Bashkim Ahmeti shfaq “gjyqin” e Kadaresë dhe plakat përgjuese

 

Një ekspozitë në dy salla. Në të parën gjejmë Ismail Kadarenë, kudo, me pardesynë e tij bezhë, siç mund ta kemi fiksuar në vitet e kur emri i tij shënjoi sukseset e para. Në ecje, në këmbë para një muri ku rri ushtari i armatosur, mbi urën me tri harqe, mes “muranave” gjirokastrite, ose “në gjyq”, në ikje. Në të tjerat, është vepra e tij, janë plakat gjirokastrite që përgjojnë me dylbi nga dritaret, është prilli i thyer, është kronika në gur e shumë më tepër.

Piktori Bashkim Ahmeti ka çelur dje në Galerinë Kombëtare të Arteve një ekspozitë me 93 vepra në një sallë motivet kadareane e në tjetrën kompozime me përmasa të ndryshme ku shquhen motivet popullore, xhubletat e fustanellat.

“Bashkim Ahmeti ka një lidhje ombelikale me natyrën shqiptare, kostumografinë, ka lidhje me polifoninë, legjendat, portretet. Falë personalitetit artistik piktura e tij evidentohet mes qindra e artistëve. Kemi elementin e qeleshes, kemi elementin e valles, peizazhet e jugut, ndihet perspektiva dhe sjell ajrin e një vendi me një nga gjuhët më të lashta të Europës”,- tha drejtori i GKA-së, Artan Shabani.

Ndërsa kuratori Ylli Drishti, shtoi se “Ajo që vëmë re është edhe lidhja e fortë me personazhin shqiptar, që vjen përmes figurës me fustanellë popullore, të cilën artisti e vendos në situata të ndryshme sipas tematikës që ai pikturon”.

Vetë piktori, i pyetur nga “GSH” pse e sheh Kadarenë vetëm me pardesy u shpreh se “Ashtu më ka ngelur në imagjinatën time. Unë isha nxënës në Liceun Artistik kur ai ishte i famshëm. Ishte botuar ndërkohë “Gjenerali” dhe e njihnin të gjithë, romani ishte botuar në shumë vende të Europës. Më ka ngelur në atë imazh në kokë, ndaj mes shumë vizatimeve mendova se ajo do më ndihmonte për ta vënë atë në lëvizje të ngrirë”.

Ndërkaq, për Kadarenë mes mureve e gurëve, piktori tha se “murana, është gati surrealiste. Ai shkruan shumë për muranën te “Prilli i thyer”. Mendova ta vë kokën e tij në ndonjë mur. Nuk ka lidhje me rrezikun që i kanosej, lidhet me përjetësinë”. As Kadare mbi urë, që qëndron vetëm me një këmbë, a thua se do bjerë, nuk ka lidhje me rreziqet ndaj tij, për piktorin është thjesht “Ura me tri harqe”. Ai tha se marrëdhëniet e tij me Kadarenë nuk janë vetëm miqësore.

“Unë jam një admirues i letërsisë së tij, madje adhurues i artit të tij, ky është pozicioni im, ai është shkrimtari i madh, gjeniu i letrave shqipe. Kështu kam pasur rastin të takohemi edhe të diskutojmë, por përgjithësisht raporti im me të është raporti i një adhuruesi të letërsisë dhe artit të tij”. Ahmeti vërejti se idetë e Kadaresë janë në fondamentin e mbrujtjes së tij intelektuale. Veç artit, është, gjithashtu, Gjirokastra që i bashkon, duke qenë qyteti i lindjes së shkrimtarit dhe piktorit. “Jam vazhdimisht nën imazhin dhe impresionet e Gjirokastrës, por sigurisht mënyra si e ka parë Kadareja Gjirokastrën nuk mund të ketë shkuar pa influencuar përfytyrimet e mija”, tha Ahmeti. Ekspozita qëndron e hapur një muaj.

/GSh/

SHKARKO APP