“Bajram Ndreu i Zall Dardhës, bir i shquar i një familje te madhe”

Nga Fehmi LLESHI

“Bajram Ndreu i Zall Dardhës, bir i shquar i një familje të madhe” është libri më i ri i bashkëautorëve Halil Rama dhe Sakip Cami. Promovimi i këtij libri në Qendrën Kulturore TEN të Bashkisë Tiranë mblodhi qindra intelektualë dibranë dhe nga e gjithë Shqipëria.

Të pranishëm ishin deputetët Sherefedin Shehu e Roland Keta; kryetari i BLD Arian Starova;Mjeshtri i skenës dhe ekranit Bujar Kapexhiu, muzikologu i njohur Shaqir Rexhvelaj; regjisori, këngëtari dhe artisti i njohur Skender Cala, kryetari i komunës Zall Dardhë, Njazi Cani etj.

“Eshtë shkruar për fisin Ndreu të Dibrës por për historinë e tij nuk mund të themi se rrëfimet kanë shterruar. Në kolanën e librave mbi këtë fis, një vlerë e shtuar është edhe ky libër, shkruar me pasion dhe profesionalizëm nga Halil Rama dhe Sakip Cami”,-tha ndër të tjera redaktori i librit, Dr.Hajri Mandri. Ai vlerësoi shpalosjen nga autorët të galerisë së heronjëve të Dardhës, si në një panteon që mban mbi supet e historisë, të vjetër dhe të re, piedestalin e triumfatorëve të luftës për liri e pavarësi, si bazament human që ushqehet nga dashuria ndaj vendit të të parëve, ndaj kombit. Kjo për faktin se në libër gjejmë mjaft skena, sjellje dhe kode familjare mbresëlënëse, ndërkohë që autorët përshkruajnë me një gjuhë që rrjedh lirshëm, si një ujvarë, duke të shoqëruar ëmbël në grykat e maleve dhe në shtëllungat e reve të qiellit historik, në beteja e legjenda, për të shijuar kulturën etnografike, etnojuridike dhe psikomorale të personazheve,ku simbol këtë herë është zgjedhur Bajram Ndreu, si përfaqësues tipik që siguron kohezion midis brezave: shtrirë në kohët e Pavarësisë, Luftës, Pasluftës, Demokracisë.

Po në këtë linjë u shpreh edhe shkrimtari i njohur Lutfi Hanku. Ai tha se kjo vepër e shtjelluar me përgjegjësi krijuese të rrëmben me bukurinë e portretit të "heroit" dhe me panoramën mahnitëse të kopertinës, ku nusëron si legjendë e veshur me gjelbërimin e kandshëm blu-jeshile, që çel jetë e dashuri dhe ku thirrin dardharët me za të përmallue Bajram Ndreun: "Ku je, bre burr!".

Duke përshëndetur pjesëmarrësit në këtë promovim, deputeti i Dibrës Sherefedin Shehu u ndal kryesisht në vlerat e Fisit Ndreu dhe të Familjes së Bajram Ndreut, si dhe në domosdoshmërinë e ruajtjes e transmetimit tek brezat të këtyre vlerave. Ai tha se mbështetja në tabanin kombëtar përbën bazën e edukimit patriotik të brezave, dhe këtij qëllimi sipas tij i shërben më së miri edhe ky libër.

 

Në këtë ceremoni promovuese, që u shndrrua në një tubim festiv përkujtimor kumboi fuqishëm edhe kënga “Hej Bajram, o mos vdeksh kurrë”, kompozuar nga Edmond Zhulali   që u interpretua me ndjenjë e pasion nga Sherif Dervishi.

Më pas, poeti i shquar dibran, Islam Çenga foli për vlerat ideoartistike të  monografisë kushtuar Bajram Ndreut. Ai vlerëoi gjuhën e pasur e mjetet shprehëse që e lartojnë këtë hëro-legjendë të Zall Dardhës e të gjithë Shqipërisë.

“Tek Bajram Ndreu ndriste drita e dijes, e trimërisë dhe e guximit”, tha artisti dhe shkrimtari Beshir Cala gjatë fjalës së tij. Ndërsa avokat Sabri Gjeci e vlerësoi monografinë kushtuar Bajram Ndreut, njëlibër të spikatur me një tjetër histori njerëzore, të gjallë e të jetuar. Ai evidentoi portretizimin thjesht e bukur të heroit të zgjedhur, madhështinë në përshkrimin autentik dhe pa zbukurime të tepruara, teknikalitetin në formimin e plotë të personazhit kryesor si dhe paraqitjen e tij në dimensionin real në raport me kohën kur ky ka jetuar. Avokat Gjeci foli gjithashtu për përshkrimin e Heroit Bajram Ndreu me një stil letrar mjaft inteligjent, pa fraza e zbukurime boshe, duke na dhënë gjithë botën e tij shpirtërore, gjithë vlerat e vërteta njerëzore që ai mbart dhe manifeston nën peshën e trysnisë së kohës kur ka jetuar, që përbëjnë padyshim esencën dhe shijen e vertetë të këtij punimi me kaq vlerë të bashkëautorëve Rama e Cami.

Besim Ndregjoni, një tjetër personalitet i shquar dibran e vlerësoi librin që u promovua në kontekstin e trajtimit të vlerave që bartin  Familjet e medha, si ajo Ndreu, që përbëjnë krenari kombëtare.

Në fjalën e tij, Halil Rama si bashkëautor me z.Sakip Cami, falenderoi të gjithë pjesëmarrësit në promovimin e librit kushtuar Bajram Mustafa Ndreut, njeriut modern që nuk e kuptuam dhe nuk e pranuam sa qe gjallë. Ai falenderoi në veçanti ata që vlerësuan kontributin si bashkëautorë në përshkrimin e një jetë të vështirë deri në persekutim, interesante deri në detaje dhe të plotë sa për një hero. Për z.Rama, ishte nisma e nipit të tij, Neshat Ndreuqë e nxorri në dritë këtë figurë kaq interesante për tu njohur, sa do të përbënte subjekt edhe për letërsi të mirëfilltë për shkrimtarët dhe krijuesit. Neshati, në këtë bashkëpunim u dëshmua si njohës i mirë i historisë dhe bartës i modestisë intelektuale që karakterizon të diturit, zotërues i thellë i filozofisë popullore.

Në emër të Familjes, bashkëautorët Rama e Cami si dhe gjithë pjesëmarrësit në promovimin e librit “Bajram Ndreu i Zall Dardhës, bir i shquar i një familje të madhe” i përshëndeti vëllai i Heroit, z.Lutfi Ndreu. Ai solli grimca nga jeta e Bajramit, të cilat u mirëpritën dhe duartrokitën nga pjesëmarrësit. Kështu ndodhi edhe në çastet e interpretimit të poezive të poetit Naim Plaku, kushtuar Bajram e Selim Ndreut, nga mbesa e tyre, Klaudia Ndreu.

Promovimi që u moderua me mjeshtri, elegancë dhe profesionalizëm nga Defrim Methasani,u mbyll nga këngëtari i mirënjohur Qerim Sula i ciliinterpretoi këngën “Na knojn pushkët nëpër kulla”.

SHKARKO APP