Bashkim Shehu: Romani im nuk është pornografi politike

Me të mbaruar promovimi, Bashkim Shehu nxiton drejt daljes së Akademisë së Shkencave. Ndërsa gazetarët e presin për më shumë pyetje mbi romanin e tij, ai hap çantën e tij që e mban në krahun e djathtë, nxjerr prej andej një paketë cigare, një çakmak dhe ndez një prej tyre. Është një mot i ftohtë. Dita bëhet gri, njerëzit e përshëndesin e ikin, ai buzëqesh, falënderon, dikujt i rreh krahët, dikujt i premton ta takojë më vonë, ndërsa botuesja Irena Toçi, i kujton se brenda janë disa studentë të spanjishtes që e presin t’u flasë. (Edhe për këtë) përgjigjet i ka të shkurtra, shumë precize. Por, Shehu gjithherë ka thënë, se i pëlqen më shumë të shkruajë se të flasë.

Tymi i cigares i ngatërrohet nëpër duar para se të ikë lart drejt rrokaqiejve. Herë pas here ndalon, për të tymosur, për t’u menduar, për të parë bashkëfolësin në sy a për të përshëndetur dikë matanë. “Unë shkruaj në studion time. Zakonisht, shkruaj paraditeve”, thotë, kur “GSH” e pyet se ku i pëlqen t’i hedhë mendimet në letër. Me sytë nga cigarja e tij, që iu ruhet pikave të shiut të drekës, e pyesim nëse kur shkruan, pi cigare dhe sa të tilla, pra nëse cigarja është për të një muzikë në sfond, me të cilën mendimet kërcejnë mbi tastierë. “Jo, nuk pi cigare gjatë kohës që punoj. Vetëm kur bëj pushim, shkoj në ballkon ose mbyllem në kuzhinë kur jashtë bën shumë ftohtë”.

“Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve”, një roman-labirint i botuar nga “Toena”, është krijimi i tij më i fundit. Aty, përqeshet komunizmi, Enver Hoxha, pasardhësi i tij, regjimi, masoneria, frankmasoneria, flitet për dosje të Sigurimit, për nëpunës të tij, për gazetarë, për korrupsion, për regjime, për tunele të nëndheshme, për qeveri, të gjitha ardhur artistikisht në formë fiksioni. Imagjinata iu vishet disa personazheve e epokave që prej saj vijnë para lexuesit me pamje tjetër. Kartomancia, zë vend krahas tyre, ashtu si mitologjitë e fiseve të vjetra, tejendanë botës.

“E zgjodha këtë formë, sepse idetë që më erdhën në mendje, mbasi i bluajta me veten më çuan tek ajo. Jo që në fillim, por mjaft shpejt”. Pyesim nëse idetë vinin kur para kishte kompjuterin, apo nëse ai vraponte drejt kompjuterit, kur idetë vinin imponueshëm, në të tjera çaste. “Skeletin dhe konceptin e përgjithshëm e mendova që në fillim, para se të ulesha”, thotë, duke sqaruar se “pastaj duke shkruar fillonin e plotësoheshin. Aq më tepër që, duke qenë se janë zëra, në një farë mase të pavarur, rrija dhe e bluaja edhe njëherë para se të filloja çdonjërin nga këta zëra apo pjesë”.

Ai pranon se i ka ndryshuar mitologjitë sipas nevojave letrare, ndërsa lexuesi i parë, duket se ka qenë botuesja. Rithekson se librin e ka filluar në vitin 2013, ndërsa çështja e “muzeut të gjetheve’ ka ardhur më vonë, duke dashur t’i ndajë nga njëra-tjetra angazhimet e veta. I pyetur ç’do bënte nëse do e ftonin në një debat politik për hapjen e dosjeve, ai shprehet se nuk e kanë ftuar dhe se nuk e ka menduar ç’do bënte, megjithëse nuk ngurron të deklarojë se nuk ka arsye të mos hapen ato, edhe pse, nuk pret të ketë në to ndonjë gjë të madhe, nuk pret as katarsis e as shkëputje nga epoka e tyre.

Shkrimtari, një ish-i dënuar politik që vdekja e diktatorit e gjeti në burg, nuk ka kuriozitet për dosjen e vet, sepse e di çfarë i ka ndodhur. E ka bezdi kur i kërkojnë të shpjegojë punën e tij. “Autori nuk e di asnjëherë se si e bën dhe pse. Më erdhi një ide që më pëlqeu, m’u duk e bukur. E kam të vështirë të tregoj se ç’përmban vepra ime apo ta shpjegoj atë. E kam të vështirë, sepse ç’kisha për të thënë i kam thënë në libër”. Nga ana tjetër, nuk është e vështirë për autorin të thotë çfarë nuk është libri i tij: një sensacion.

ÇFARË NUK ËSHTË KY ROMAN 
Për shkrimtarin e heshtur, atë që pëlqen të rrijë në hije, që nuk i do intervistat, as bujën, ky është libri që i ka dhënë më shumë kënaqësi në të shkruar. Shehu kujton se botimi përkon me diçka që do kryhet në këtë ndërtesë (Akademia e Shkencave), po në anën tjetër, ku javën e ardhshme diskutohet për hapjen e dosjeve. Megjithatë, nuk do që të krijohen keqkuptime për ta marrë librin ashtu siç nuk është.

“Mund të sjellë ngatërresën e fiksionit me realitetin dhe botimin e një vepre letrare ta bëjë të shihet si sensacion i ditës. Dhe vërtet, vura re këto ditë që është thënë: djali i Mehmet Shehut, roman për Sigurimin e Shtetit. I falënderoj që më kanë quajtur djalë, me gjithë moshën, por kjo mund të ketë keqkuptime dhe jo vetëm me moshën time, por edhe duke vënë këtë titull ‘djali i’, se krijohet ideja: ky duhet të dijë gjëra për Sigurimin e Shtetit. Kur është në gazetë është ndryshe nga kur e lexon në roman”, shprehet shkrimtari, ai pra, që pëlqen të rrijë në hije, i heshtur, që nuk është fort tip mediatik, që nuk ia ka ënda të dalë në shtatë televizione e gazeta, ai që duket se, ose s’e ka kuptuar si funksionon ‘marketingu’, ose më me shumë gjasa, nuk i pëlqen të ndihet si ‘celebrity’, që e sheh imazhin e vet në media, më shumë se në pasqyrë.

Mandej, ai kujton një tregim të Borgesit: “Pier Menar, autor i Don Kishotit”. Për ata që s’e kanë lexuar sjell në kujtesë se subjekti flet për një shkrimtar që vendos të shkruajë “Don Kishotin”, po atë të Servantesit, fjalë për fjalë. Bën ushtrime për ta arritur këtë. “Dhe thotë Borgesi, megjithëse është fjalë për fjalë, është ndryshe Kishoti i Servantesit, pasi ndryshe është të thuash: ‘Historia, nënë e së vërtetës’ në kohën e Rilindjes Europiane e ndryshe kur e thotë një autor në fund të shekullit XIX”. Shehu, sjell këtë shembull, për të bindur këdo se ndodhitë në roman, me diktatorin, shpurën dhe regjimin e tij, nuk janë reale.

“Njerëzit mendojnë se janë ngjarje reale. Unë dua që lexuesit të ndjejnë atë kënaqësi që pata unë duke e shkruar, duke e parë si vepër letrare. Nuk dua të shihet si ‘reality show’ a më në thellësi, si pornografi politike”, thekson ai. Kur e pyesim “ç’është pornografia politike”, Shehu përgjigjet: “Sensacionet e ditës për gjëra të vogla që shndërrohen në ‘show'”. Cigarja e tij ka mbaruar, të gjithë kanë ikur. Ne e lëmë dhe ai iu drejtohet studentëve, po aq i ndrojtur, i heshtur dhe me padëshirën e madhe për të qenë protagonist. Në një ditë si kjo, po të ishte në studion e tij, ai do i drejtohej kuzhinës për një cigare. Është shumë ftohtë./BW

SHKARKO APP