Bashkia Durrës nuk ju përgjigjet kërkesave të qytetarëve

Nga Aurora Shpataj –

Investimet infrastrukturore të cilat kapin vlerën e disa miliona eurove, që Bashkia Durrës vijon t’i zbatojë e tregojnë mungesën e reflektimit të kërkesave të qytetarëve. Një shembull i tillë është investimi me vlerë 63 milionë lekë në segmentin e Rrugës Aleksandër Goga, që lidh 2 ndër sheshet kryesore në Durrës, nga Mauzoleumi i Dëshmorëve deri tek Sheshi Liria (qendër). “Problemi qëndron tek vullneti i bashkisë se sa tek fondet . Mendoj që bashkia nuk e shikon të rëndësishme ndërtimin e korsive të biçikletave”, shprehet 21 vjeçarja Marina Dyrmishi, e cila është një përdoruese e rregullt e biçikletës.

Rruga “Aleksandër Goga”, segmenti i ri konstruktuar nga Mauzoleumi i Dëshmorëve tek Sheshi Liria, në të cilin nuk u përfshi korsia dedikuar biçikletave apo sinjalistika horizontale dhe vertikale. Foto: Aurora Shpataj. Por ka edhe qytetarë që nuk janë përdorues të biçikletës të cilët kërkojnë të ndërtohen pista. “Duhet të ndërtohen pista biçikletash. Është e rëndësishme, sidomos për një qytet si Durrësi. Bukuritë që ka Durrësi nuk mund të shijohen duke lëvizur me makinë , pastaj është e mirë edhe për shëndetin e mjedisin”, shprehet 51 vjeçarja Vasha Gjorgoni.

Bulevardi Dyrrah është një tjetër investim i kushtueshëm, me vlerë 63 milionë lekë, i cili u ri konstruktua 3 herë, ngjashëm si rruga “Pavarësia”që përshkon përmes plazhin e Durrësit. Në këtë investim me vlerë 5.5 milionë euro është një nga dy pistat e vetme të biçikletave në Durrës, që sipas përdoruesve është jashtë kushteve teknike të nevojshme për lëvizjen me biçikletë.

Përveç përdoruesve të biçikletës që konstatojnë mangësi në infrastrukturën e dy rrugëve të vetme që ka Durrësi të pajisura me pista biçikletash, problemet i konstatojnë edhe specialistët e fushës. “Durrësi ka vetëm dy pista biçikletash, por dhe ato nuk i plotësojnë plotësisht parametrat për të qenë të tilla. Korsia në zonën e Portit ngjan më shumë si një pistë, ku janë vendosur disa sinjale, shenja, por asgjë më shumë. Kjo nuk mund të jetë kurrsesi një pistë biçikletash e mirëfilltë”, analizon arkitekti Suer Bedeni. Të gjitha këto investime infrastrukturore janë bërë dhe ribërë disa herë, megjithatë çdo herë nuk ka pasur një reagim të bashkisë për të krijuar hapësirë për pista biçikletash.

Banorët e Durrësit nëpërmjet një pyetësori të zhvilluar nga grupimi “Bicycle Durrës” në kuadër të projektit “Lëviz për korsitë, pedalo i sigurt”, që mbështetet nga Lëviz Albania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC , ka treguar se qytetarët në 81% mendojnë se bashkia apo qeveria duhet të investojnë në pista biçikletash dhe vetëm 10% mendojnë se duhet investuar në parkime dhe pjesa tjetër e të anketuarve mendojnë se duhet investuar në sinjalistikë. Më datë 6 maj grupimi qytetar “Bicycle Durrës” ju drejtua me një kërkesë për bashkëpunim Bashkisë Durrës dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH). Aktivistët parashtruan se kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh dhe investimet e bashkisë dhe FSHZH-së që po realizohen këto ditë në qytet nuk i përfshijnë pistat e biçikletave.

Fondit Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Durrës nuk i ktheu asnjë përgjigje bashkimit të organizimeve të shoqërisë civile, Bicycle Durrës, Qendra Durrësi Aktiv dhe përfaqësuesi në Durrës i rrjetit të kryetarëve të biçikletave “Bicycle Mayor” – BYCS. Kjo dëshmon mungesën e dëgjesave publike dhe reflektimin e kërkesave të qytetarëve drejtuar pushtetit vendor e qendror në mënyrë zyrtare. Ekspertët shprehen se e vetmja gjë qëe pengon pushtetin vendor të ndërtojnë pista biçikletash është vullneti dhe një mentaliteti arkitektëve që hartojnë projektet. “Nuk ka lidhje me buxhetin sepse kur bëhet projekti i një rruge merren parasysh të gjithë aktorët, ku përfshihen edhe përdoruesit e biçikletës. Përveç vullnetit të bashkisë, mendoj që është dhe një lloj mentaliteti që e vë re tek arkitektët shqiptarë. Ato i japin rëndësi vetëm automjeteve dhe parkingjeve ,vijave të bardha , ndërsa, aktorëve të tjerë jo. Por ky nuk është një projekt i mirë, është i cunguar”, analizon arkitekti Suer Bedeni.

SHKARKO APP