Bari “Dexamethasone” përdoret tek Infektivi
Bari “Dexamethasone” është një bar i përdorur në shërbimin Infektiv dhe vijon të përdoret për personat që kanë insuficiencë respiratore në gjendje të rëndë, pra ajo që në gjuhën mjekësore quhet “detresi respirator”, që rëndon situatën e këtyre pacientëve.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka siguruar medikamentin në fjalë, bazuar në kërkesat e shërbimit Infektiv. Së fundmi OBSH përgëzoi rezultatet paraprake të një studimi britanik mbi një medikament për të luftuar kundër sëmundjes respiratore të COVID-19, duke e cilësuar si një zbulim revolucionar.
”Testet në 2104 pacientë kanë treguar se dozat e ulëta të këtij medikamenti reduktojnë numrin e të vdekurve me një të tretën e pacientëve në ventilatorë dhe me një të pestën mes atyre që marrin oksigjen”, njoftuan studiuesit britanikë. Studiuesit i kanë përshkruar rezultatet si një zbulim i madh që do të shpëtojë jetë.