiptarët. Ai mbante kontakte të shumta edhe me Shqipërinë dhe figurat e shquara të saj, brenda e jashtë mëmëdheut. Kishte korrespondencë me Fan Nolin, Konicën, Dritëro Agollin, Ismail Kadarenë, Sabri Godon e shkrimtarë e studiues, si dhe me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Kish shkruar një Fjalor Turqisht-Shqip dhe disa libra për Historinë e Shqipërisë. Pas disa vizitave mbresëlënëse në Ankara sidomos në Mozeuleun e Ataturkut u gjendëm në Stamboll. Këtu e pa pritura më e këndshme ishte takimi me Azis Nesinin dhe vizita në shtëpinë e tij.

 Kur turqit puthnin “Skënderbenë”…

Azis Nesini, një vit para vizitës sonë ishte takuar edhe me Dritëro Agollin e Niko Nikollën. Në biseda me ta kish shprehur një dashuri të madhe për Shqipërinë, jo vetëm si shkrimtar me bindje të majta, por sepse shqiptarët, për shkak të traditave të përbashkëta i konsideronte vëllezër. Atë pasdite të paharruar ne do të largoheshim nga qendra e Stambollit, do të kalonim Urën e Bosforit, për të arritur atje ku banonte shkrimtari madh. Takimi me të ishte ngjarja më interesante e krejt vizitës sonë në Turqi, shoqëruar kjo me shumë ndodhi. Unë do të përmend njërën prej tyre.

Gjatë ditëve në Stamboll, një bashkatdhetari ynë, me prindër të emigruar prej shumë vitesh nga Shqipëria do të na këshillonte: “Ju mund të takoheni me shumë turq, por si vëlla i juaj, më duhet tu them që, Skënderbeun mos ua përmendni turqve, se i fyeni. Skënderbeun ata e quajnë tradhtar”. Sado që e kundërshtuam me fjalët se “nuk besojmë që edhe shkrimtarët turq të kenë këtë mendim”, shqiptaro-turku këmbëngulte në të tijën, duke përsëritur se “të gjithë, të gjithë, nuk e duan Skënderbeun”. Mirëpo ne, gjatë dy javëve të qëndrimit në Turqi, nuk kishim ndeshur një urrejtje të tillë, madje, me cilindo që takonim, fjalët e para të tyre, ishin… “vëlla” e “jemi vëllezër”. Sidoqoftë,  edhe një farë ngurrimi e kishim. Këtë na e shkaktonte fakti, që nga Shqipëria na kishin dhënë si dhuratë për miqtë me të cilët do të takoheshim disa shishe me konjak “Skënderbeu”, si dhe qeleshe të bardha, simbol të identitetit tonë si shqiptarë..Sa për qeleshet e bardha, kjo s’përbënte ndonjë problem, problemi qëndronte te “Skënderbeu”në shishen e konjakut.

Ndodhi diçka që nuk e prisnim. Aziz Nesinit i dhuruam dy shishe me konjak “Skënderbeu”, e ai, për habinë tonë, do të ngrihej në këmbë, duke thirrur.. “Konjak “Skënderbeu”? Oh, sa më keni nderuar. Po ky është konjaku më i mirë në botë”. Dhe nisi të puthte etiketën me fytyrën e Skënderbeut në grykën e shisheve. Pastaj do të na tregonte…

“E shikoni atë raftin, atje te muri? (Dhe ndërsa ne hodhëm vështrimin te rafti me shishet e shumta, Azis Nesini do të na shpjegonte) Aty ka shishe konjaku, thuajse nga gjithë bota (dhe nisi të numëronte disa vende) si Rusia, Bullgaria, Iraku, Polonia, Siria, Izraeli, etj. Mi kanë dhuruar miqtë. Vetëm konjak “Skënderbeu” nuk kam atje… Kisha vetëm një shishe po tani nuk kam. Më vjen keq që konjaku juaj i famshëm mu zhduk pa pritur, por tani, ja që më erdhi e unë një “Skënderbe” do ta vë atje te rafti, tjetrin do ta pi me miqtë e mi më të mirë”. Për të shuar kureshtjen tonë se si ishte “zhdukur Skënderbeu” do të na tregonte: “Ndonjë vit më parë, jam takuar, këtu në Stamboll me dy miq nga Shqipëria, ishin shkrimtarët Dritëro Agolli dhe ai Niko Nikolla, ose siç e quajtëm “Sulltan Nikolla”. Ata më dhuruan një shishe me konjak “Skënderbeu”. Ishte hera e parë që shikoja një konjak të tillë, aq më tepër me fytyrën e “Skënderbeut” në shishe. Ajo që më bëri përshtypjen më të keqe ishte ambalazhi i konjakut. Një shishe e zakontë, veshur me një letër të keqe si etiketë. Dhe mendova, duhet të jetë ndonjë konjak skerco. Megjithatë e vendosa në raftin e dhuratave të miqve. Por, pas disa muajve më vijnë për vizitë në shtëpi, disa shokë të vjetër. Dhe unë, për të mos harxhuar konjakët e mirë dhe që të joshnin me bukurinë e paraqitjes, sa i shikon, u dhashë atë konjakun nga Shqipëria. Por shokët sa hodhën gllënjkën e parë në stomak, thirrën, “Uf, ç’konjak, po ku e ke gjetur , mor vëlla, Azis”. Dhe e pinë konjakun shpejtë e shpejtë duke lavdëruar shijen aromatike, ndërsa për mua mbeti vetëm një gotë e vogël, që e hodha edhe unë në stomak menjëherë. Po shijen e “Skënderbeut” nuk e harrova. Prandaj, ju falënderoj edhe një herë vëllezër, dhe u premtoj që konjakun tuaj nuk do ta ndaj me të tjerët, atë do ta pi vetëm Azis Nesini. Ndërsa kur të vizitoj së shpejti Shqipërinë vetëm “Skënderbenë” kam për të Puthur….”.

Në ato vite, kur thuhej se vetëm në Stamboll jetonin më shumë se 3 milionë shqiptarë të origjinës, Stambolli ishte i pushtuar nga dashuria e turqve për shqiptarët. Ishin traditat e përbashkëta të mbira në shekuj që na afronin. Në restorante, kafene e rrugë, do të dëgjoje nga goja e turqve shpesh (ashtu si edhe tani), fjalët “arnaut”, “kokë shqiptari”, “Besë shqiptari”, për të mos folur për gjellrat, ëmbëlsirat që i servirnin me emrat e përbashkët, si dhe për emrat e njerëzve e besimin tonë mysliman. Të gjitha këto të bënin të mendoje se Turqia dhe Shqipëria, ndodheshin në krahë të njëra tjetrës dhe as deti Marmara e as ai Mesdhe nuk i ndanin dot. Dhe vizitat e shkrimtarëve e gazetarëve turq e shqiptarë në të dy vendet tona, do të ishin të shpeshta… Njëri prej këtyre shkrimtarëve me famë botërore, që e desh aq shumë Shqipërinë, e që la këtu përshtypje të thella, ishte Azis Nesini…

SHKARKO APP