Bamir Topi: Si e ndryshoi Rama gjuhën e Nanos dhe Berishës

Në vitet e rinisë së tij, atëherë kur Shqipëria ishte e izoluar, televizionet italiane ishin një ndër të paktat komunikime me botën. Që atëherë e ndiente tërheqjen prej mjeshtërisë së politikës.

Ndiqte me vëmendje politikanët e huaj, i bënte përshtypje gjuha e tyre, gjestikulacionet. Një art më vete! Fati e deshi që edhe ai të ishte pjesë e politikës dhe të kapte madje kreun e shtetit. Ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka shumë për të folur për etikën në politikën shqiptare.

Në librin e tij “Nocturn: Kur arsyeja errësohet nga pushteti”, botim i “UET Press”, ndër të tjera ai flet edhe për gjuhën politike, si ndryshoi ajo, që në fillim të viteve ’90 deri në ditët tona. Cilat ishin karakteristikat e gjuhës politike të Fatos Nanos e Sali Berishës, si ndryshoi ky i fundit nën ndikimin e një “mode” të re, që futi në politikë Edi Rama. Cila është gjuha e politikës sot…

BAMIR TOPI

ETIKA NË POLITIKË

Në vitet e rinisë së gjimnazit dhe sidomos gjatë viteve të universitetit, në mënyrë jo shumë të vetëdijshme, brenda vetes kishte filluar të futet një kuriozitet, i cili gradualisht po kthehej në pasion. Mezi prisja të gjendesha para televizorit për të ndjekur edicionin e drekës së “Telegiornale”-s, emisioni RAI-t italian, i vetmi që lejohej nga censura komuniste e kohës, që e kontrollonte sinjalin nga antena e Dajtit.

nano berisha

Mundohesha të mos e humbisja këtë rast, për të ndjekur me figurë e zë ngjarjet në Itali dhe në botë. RAI ka qenë i vetmi burim i informacionit dhe me ato lajme, ushqenim bisedat mes shokësh për të rejat, por edhe për tendencat e politikës botërore që prodhonin ngjarje që shoqërojnë historinë, por dhe etapat e jetës personale. Si një suplement i pazëvendësueshëm vinte informacioni që babai merrte çdo mbrëmje te “Zëri i Amerikës”.

Nga kjo pikëpamje dukej sikur e kishim thyer izolimin që na mbyste me propagandë, ku efekti i Revolucionit Kulturor Kinez shoqëronte propagandën politike dhe jetën kulturore e artistike. Kishte filluar të projektohej në sytë e mi, profili i politikës dhe i personazheve të saj. Në Itali, qoftë politikanët e demokracisë kristiane apo ata të së majtës, rrezatonin një mënyrë sjelljeje të ngjashme. Etika e komunikimit ishte mjaft qytetare, civile dhe atribut i profilit intelektual. Pavarësisht temave të nxehta dhe kundërpozicionet, ata i jepnin rëndësi argumentit politik dhe aspak gjestikulacioneve.

SALI BERISHA, EDI RAMA DHE BAMIR TOP
SALI BERISHA, EDI
RAMA DHE BAMIR TOP

E njëjta ndjesi vinte nga politika në SHBA, Francë e Gjermani. Ajo që i bënte të dukshëm në një standard ishte thjeshtësia, ekuilibri dhe fuqia në vendimmarrje. Po të hidheshe në kampin lindor, udhëheqësit sovjetikë ishin autoritarë, dogmatikë me retorikë agresive. Rasti i goditjes së foltores së OKB-së me këpucë nga kreu i Kremlinit, Nikita Hrushov, mbetet një gjest emblematik historik (12 tetor 1960). Në një nga momentet më të çuditshme të OKB-së, Nikita Hrushov, hoqi këpucën duke goditur tavolinën si protestë ndaj një fjalimi kundër politikave sovjetike në Europën Lindore dhe rregulli u vendos kur presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së theu çekiçin e tij, duke bërë thirrje për qetësi.

Reflekset e kësaj politike në epokën komuniste në Shqipëri ishin skolastike, dogmatike, të vendosura estetikisht në mënyrën e sjelljes së udhëheqësit, i cili kishte futur një psikozë frike që ndihej kudo. Ndoshta një nga arsyet pse populli i Tiranës e tërhoqi zvarrë bustin e Hoxhës lidhet me borxhin që një ditë do të lahet. E parë në këtë këndvështrim 360 gradë, politika ka qenë dhe mbetet koncepti i gjerë i shtetit modern.

Me origjinën nga greqishtja, “politika” mund të perifrazohet në “i mençur, i modeluar mbi punët e shtetit” (Aristoteli). A është politika një profesion? A është politika një shkencë? A është ajo zgjedhje e njerëzve të formuar dhe të gatshëm për vendimmarrjet e mençura të saj? A është komunikimi politik, etik apo i përzier me vulgaritet sipas rrethanave?

bamir topi

A lindin të predispozuar për t’u bërë politikanë apo njerëzit e zgjedhin gjatë interesave të përballjeve të jetës individuale? A është politikani produkt i vetvetes apo produkt i edukimit familjar dhe rrethanave shoqërore historike? Rrethuar nga dhjetëra pyetje të kësaj natyre e shumë të tjera, politika në sytë e mi është konceptuar si art i komunikimit, i diplomacisë dhe marrëveshjes, i vendimmarrjeve të rëndësishme për shoqërinë e shtetin, i përpjekjeve civile për të thyer injorancën dhe errësirën dhe për të bërë pjesë të vetes kauzat e mëdha të shoqërisë ku të gjithë bëjnë pjesë.

Në fillim të viteve ‘90, interesat natyrisht ishin të përziera, pasi gjithçka po ndryshonte në sistem. Katapultimi në politikë i shumë njerëzve vinte jo shumë nga koshienca, sesa nga instinkti pasionant që prodhonte ëndrra e tyre. Si një lumë, demokracia po grumbullonte përrenj për të ardhur i vrullshëm, pa kuptuar që një pjesë e madhe e ujit do të derdhej në det. E përdorur në mënyrë metaforike, po fillonte të shfrytëzohej nga një pakicë në kurriz të shumicës mundësia e artë për të prodhuar pushtet në shpinë të demokracisë. Duke parë majtas e djathtas, intuita po më thoshte se jo në çdo kohë mund të bësh politikë. Ideja se kishte shumë pasion nuk mund të mjaftonte.

Do të duhej pasion dhe komunikim, ndershmëri dhe etikë komunikimi, që, për hir të së vërtetës, në ato vite kishte me shumicë, por një pasion më i madh shkonte te shkenca, deri sa në një rrethanë shumë specifike të vjen ndër mend shprehja shekspiriane: “Të jesh apo të mos jesh?”. Natyrisht, kur vendos që të jesh, të marrësh pjesë, duhet të jesh vetvetja dhe asnjë rrethanë nuk mund të tjetërsojë. Kur vendosa të bëhem pjesë e politikës, fatmirësisht, nuk kisha asnjë model shqiptar, jo sepse nuk doja ta kisha, por shtresa e politikanëve vinte nga profesionet e tyre pa asnjë lloj eksperience, përjashto eksperiencat e disave që i kishin marrë gjatë militimit në Partinë e Punës.

Natyrisht, këta nuk mund përbënin model. Atëherë, referencat shkonin te politika botërore. Tek ato figura që kisha filluar t’i shoh në moshën e gjimnazit dhe të gjithë kishin një karakteristikë: të thjeshtë, të komunikueshëm, intelektualë, vizionarë, guximtarë dhe mbi të gjitha të sjellshëm në tërë dimensionet e komunikimit midis tyre, në publik, në media.

Bamir-Topi-libri

Ky ishte imazhi perfekt për një shkencë imperfekte, që do të ishte fryt i rrethanave të caktuara, duke filluar me familjen, rrethin shoqëror, edukimin. Kisha lexuar diku për psikologjinë dhe formimin e karaktereve se grekët e lashtë ishin të bindur se nëse dikush nuk sillet mirë, nuk ka cilësitë dhe etikën e komunikimit, nuk ka një raport të mirë me shoqërinë, te ky njeri “mungonin” shtatë vitet e para të jetës. Kjo të jep të kuptosh mjedisin familjar, edukimin, traditën, qëllimin e jetës, që nuk e merr dot në shkollë, për më tepër në shkollën e politikës, sado e sofistikuar është ajo.

Duke i hedhur një sy vlerësues historisë 25-vjeçare të politikës së tranzicionit demokratik, nga një pozicion i drejtpërdrejtë, do të thosha që bie poshtë një nga ligjësitë e pranuara botërisht nga filozofë e psikologë se evolucioni i një procesi detyrimisht i përmirëson të gjithë treguesit. Në fakt, sipas meje, në Shqipëri ndodhi ndryshe dhe po hedh paksa dritë në një temë që flitet dhe nuk thuhet se fillimisht kishte shumë pasion dhe mirësjellje. Parlamenti i viteve të para të demokracisë e demonstronte këtë, por ai i vitit 1996 do të sillte në institucionin e sovranit njerëz elitarë, profesionistë dhe me një etikë komunikimi që zor se do ta gjenim në elitën politike të pasngjarjeve të vitit 1997.

Periudhat revolucionare sjellin situata të tilla, por sidoqoftë, Parlamenti do të kishte në gjirin e vet, në të gjitha krahët, njerëz që do ta kishin të vështirë të binin në vulgaritet. Model i kësaj sjelljeje ishin Arbnori, Meksi, Pëllumbi, por edhe intelektualë të tjerë që etikën e kishin atribut të formimit qysh në familje. Madje, në historikun e njohjes sime me Sali Berishën shikoja tek ai një lider autoritar, por të sjellshëm, të fortë e korrekt, ku vulgariteti nuk shihej në asnjë sjellje të tij. Për hir të së vërtetës, edhe Fatos Nano nuk ishte vulgar. Lider liberal dhe terminologjia e tij, ndonëse vinte nga një “shkollë” tjetër, nuk ishte fyese.

Shembull klasik, kur fillon të ndihet një modë e re në politikë e komunikim publik vjen nga “shkolla” e Edi Ramës që u fut në politikë në vitin 1999, me fjalor sui generis, si për të qenë tërheqës për rininë që e ka për zemër antikonformizmin, qoftë edhe me etikën.

Pra, hyri dhe gradualisht po bëhej pjesë e fjalorit e komunikimit, aq sa po kthehej në psikozë popullore, që kur duhej të vlerësohej një njeri nga zotësia në politikë thuhej “është i zoti, është bir kurve”. Hap pas hapi po krijohej imazhi i një politikani të ri, që po hynte si virus dhe po infektonte gjithçka, madje edhe të vjetrit, duke hyrë në mënyrë agresive në Parlament dhe media.

Fjalori njerëzor dhe politik po degradonte në fyerje personale dhe fyerje deri në atë që quhej dhe njihej si “libri i shtëpisë”, domethënë familja. Ky tipar u kthye dora-dorës në dominant të jetës politike, që arriti kulmin me mënyrën e artikulimit te Sali Berisha, i tjetërsuar, agresiv, abuziv me të vërtetën dhe mik me shpifjen, i cili kishte përshkuar një trajektore të çuditshme, pa krahasim me asnjë model tjetër.

Metamorfoza normale e jetës njerëzore, qoftë kjo edhe në politikë, dëshmon modele e shembuj që duke kaluar në pleqëri, sjelljet normalizohen, maturohen, por ajo që ka ndodhur me të është unikale. I ashpër, dinak, i pabesë, i dhunshëm, shpifarak, dëshmojnë jo vetëm një përkeqësim të parametrave psikikë, por edhe pamje të qartë të formimit të tij familjar, ku ka marrë edukatën e viteve të para, përpara se të binte në duart e udhëheqjes komuniste, duke i shtuar karakterit sjelljen sektare, karakteristikë e drejtuesve në komunizëm.

Nuk ishte rastësi që ndryshimi i sistemit politik me Kushtetutën e vitit 2008 po ligjëronte pikërisht këtë mënyrë sjelljeje e komunikimi. Parlamenti i sotëm është vepër e tyre. Nëse Rama e ka të “lindur” dhe karakteristikë, Berisha pa kuptuar ka rrëshqitur në shtratin e kundërshtarit të tij, duke u bërë qesharak në artikulimin e tij, shpesh të mbushur me banalitet, duke rënë në grackën e “kampit armik”.

Mungesa e etikës në komunikimin publik kulmoi me ngjarjet e 21 janarit, ku ish-Kryeministrin e lëshuan nervat e fundit dhe artikuloi gjithë fjalorin e rrugës. Në ato kushte, a duhet të biesh në nivele të ngjashme? Kurrsesi, pavarësisht moshës dhe pozicioneve, vijmë nga formime të ndryshme dhe nuk mund të silleshim në të njëjtën mënyrë. Ka një mijë mënyra elegante për të thënë fjalën në kuptimin më të rëndë të mundshëm.

Përmbajtja është e rëndësishme, forma duhet të jetë gjithmonë etike. Ndonëse ka këndvështrime të ndryshme se si duhet bërë politikë në Shqipëri, sado traumatike dhe dëshpëruese mund të jetë sot, politika është profesion i njerëzve me edukatë familjare, të ditur dhe me motive të forta. Pse qenka e thënë që edhe në këtë pikë të mos ngjajmë me askënd, duke qenë të larguar shumë nga shembujt e mirë botërorë. Politikani shqiptar sot ka në gjak dhe në limfë një ADN që buron nga Kodi Zgjedhor i vjedhjes apo rrëmbimit të votës së shoqërisë, të atij sistemi që stimulon antiqytetarinë, moralin e grabitësit të së vërtetës, të atyre që i kanë kthyer partitë në korporata biznesi.

Në këto rrethana, institucioni i politikës nuk ka logjikë dhe mirësjellje, kulturë e përulësi, modesti e sinqeritet, vizion e pasion, por ndryshe nga këto, ka injorancë dhe servilizëm, arrogancë dhe mashtrim, mungesë vizioni dhe zhonglerë të fateve njerëzore. Fjalori i tyre nuk e njeh më komunikimin etik. Foltorja e Kuvendit apo selive politike të partive nuk ofron më asgjë, duke i larguar dhunshëm pasionantët e “sportit” të politikës në shoqëri. Kjo situatë më kujton gjendjen e një kryeqyteti në fillim të viteve ‘90, në mes të Europës.

Të invaduar nga droga, pisllëku, vrasjet dhe mungesa e rregullit publik, qytetarët e sjellshëm të qytetit të vjetër, i kishin mbushur muret me shprehjen: “Largohuni, banorë të vjetër të qytetit tim. Ky mjedis, tashmë, të ofron ty pikërisht atë për të cilën ti nuk ke nevojë”. Po a ka vetëm këtë mision politika? Eksperienca ime 20-vjeçare në politikë tregon që politika nuk është vetëm. Ajo është në simbiozë me median, e cila sot nuk më duket me mision publik.

Shpesh, ajo të zezën e bën të bardhë e anasjelltas dhe nuk mban përgjegjësi, sepse mbrohet nga një ligj që ajo vetë nuk di ta respektojë. Sot, misioni nuk është fitimi i audiencës së publikut, por kush bën mik kryeministrin e radhës. Nëse politika ka njohur rotacion, media në Shqipëri i është nënshtruar mutacionit të pushtetit të radhës, duke kontribuuar në një politikë të re me shumë interes, shumë vulgaritet dhe shumë shumë pak etikë.

Në jetën time politike dhe takimet e shumta me lider botërorë më kanë pyetur se cila veçori e liderit iu ka bërë përshtypje më shumë? Përgjigjja ka qenë e qartë: “Kam takuar katër presidentë të SHBA-së. Tipari i përbashkët i tyre është thjeshtësia dhe komunikimi me etikë. Janë të thjeshtë se janë vërtetë të mëdhenj!”./PANORAMA

SHKARKO APP