Ballisti i Panjohur

Ardhja e eshtrave të Mit’hat Frashërit ishte një ngjarje si rrufe në qiell të hapur. Nëntori është quajtur me të drejtë si muaji i festave,festa e pavarësisë dhe festave të çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë. Festat e çlirimit të qyteteve deri tek dita e çlirimit të të gjithë vendit më 29 Nëntor quhen edhe ditët antifashiste të Shqipërisë. Por partitura politike e qeverisë së Tiranës, kishte tjetër fletë të historisë për të luajtur. Në planin e brendshëm ku ngjarjet kanë zhvillime të ngjashme nga muaji në muaj edhe për faktin se opozitarizmi është mbërthyer nga ethet e skandaleve me të ashtuquajtura video-përgjime të rradhës, ditë monotone pa asnjë rrugëdalje për t’u ballafaquar në Parlament me argumenta politikë apo për të afruar alternativë të ndryshme ligjore, ia lanë rradhën historisë së kthimit të eshtrave të Mit’hat Frashërit, Kryetarit të Organizatës së “Ballit Kombëtar” dhe Kryetarit të “Komitetit Shqipëria e Lirë”. Ta shtrojmë arsyetimin ndryshe, sikur të kishim një presion nga një forcë politike apo nga ndonjë organizatë e pavarur qoftë edhe nga ndonjë debat publik, pse jo edhe nga ndonjë historian me autoritet shkencor, i cili të na kish ofruar fakte të reja për veprimtarinë e organzatës së “Ballit Kombëtar”, po ja do thoshim ia vlente kjo sipërmarrje shtetërore për ta respsektuar ish-kryetarin e “Ballit” Mit’hat Frashërin. Hapësira simbolike për ta përdorur politikisht këtë akt të qeverisë shqiptare duket tani për tani shumë e hamendëuar, si një shkelje syri për të djathtën evropiane, pse jo edhe më tutje. Por është e vërtet si drita e diellit që shumë historianë seriozë dhe opinonbërës në Shqipëri po rifaktojnë veprimtarinë antikombëtare të Mit’hat Frashërit, si një bashkëpunëtor i hapur i pushtuesve nazifashistë. Koha për ta revizionuar historinë e Shqipërisë duket e largët, por edhe pse nga shumë shtete janë tejkaluar afatet e hapjes së arkivave si në Itali dhe Angli, janë ofruar dokumenta të reja nga shtete të tjera si Gjermania,Amerika. Frymëzuesit dhe mentorët e këtij akti janë në fakt një shembull ogurzi që çon në precedentin për të ridimensionuar modelin e çdo njeriu që kryen akte tradhëtie ndaj atdheut dhe kombit dhe çështjes shqiptare. Mjafton t’i rikthehemi gazetës “Bahkimi” të vitit 1945 dhe do të kemi një panoramë të qartë sepse koha e së vërtetës me faktet e ndodhura kishte edhe të akuzuarit dhe dëshmitarët. Ja se çfarë shkruante gazeta “Bashkimi” ORGANI CENTRAL I FRONTIT NACIONAL ÇLIRIMTAR, për veprimtarinë e krerëve të Ballit Kombëtar si Qazim Koculi, Ali Këlcyrës, Sejfi Vllamasi dhe Mustafa Kruja si anëtar të Këshilit të Bashkimit Kombëtar kishin marrë një vendim qysh në vitin 1938.

“Na të nënshkruemit:

Tue besue se përfaqësojmë vullnetin e shumicës së madhe të popullit shqiptar dhe tue e quajtur vehten përgjegjës moralisht për fatin e tij: Të dedikuem mos me kursye asnjë mundim e fli për ta shpëtue nga rreziqet që i kërcënohen jetës së tij politike, ekonomike, shoqnore dhe morale dhe nga të zezat që e kanë pllakosur. Të bindun se rramja e burimi i të gjitha këtyne rreziqeve dhe të zezave asht regjimi i ferrit, i mjerimit i turpit, dhe i tradhtisë, që ka ngrehun, ka më shumë se 14 vjet Ahmet Zogu: Të bindun gjithashtu nga provat e këtyne 15 vjetëve të fundit si dhe nga situata ndërkombëtare që kemi sot parasysh dhe nga pozita gjeografike e vendit tonë ,se vetëm duke u mbështetun në përkrahjen e qeverisë fashiste, munt ta shpëtojmë na popullin tonë prej regjimit të Zogut që asht burimi i të gjithë të zezave,se vetëm me ndihmën e Italisë që është e vetmja fuqi e madhe e interesueme drejt për së drejti në Shqipni,munt të sigurohet rimëkëmbja ekonomike dhe përparimi i qytetnuem i vendit tonë, se vetëm një miqësi e ngushtë dhe reale me Italinë fashiste mund të favorizojë aspiratat tona kombëtare si mbas frymës së re të Konferencës së Mynichut e të boshtit Romë-Berlin………Vendosi që të kërkojë një princ nga gjaku i Savojës për mbret të Shqipëtarëvet dhe themelues të dinastisësë arrdhëshme për Monarkinë tonë.

Nënshkruem.

Mustafa Kruja, Qazim Koculi, Ali Këlcyra.

Por këtyre emrave u shtohen edhe Terenc Toçi, Shefqet Vërlaci, Qemal Vrioni, Xhafer Ypi, Fejzi Alizoti, Zef Sereqi, Mark Kodheli, Nush Bushati në Durrës Shefqet Çelkupa, Xhaferr Taga, Rexhep Mitrovica, Bahri Omari, Kol Tromara e të tjerë të cilët bënin pjesë në atë kohë në organizatën “Bashkimi Kombëtar” dhe më pas u bënë krerët kryesor të “Ballit Kombëtar”

Demagogjia sociale dhe demagogjija antizogiste, dhe demagogjija e Shqipërisë së Madhe me Kosovë e Çamëri, demagogjija e gogolit komunist nuk ishin vetëm parrulla e fashistëve italianë, por ishin edhe parrullat e të gjithë atyre që bashkëpunuan me pushtuesit. Kur pas luftës italo- greke filloi të bjerë prestigji ushtarak dhe politik i Italisë Fashiste, klika e Mustafa Krujës doli hapur me demagogji e terror nëpërmjet milicisë. Internoi, burgosi e pushkatoi rininë dhe popullin. Në qeverinë e Mustafa Krujës bënin pjesë ata që më vonë do të ishin krerët kryesor të  “Ballit Kombëtar” si Hasan Dosti, Qazim Koculi, Jup Kazasi, të cilët ishin ministra. Hasan Dosti si Ministër i Drejtësisë nxorri ligje dragoniane dhe terrorriste të Mustafa Krujës. Bahri Omari dhe Kol Tromara, Rexhep Mitrovica ishin këshilltarë të shtetit. Ali Këlcyra bënte tregëti të madhe me dërrasa dhe qymyr, por në fakt ishte më aktiv se këshilltarët e shtetit. Faik Quku dhe  Rasim Babameto ishin prefektë dhe kryetarë bashkie, të tjerë si Koço Muka, Azis Çami ishin kuestorë. Pra siç del nga këto rreshta të pretencës së Gjyqit Special nuk besojmë se ka ndonjë dyshim që këta krerë të “Ballit Kombëtar” u gjetën rastësisht në krahun e gabuar të historisë. Fakte të tjera ka me bollëk për të dëshmuar bashkëpunimin e “Ballit Kombëtar” me okupatorin fashist. Ja, një fakt tjetër nga “Notizario del giorno 8 Magio 1943 Uficio 1.del Comando Superiore Forze Armata Albania” thuhet: Lajmërohemi se Ali Bej Këlcyra ka sukses të madh në shëtitjen propogandistike antikomuniste në krahinën e Gjirokastrës. Qeverija e Maliq Bushatit dhe Eqerem Libohovës kanë patur marrëdhënie shumë të mira me “Ballin Kombëtar” e veçanërisht me Mit’hat Frashërin, Ali Këlcyrën, Faik Qukun dhe Bahri Omarin, sipas dëshmive të Jakov Miles, Qemal Vrionit, Javer Hurshitit. Mit’hat Frashëri më 27 Gusht të vitit 1943 i shkruante Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar, prej Lure ku kishte vajtur për të lidhur besën me bajraktarët kundra Lëvizjes Nacional-Çlirimtare, kështu: Duhet organizuar skuadra nacionaliste, të rregulluara militarisht për të mbajtur qetësinë dhe për të ndaluar anarshinë në momentin që do tërhiqet ushtria italiane. Kjo pikë dhe si dhe forcimi i propogandës nacionaliste duhet të jetë kujdesi i veçantë i Ballit. Kjo provë disfatiste dhe bakëpunimi me okupatorin tregon dhe fytyrën e vërtetë antikombëtare të kësaj organizate profashiste. Ndërsa në sytë e popullit shiste për patriotizëm parrullën “Vdekje Tradhëtarëve”. Me një fakt tjetër të një trakti të Janarit 1944 me titull “Spitali Civil i Tiranës” shkruhej: Më 18 Tetor 1943 Qarkori i Ballit Kombëtar të Vlorës me komunikatë: Në qoftë se vritet në qytetin e Vlorës ndonjë i Ballit Kombëtar, menjëherë si hakmarrje do t’i hidhen në erë shtëpia, ku hyjnë e dalin kriminelët dhe do të pushkatohen prej skuadrave tona pjesëtarët madhorë të atyre shtëpive. Në qoftë se nuk diktohen shtëpitë nga ku kriminelët hyjnë dhe dalin atëhere nëpër rrugë e kudo që të gjenden do të shtihet kundra atyre që njihen si komunista. Lexuesi ta lexojë si të dëshirojë këtë fakt, ku shqiptari vret shqiptarin. Ja seç udhëzime jep Mithat Frashëri kryetar i Ballit Kombëtar, Komiteteve Krahinore me shkresën Nr.87 d-11-II-1944 kur ofensiva e madhe e dimrit ishte lëshuar me furinë më të egër kundra zonave të lira të Ushtrisë Nacional Çlirimtare: Duhet të kini kujdes të madh që nëpër vendet e liruara të bëhet një “pastrim rrënjësor”.

Kush është në të vërtetë eruditi, albanologu dhe biri i një dere të madhe?

Marrëveshja me reaksionin grek dhe nxjerrja në pazar e indipendencës së shtetit shqiptar është akti më i poshtër i tradhtisë së Mit’hat Frashërit,ai si dikur kur përkrahte hapur politikën e xhonturqëve u lidh edhe me Jugosllavët kundër shqiptarëve. Në këtë marrëveshje ku pranohej futja e ushtrisë shqiptare nën urdhrat e qeverisë greke të Rralisë dhe të Zervas të dy bashkëpunëtorë të nazistëve gjermanë, siç provohet në mënyrë të pakundërshtueshme nga shkresa e Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar Nr.191-7 datë 10-5-1944 drejtuar Dhimitër Fallos dhe firmosur nga Mit’hat Frashëri, ku thuhet tekstualisht: “Në rast lufte komanda e përgjithshme ushtarake do të vihet në dorë të Greqisë”. Pranuan ta ndajnë Shqipërinë në kantone siç flitet në deklaratën e Zef Lashovës dhe siç rezulton indirekt, nga letra më datë 17 Qershor 1944 që i drejton Bahri  Omarit, Xhavit Leskoviku nga Selaniku.

Tjetër fakt.

Me shkrimin e tij dr. Ymer Dishnica na ndriçon të vërtetën e sapo cituar më lart. Titulli i shkrimit:  “Nga Shqipëria e “Suazës Perandorake” në “Shqipërinë autonome” nën mbetërinë e Athinës.

Pesë vjet luftë, pesë vjet që kanë tonditur themelet e kësaj bote, nuk u kanë mësuar asgjë neofashistëve të Megalidea. Mirë thotë fjala e urtë “ujku qimen e ndërron, por jo zakonë”. Tashti kuptohet më mirë zinxhiri që i lidhte tradhëtorët e kuislingat tonë me reaksionarët profashistë të Greqisë, me shovinistët e tërbuar të Megali-idesë. Tani kuptohet më mirë, pse fliste ish-kryeministrit Cudheros për “Vorio-Epirin”, tani kuptohen  më mirë fjalimet e Papandreut, dhe zërat shovinistë të Radio-Athinës, artikujt e gazetat greke me stil neofashist. Tashti i kuptojmë më mirë kërkesat e Pandeleimonit në një kohë kur masakroheshin barbarisht shqiptarët e Çamërisë. Zbulimi me rëndësi i gazetës “Vradhini” që këndoj dje kryetari gjyqit special gjeneral Lt Koçi Xoxe, ra si shuplakë mbi hundët e tradhëtorëve të vendit tonë. Qe një zbulim sensacional për popullin shqiptar, por edhe asistentët në sallën e gjyqit.

Një tjetër artikull

Shqipëria ka kërkuar të bashkohet me Greqinë

Na lëshon Vorio-epirin

EAM E PËRMBYSI MARRËVESHJEN

Historiku i marrëveshjes

Është fjala për një marrëveshje e cila u arrit në parim mes delegatëve të Shqipërisë dhe përfaqësuesve të botës politike greke, me dijeninë dhe aprovimin e qeverisë së Kajros.

Ish kryeministri Koço Kota dhe Xhavit Leskoviku iu drejtuan disa faktorëve politikë grekë dhe propozuan që menjëherë mbas dëbimit të Gjermanëve të realizohet një bashkim federative midis Greqisë dhe Shqipërisë nën konditat që vijojnë:

  1. Vorio-Epiri do t’i lëshohej pa kushte Greqisë dhe nuk do të përfshihej në marrëveshjet të cilat do ti përkasin pjesës tjetër të Shqipërisë.
  2. Shqipërija do të bënte pjesë në Mbretërinë Greke me disa të drejta autonomije. Në fakt Shqipërija do të gëzonte lirinë e gjuhës dhe të fesë. Do të kish një forc xhandramrije të vendit që do të komandohej nga oficerë grekë. Populli shqiptar do të kish të drejtë të zgjidhte kryetarët e bashkive dhe komunave. Greqija do merrte përsipër përfaqësimin diplomatik të Shqipërisë në botën e jashtëme.

Në shkrimin tjetër me titull “Nga planet kriminale të armiqve të popullit” përshkruhet se kush ishin personat që morën pjesë në këto bisedime.

Bisedimet ju ngarkuan një komision, i cili nga pala shqiptare përfaqësohej nga Koço Kota, Xhavit Leskoviku e Dhimitër Fallo. Në krye të komisjonit qëndronte ministri i Asistencës Sociale të Greqisë z Levantis. Bisedimet zhvilloheshin në mënyrë të fshehtë në Selanik. Nga fundi i Korrikut të vitit të kaluar u ra dakort me të gjithë kryetarët e partive politike të cilët ishin dakort për realizimin e këtij plani. Pas kësaj u dërgua në Kajro si i dërguar i jashtëzakonshëm deputeti i Artës Z P Garufalis për të vënë në dijeni qeverinë greke, posaçërisht kryeminstrin Papandreu dhe ministrin e jashtëm Z Dragumis të cilët ishit të gatshëm të përshpejtonin marrëveshjen.

EAMI lajmëroj Partinë Komuniste Shqiptare e cila arrestoj dhe e ekzekutoj në Korçë Dhimitër Fallon. Selim Mborja u ndoq, por mundi të ikte dhe të shpëtojë. Edhe ish Kryeministri Koço Kota së bashku me Xhavit Leskoviku u ndoqën nga Partija Komuniste Shqiptare por ata u kapën nga sigurimi i EAMIT në Selanik.

Lufta dhe njerëzit nuk gjenden në kushte dhe rrethana aksidentale. Dhe të gjithë këta “Ballarë të Kombit” nuk u gjendën në vendin e kohën e gabuar, arsyetim naiv i disa të ashtuquajtur të djathtë shqiptarë. Mbivendosja e shkaqeve se gjoja ishte më e rëndësishme lufta kundër komunizmit, sesa lufta kundër pushtuesit, nuk ka lidhje me karakterin e drejtë të luftës për çlirim kombëtar, por tregon edhe cektësinë e formimit politik e fyerjes së ndjenjës patriotike. Këta krerë të politkës kishin vetëdije filozofike e psikologjike të rëndësisë gjeopoplitke dhe gjeostrategjike të Shqipërisë dhe anashkaluan faktorin patriotik shqiptar. Nga se vinte kjo, shkaqe ka plot. Komponenti më i rëndomtë i përfytyrimit të një shteti të pastër etnik në kohën kur fuqitë botërore po zmadhonin hapësirat e tyre koloniale për burime të reja natyrore tregon një demagogji politike nga krerët e “Ballit Kombëtar” dhe inkoherenca në mënyrën e organizimit pa parime të reja e tejet konservatore ishin pjesë e mosnjohjes së realitetit politk. Anakronizmi për të përdorur një emër rilindasi si fasadë, është një shterpësi idesh dhe deri diku mekanizëm jo shumë efiçent. Sipas të gjitha argumentave janë përdorur si lidhjet historike apo edhe totemet e patriotizmit nga të huajt në interes të tyre. Mosbesimi tek populli për qëndresë ndaj armikut është faktori disfatist i krahut që më vonë bashkëpunoi me armiqtë nazifashist. Boshti fitues i Luftës së Dytë Botërore(Anglo ,Bashkim Sovjetik ,Amerikan) krijoi ofertë për të gjitha palët në Shqipëri dhe ku ishin këta njerëz kaq të ngritur e vizionar për të kapur momentin e të mos jepeshin armikut më të parë. Faktori i futjes së femrës në luftë i ktheu forcat e djathta në një detashment konservator që nuk frymëzonte për asnjë lloj shprese të një force progresiste. Mos me dashje apo jo, por qëndrimi i klerit shqiptar i të disa feve ishte fatkeqësisht në anën e armikut dhe kjo përbën ndoshta aktin ku si feja dhe politika kolaboracioniste u bënë njësh, por që i dhanë argumentin antifashitëve shqiptarë për të përdorur me superioritet shprehjen më aktuale të kohës “Vdekje Fashizmit, Liri e Popullit”. Të mandatuarit e Partisë Socialiste të cilët që në krijimin e saj kanë mbrojtur vlerat e Luftës Nacionalclirimtare nuk mund të bëhen bashkëfajtorë dhe revanshistë njësoj si ata që dogjën dhe hodhën në erë simbolet e Luftës Nacionalclirimtare për të mos votuar një ditë Memorialin e Ballistit të Panjohur.

Përgatiti: Kastriot Kotoni

SHKARKO APP