Bashkia e Delvinës i jep shkrimtares Vojsava Nelo titullin “Qytetare Nderi”

 

Bashkia e Qytetit të Delvinës organizoi para pak ditësh një ceremoni festive, ku i dorëzoi titullin, “Qytetare Nderi”, shkrimtares Vojsava Nelo.

Kryetari i Bashkise Dhurim Alinani, në fjalën përshëndetëse tha se Delvina, ku Vojsava u lind dhe u rrit, është një qytet me tradita të lashta; me histori dhe kulturë të pasur, që di të nderoj bijtë dhe bijat e saj të shquar. Është një qytet që e ka bekuar Zoti me një natyrë të mrekullueshme, magjiplotë; me njerëz të virtytshëm e të talentuar që i kanë dhënë qytetit, vendit të tyre. Një ndër ta është bija delvinjote që po po nderojmë sot, shkrimtarja e mirënjohur, Vojsava Nelo.

Me urimin e tij, të anëtarëve të Këshillit Bashkiak dhe kryetarit të tij Dhimitraq Janku, që gjithashtu e përshëndeti këtë event, ai i dorëzoi titullin Vojsava Nelos.

Mes emocionesh Vojsava mori fjalën për përshendetjen e saj. Do të falenderonte për titullin “Qytetare Nderi”, kryetarin e bashkisë së qytetit Dhurim Alinani, Këshillin Bashkiak që e akordoi këtë titull, duke e vlerësuar si një të titull të lartë, sado tituj e vlerësime që mund të marrë një njeri. Vlerësimi i bashkëqytetarëve të tu, i njerëzve mes të cilëve ti lind dhe rritesh, është në vendin e parë, do të shprehej ajo. Një  sadisfaksion dhe një përjetim, që mbetet kulm. 

– Te gjithë ata që me njohin, – do të vijonte Vojsava, – nga afër apo qoftë dhe nëpërmjet krijimtarisë sime letrare, në të cilën autori ku me shume e ku me pak lë veten, e dinë, e besoj e ndiejnë, se per mua nuk ka qenë e lehtë. Përkundrazi. E vështirë. Por e rëndësishme është që ia mberrita. Ia dola dhe sot jam këtu, midis jush, për të gëzuar e për të festuar mundin dhe përpjekjen time. Letërsinë që modestisht kam shkruajtur dhe vazhdoj të shkruaj; poezitë dhe romanet e mia, të cilat frymëzimin e parë e marrin këtu, në qytetin tim të lindjes, në Delvinë. Tek bashkëqytetarët e mi. Këtu, tek rrënjët e mia. – “Tek rrënjët e tua”, – thotë shkrimtari nobelist grek, Seferas. Këtu, tek këto rrënjë, lindi ëndërra ime për t’u bërë shkrimtare. Në moshën studentore arrita të botoj librin e parë, (që atëhere, për të qenë të saktë, nuk ka qenë e lehtë, si sot), të titulluar, “Kur çelin ëndërrat”, poezi. (1977)

Më pas, do të vinë librat e tjerë poetik, si: “Mbretëroj”, “Idil në dy akte”, “Benvenuta Artemida”, (shqip-italisht), “Tretur tek puthja”, (lirika për dashurinë), “Gërsheti i prerë“, 2010. Prej vitit 1999, që shënon dhe botimin romanin të parë, “Mikesha e yjeve”, do të botojë romanet, “Vajza e Gjysmës së diellit”,“Të fshehtat e mikeve të mia”(Njëzetë e një ngjarje në një).

Sapo ka përfunduar romanin “Gruaja me të zeza”, 2015, që del këto ditë nga Shtëpia Botuese Toena, e cila është dhe shtëpia e botimeve të saj, drejtuar nga një vajzë delvinjote, e suksesshme, Irena Toçe. Botimet e Vojsavës janë mbështetur në vijimësi nga Shefikat Ngjela, një vajzë tjetër delvinjote, me zë në fushën e biznesit.  

Vojsava e ka zhvilluar aktivitetin e saj krijues krahas punës që ka bërë për të marrë një pagë mujore. Për të jetuar. – Nuk kam patur, – siç do të shprehej ajo, – luksin që të merrem vetëm me krijimtari. Me letërsi.

Kam kryer dhe kryej gjithë punët dhe detyrimet familjare, siç bën çdo grua. Mirërritjen e fëmijëve, përkushtimi im i parë, sepse CV-ja e çdo gruaje, cilado qoftë ajo, sado larg e sado lart të jetë ngjitur e të ngjitet në art, në politikë, në shkencë, në sport, e gjetiu, fillon nga mëmësia.

Titullin që sapo më dhatë, ua dedikoj dy fëmijëve të mi, Gentit dhe Artemidës. Jo vetëm sepse janë fëmijët mi, që po se po, por janë dy fëmijë që më kanë falur tërë jetën lumturi, duke më mbyllur shumë plagë, të vjetra e të reja; dhe ato që dukeshin të pambyllura. Duke i dhënë kuptim jetës sime, që shpesh, dukej i humbur.

Dy fëmijë, si dy prindër, të munguar për mua, duke më frymëzuar pambarimisht për jetë e krijimtari.

Më kanë dhënë fuqi, ndërkohë që të tjerët afër e rreth meje, vetëm kanë marrë. Kanë shkëlqyer në detyrimet ndaj vetes, jo vetëm si nxënës e student të shkëlqyer brenda dhe jashtë vendit, por para së gjithash me edukatën, me sjelljen shëmbullore; me tiparet morale dhe njerëzore që jam përpjekur t’u jap, krahas mësuesve dhe pedagogëve të tyre që, kudo janë, në Skrapar, në Delvinë, në Greqi, Itali, Amerikë, i falenderoj dhe u shpreh mirënjohjen time të thellë.

Genti sot është pedagog në një nga universitetet më të famshëm të Francës dhe mban prej 2-3 vjetësh, rreth 31-32 vjeç, titullin Prof. Asc. Dr., titull, që e ka marrë në SHBA.

Artemida, gjithashtu diplomuar me rezultatin exelentpër juriste në Universitetin e Bolonjës, është sot juriste në një kompani të rëndësishme në Milano.

Faleminderit fëmijët e mi! Hallall, siç i themi ne nga Delvina, qumështi i nënës; dashuria, përkujdesi, lodhjet dhe sakrificat e mia, shpesh, vetmohuese…

Po unë sot jam vërtet e shpërblyer. Jam e nderuar prej njerëzve mes të cilëve u linda dhe u rrita; e vlerësuar për punën time modeste. Të tjerat thërmohen. Bëhen pluhur. Hi.

Gjithçka këtu, në qytetin tim, për mua është e pakrahasueshme. E shkuara, e sotmja, e ardhmja, po se po. Delvina mua më frymëzon e frymëzimi më shpëton nga shumë situata.

U iki realiteteve të vështira, ndonjëherë agresive, si për këdo. Dhimbjeve që s’kam ç’t’u bëj?! Vuajtjeve që kanë mbetur pjesë e pandarë e shpirtit tim, ku, siç thotë Viktor Hygo, shkrimtari i madh francez i shekullit të 19, “shpesh ka mëshumë gjëra të mbytura në fund të tij, (shpirtit), se në fund të detit".

Delvinjotët më magjepsin. Jeta e këtushme. Njerëzit e këtushëm, këngët, legjendat, bestitnytë, zakonet, traditat, kthyerja e filzhanit, sazet e famshme, janë streha e shpirtin tim, e muzës, e ekzistencës sime.

Në rrugë e sipër, jam përballur jo pak me cmirat, xhelozitë, luftrat për vende e pushtet, eleminimeve absurde, aspak parimore, e mbi të gjitha, aspak njerëzore. Mëkat për ta!

Jam pushuar nga puna në vitin 2005-2006, moment kur prisja të kundërtën, si shpërblim edhe të investimeve të mia në politikë, por jo.

Nga ky moment, pra 10 vjet më parë, i thashë jo politikës, duke u strehuar tërësisht në botën time të artit. Frymëzimi- shpëtimtari im i madh. Aty jam. Dhe jam këtu, midis jush. Dhe kjo është e gjitha.

Ju falenderoj, iu drejtua të pranishmëve, duke e mbyllur fjalën e saj me një emocion të dukshëm:  

Mirënjohje të përhershme për të gjithë ata që më deshën jo se isha shkrimtare, por se ëndërroja të bëhesha; ata që më mbështetën, që me ndihmuan për t’u berë, për të mbërritur, te kjo dite e te ky titull.

*  *  *

Në këtë ceremoni përshëndetëntë ftuarit; miq, njerëz të artit dhe kultures; të medias.

Rudina Selimi Liçaj, përfaqësuese e shtëpisë botuese Toena në Bashkinë e Sarandës, në përshëndetjen e sajdo të shprehej se, jam e nderuar dhe e lumtur qe ne emer te shtepise Botuese Toena marr pjesë ne dhenien e titullit "Qytetare Nderi”, një prej diamanteve të kurorës së  qytetit të Delvinës. Një prej autoreve më të spikatura te shtëpise Botuese Toena, shkrimtares Vojsava  Nelo.

Ajo ka një gamë të gjerë botimesh si ne poezi edhe në proze, me një sukses të garantuar.

I urojmë  shkrimtares sonë të dashur nje krijimtari te metejshme, sa me te mbarë, dhe sukses në romanin e ri te sapo perfunduar, “Gruaja me te Zeza", të cilin e presim me interes të veçantë, e që këto ditë do të dalë në treg. 

Të burofshin vargjet si ujët e Bistricës…,  e dashur Sava! Suksese pa fund. Urime.

Thoma Nika, gazetar,

Vendlindja e saj, Delvina, i tha sot “je nderi i këtij qyteti". Pa asnje mëdyshje, Vojsava Nelo, poeteshë dhe prozatore e suksesshme, është dhe mbetet identiteti poetik i vendlindjes se saj, Delvinës, të cilën ajo e ka aq të shtrenjtë.

Sa me shumë Sava i largohet në kilometra, aq më pranë e të ngjizur e gjen në indin e saj poetik; në lotin njerëzor. Delvina është gati-gati në arësyen pse ajo është sot një poeteshë e degjuar. E shumëlexuar dhe e preferuar.

Delvina është në frymezimin e saj për mijëra motive, dhe mbase, për krijimet me të realizuara të korpusit të saj poetik. Dhe Delvina e qytetarisë me shumë se 500-vjeçare, di t'i identifikojë, t’i qemtojë dhe t’i çmojë vlerat e saj.

Vojsava është vlerë e këtij qyteti, është pasuri, prandaj qyteti i saj i bërë sot vendin e nderit në galerinë e emrave me të cilët ky qytet krenohet. “Një ndër diamantet e kurorës së Delvinës”, siç e përcaktoi saktë  Rudina Selimi Liçaj në përshëndetjen e saj.

Këshillit Bashkiak i qytetit, duke i dhënë titullin, i dha njëherazi një sadisfaksion dhe emocionin e madh. Atë ia dorëzoi Kryetari i Bashkisë, Dhurim Alinani, i cili, di të drejtojë e të investoje jo vetem per rruget dhe dritat, por dhe per autostradat e artit, që të çojnë në shpirtrat e njërëzve.

Gëzimi i Vojsavës është një gëzim i madh për të, por dhe për ne, miqtë, të njohurit dhe adhuruesit e penës së saj. Të gjithe ne morëm ndjesinë se, sot, shijuam një verë të vjetër. Për një veper që shkruhet me gërmat e shpirtit e që do të mbetet, pa asnjë mëdyshje, në panteonin e vlerave. 

Jam një nder miqtë e tu të hershem që u bëra pjesë e këtij gëzimi e që gjithnjë kam qene krenar për Ty. Por sot, e gjithe Delvina të tha: "Jam krenare per Ty!" Urime Sava!

 

Muhazeze Qilimi (Kanushi ), mësuese e letërsisë, midis të tjerash do të thoshte:

Nderimi i Vojsavës, ështe nder për vlerat qytetare, njerëzore, artistike të qytetit tonë. Të qytetarëve të tij, të vjetër e të rinj. Të kulturës dhe traditës sonë, vlera të cilat Sava jonë e dashur, rritur me mirësinë dhe dashurinë e njerëzve të këtij qyteti, me frymën e tij, i përcjell artistikisht në veprat e saj. Cdo ditë e më shumë, si në poezi, ashtu dhe në prozë. Mjafton të lexojmë romanin, ”Vajza e Gjysmës së Diellit”, apo librin me poezi, “Gërsheti i prerë“. Mesazhet e krijimtarisë së saj i takojne të sotmes, por dhe të ardhmes. Vepra e saj mbart mesazhe universale, prandaj ajo do të jetojë gjatë e do të shkojë larg.

 

Dr. Irena Gjoni, poete,

Ju përshëndes të gjithëve, miq e të ftuar në këtë takim kaq të veçantë dedikuar poetes sonë të dashur, Vojsava Nelo; bijës suaj, që do ta bënte krenar cilindo delvinjot, që do ndihej mirë, duke thënë se jam nga vendi i Vojsavës. Por edhe ne, miqtë e saj.

Urime të përzemërta për titullin “Qytetare Nderi e Delvinës”. Plotësisht i merituar. Përgëzime Bashkisë së Delvinës, z. Dhurim Alinani, të cilët kanë ditur ta çmojë kontributin e saj shumëdimensional. Edhe si poete, edhe si prozatore. Edhe si grua, edhe si mike. Si familjare, e mbi të gjitha, si nënë. E jashtëzakonshme.

Ajo është e sukseshme në çdo aspekt, pavarësisht sfidave përballë të cilave e ka vënë jeta. Ka ditur t’u bëjë ball, dhe ne sot kemi një “ Qytetare Nderi”, me vlera të mrekullueshme, sa artistike, aq edhe njerëzore.

Ka ditur dhe di, si rrallë, të rrezatojë mirësi edhe atje ku nuk ka. Inteligjencë, fisnikëri, e mbi të gjitha, dashuri. Di të kapet pas gjërave të bukura, pas njerëzve të bukur, duke i ikur gjithçkaje të shëmtuar e vrastare, duke përcjellë një energji, një pozitivitet dhe një optimizëm, që e bën kaq vitale e kaq të admirueshme. Kaq të suksesshme. Buzëqeshja e pashtershme e Vojsavës, për hir të së vërtetës, pambarimisht e bukur, përcjell haptazi botën e saj. Shpirtin poetik. Dashurinë e madhe për jetën dhe njeriun. Për artin e saj. Për muzën, me të cilën është organikisht e lidhur, si e lindur bashkë me të.

           Do doja të theksoja këtu se, Vojsava nuk është e dashur vetëm për mua, por dhe për nxënësit e mi gjimnazistë të shkollës “Hasan Tahsini” në Sarandë, të cilët, e përzgjedhin për ta lexuar e analizuar veprën e saj, duke dëshmuar edhe njëherë se Vojsava ka sot lexuesin e vet. Kjo padyshim është arritje. Është sukses. Urime Vojsava! Ta gëzosh titullin e lartë me të cilin të nderoj qyteti yt. Suksese!

*  *  *

Kritika për Vojsava Nelon dhe veprën letrare të saj.

Kritika do të shprehet se, Vojsava Nelo, është një nga shkrimtaret më të zëshme të ditëve tona; me një krijmtari paralele si në prozë ashtu dhe në poezi.

Vepra e saj shquan për humanizmin e gjerë, sinqeritetin, begatinë e ndjenjës dhe poetikën e fjalës. Sidomos në romanet e saj realizohet një arkeologji e thellë dhe e gjithanshme e shpirtit të trazuar të bashkëkohësit shqiptar. E pandikuar nga eksperimentet shterpe që kanë përfshirë jo pak krijues të ditëve të sotme, Vojsava ecën në gjurmët e traditës më të mirë të shkrimtarisë sonë, duke patur gjithmonë në qendër njeriun me tërë kompleksitetin dhe zhvillimet shpirtërore të tij. Ajo fokusohet në mënyrë të veçantë te metamorfozat dhe dilemat e forta të qenies; tek udhëkryqet dramatike në të cilat gjendet njeriu shqiptar, dukuri të cilat shkrimtarja i kundron të lidhura fort me zhvillimet politike dhe shoqërore. Në këtë mënyrë, vepra e shkrimtares së njohur fiton edhe një theks të dukshëm qytetar.

Një tjetër përmasë e rëndësishme e krijimtarisë së Vojsavës është dhe poetizimi i së bukurës dhe të dlirtës. E joshur përjetësisht ndaj qiellores dhe fluides, veçanërisht në poezi, autorja ndërton një unives letrar tërë dritë dhe harmoni. Ky peisazh letrar që sundon në poezinë e poetes shkon përshtat edhe me atë joie de vivre të bollshme që hieshon portretin e saj njerëzor.

Me interes është të nënvizojmë se krijimtaria e Vojsava Nelos ka për shtrat gjeneze qytetin e saj, Delvinën, një qytet ky i bukur dhe i pasur i vendit tonë.

Është kjo pasuri historike, njerëzore dhe natyrore muza e vërtetë e shkrimtares; janë historitë njerëzore të qytetit, fatet dhe dramat e tyre që lëvizin të transfiguruara në art nëpër faqet i librave të Vojsavës. Në të gjithë krijimtarinë e saj regëtin pulsi, ritmi; rreh zemra e qytetit të saj.

Është një rast unikal, do të thoshim, në të cilin gjenden në një simbiozë të plotë qyteti i lindjes, shkrimtari dhe krijimtaria letrare.

Përgatiti: Rudina Sokoli

SHKARKO APP