Ballkoni me çmimin “Best Fiction Comedy”, në Taos Shortz Film Fest

Tashmë është shënuar çmimi i 21 me radhë për filmin e metrazhit të shkurtë “Ballkoni”, me skenar dhe regji të Lendita Zeqirajt, pas shpërblimit të fundit që i është bërë këtij filmi në njërin nga 50 festivalet më të mira të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Taos Shortz Film Fest. Në këtë festival, filmi “Ballkoni”, ka qenë në konkurrencë me 149 filma të tjerë, ndërkaq, juria që ka vlerësuar filmat, ka qenë e përbërë edhe nga aktorë që në shpatullat e tyre bartin çmimin Oscar.

Lendita Zeqiraj ka thënë për KultPlus se këto mime që tashmë kanë vlerësuar punën e filmit “Ballkoni”, janë si rezultat i pjesëmarrjes së filmit në mbi 100 festivale të ndryshme në botë.

“Të shpërblehet puna artistike në 21 festivale kjo me të vërtetë më bën të ndihem mirë, për faktin se këto shpërblime tashmë vijnë nga të katër anët e botës, duke përfshirë edhe festivale që janë të kategorisë A dhe B”, ka thënë Zeqiraj për KultPlus.

Ndërkohë, filmi “Ballkoni”, pos sukseseve që ka shënuar dhe po shënon në festivale të ndryshme, është edhe filmi i parë shqiptarë që është blerë nga produksioni i huaj, ai francez.

SHKARKO APP