Bashkia e Tiranës dështon me kartën e studentit

Me kartën e studentit në Tiranë ofrohen 170 shërbime, por asnjë prej tyre nuk u shërben studentëve. Për RTV Ora ata shprehen se nuk duan ulje çmimi në shërbime estetike, por në libra e ushqime. Çmimet e konvikteve dhe qiratë janë të tjera shqetësime që ata kërkojnë si zgjidhje nga kryebashkiaku Veliaj.

Fabiola është pajisur me kartë studenti prej 5 muajsh por gjatë kësaj kohe nuk e ka përdorur asnjëherë. Shërbimet që ofrohen me çmime të reduktuara në kryeqytet ajo thotë se janë tërësisht të padobishme.

“Karta ime e studentit vazhdon të jetë në portofol, sepse njëherë që unë kam tentuar ta përdor nuk ka fumksionuar. I vetmi shërbim që mund të përfitojmë është aboneja. Madje kur jemi paraqitur për të tërhequr na është thënë se aboneja ka mbaruar. Kjo nuk është normale”

Kartën e cilëson jofunksionale  pasi në të nuk përfshihen shërbimet që janë bazike për të rinjtë.

“Studenti nuk ka dëshirë ta kalojë kohën në kafe, studenti ka dëshirë të informohet, studenti ka nevojë të ushqehet”

Kryetari i Bashkisë Tiranë e ka trumbetuar si sukses kartën e studentit, duke thënë se ofrohen jo pak por 170 shërbime në sektorin publik dhe atë privat. Por studentët e shohin si dështim,  përmes saj mund të përfitojnë ulje vetëm në muze e kinema, qendra estetike apo dyqane veshjesh të shtrenjta.

“Unë në jetën time nuk shoh asnjë lehtësi nga karta e studentit”

Ajo çfarë kërkojnë është kosto e reduktuar në ushqime apo librari.

“Do na lehtësonte puna e një biblioteke, mjekimeve të ndryshme, të vizitave të ndryshme, ne këto lehtësira nuk i kemi”

“Nevojat bazike të paktën sa për tu ushqyer”

“Ulja në qira dhe konvikte”

Në disa prej fakulteteve, studentët e vitit të parë edhe pse kanë një muaj që janë ulur në auditore nuk e kanë marrë ende kartën. Sipas të dhënave të Bashkisë janë mbi 21 mijë studentë që janë pajisur me këtë dokument.

Ora News - Dështon karta e studentit në Tiranë

/Ora News

SHKARKO APP