Bekimi me identitet

 

Nga Prof. Asoc. Dr. Rahim OMBASHI

Për qytezën e Dardhës korçare është shkruar, është folur jo më pak, janë dhënë pamje apo fotografi dhe mirë është vepruar, por qyteza malore duhet parë edhe si mjedis ku komunikimi i lirë krijoi faktin që i paraprin fenomenit. Matematikani Warren Weaver ka shkruar: “Komunikimi është mjeti me të cilin një mendje influencon një tjetër; të cilat shumë herë nuk kanë lidhje, si në rastin, kur i jep dikujt për të pirë.” Banorët e Dardhës, nga halli apo nga malli, i dhanë dhe i japin shoqërisë shqiptare një model pozitiv. Pas kurbeteve stinore, kur ktheheshin i prisnin me qull, se aq arrinin të sillnin në familje. Pyesnin njëri-tjetrin kur takoheshin dhe ishte e njëjta gjellë, e njëjta gjendje, atëherë natyrshëm dilte mallkimi eufemik: “Na hëngri qulli i Dardhës”. Mërgimi ua kishte shpjeguar domethënien e proverbit “Guri rëndon në vend të vet”. Nuk duket të jetë i huazuar nga ndonjë popull tjetër, kur dihet simbioza me malin, peshën e rëndësinë e tyre, si një ekuivalent përplotësues i mungesave pa fund. Në antitezë me të është proverbi latin si alternativë mbijetese: “Ubi bene ibi patria” ("Atdheu është ku është mirë"), që të fton të pranosh të jetosh edhe kur nuk të lidh asgjë me mjedisin përreth, ku po shtyn jetën. Për t’i shpëtuar ‘qullit’ si filozofi e mbijetesës, u binjakëzuan me vendlindjen, barkun bosh e plotësonte shpirti i tyre plot, zemra e tyre e pastër, e kthyen varrin në kod të shenjtë dhe me kujtimin si barrë nisnin e nisnin udhëtimet. Nuk del hesapi i shtëpisë në pazar, thuhet në anët tona, por kur nuk të mban dot nëna, do të pranosh njerkën dhe dështimin e pranonin si përvojë.  

Shqiptarët kanë filluar të largohen nga vendi i vet qysh kur nuk nuk mbahet mend. Çabej thotë se kjo rrjedhje u shtua kur Evropa ishte në kulm me Rilindjen e saj humane. Ikja u bë më masive në periudhën e fundit të Perandorisë Otomane. Në epokën e Rilindjes sonë Kombëtare të ikurit krijuan koloni, shoqërira apo vëllazërira, diku klube, më shumë në Stamboll, por edhe në Bukuresht, Sofje, Kajro, Odesë, Selanik e gjetiu. Kur Evropa, Azia dhe Afrika nuk i mbante më, iu drejtuan Amerikës, më pas Amerikës së Zezë (Amerika e Jugut) e deri Australisë.

Në limanin e krijuar nga emigrantët, filluan të ndiheshin komodë. Në fillim jetonin në konakë të përbashkët fshatçe, por më pas filluan të merrnin edhe ‘llokumet’ (si i quan Noli vajzat te skica “Bukuritë e Korçës”) nga vendlindja duke u ngulur me rrënjë. Kur u bë Atdheu, filluan të kthehen masivisht, të tjerë mbajtën lidhjet me vendlindjen. Ka që nuk u eci kurbeti i largët (shatërvani te Lëndina e lotëve në Korçë ka vënë kujën dhe nuk ndal lotët asnjë çast), por Dardha, një qytezë rreth 18 km në juglindje të qytetit të Korçës, ngritur mbi Moravë, pati jo pak mirësi dhe mbrothësoi në dhe të huaj.

Më 1 janar 1905 bijtë e saj krijuan shoqërinë e parë fshatarake “Vëllazëria Mirëbërëse e Dardhës”, Boston Mass. Pitts St. Shpejt prej saj veçohet “Vëllazëria Patriotike e Dardhës” (1906), ndarje që nuk shkoi gjatë. Atdheu i demokracisë i ndihmoi të kuptonin se duhej të jetonin kolektivisht. Dy shoqëritë dardhare ribashkohen më 1910 dhe kësaj here kanunorja u shkruajt shqip. Me ndihmën e tyre, më 1917, çelin shkollën e parë shqipe në Dardhë. Shoqëria u riorganizua më 1918 me emrin “Mbleta”. Së pari, shoqëria mendoi për ‘varretoren’ e re, martonin vajza të vobekta nga qyteza dhe pastaj për ndërtesën e re të shkollës, 1924, për të cilën shpenzoi rreth 15. 000 dollarë.  

 

Ku ka varre, atje ka jetë. Ku ka oxhak dhe dasma, atje ka shpresë. Ku ka kishë, shkollë, atje ka besim dhe ku ka besim amaneti ruhet e përcillet.

Kështu vijoi gjatë, shkonin e ktheheshin. Në kurbet filluan të merren me veprimtari shoqërore, kulturore, patriotike por dhe nisin të shkollohen masivisht. Janë të shumtë dardharët që vijuan Liceun Kombëtar të Korçës apo u shkolluan në shkolla të huaja. Komunikimi, strategji e ndërhyrjes, sipas Foukault (Foucault) i përplotësoi në vetvete, duke u rritur e forcuar identitetin krahinor e më gjerë. Amaneti patriotik i bëri veprimtarë të çështjes kombëtare, ku spikatin Josif Pani (bashkëpunëtor i Konicës), Sotir Peci (bashkëpunoi me Nolin), Thoma Nassi etj. I bëri firmëtarë të aktit të Pavarësisë Kombëtare, klerikë të KOASH, artistë, zanatçinj të nderuar, sportistë. Nga Dardha ka profesionistë të spikatur, si: Koço Glozheni e Vangjo Llaci etj; u bënë artistë, si: piktorët e familjes Zengo, Vangjeli-babai me vajzat Androniqi Zengo dhe Sofia Zengo; shkrimtarë, si: Teodor Laço, Ben Blushi e Kristaq Balli etj; publicistë, si: Fuat Memelli etj. Por dhe shtetarë, ushtarakë madhorë dhe civilë, zyrtarë të lartë, shkencëtarë, drejtues partish, ministra etj. Ata që zgjodhën të jetojnë matanë oqeanit hynë në garë dhe nuk mbetën pas, por ata që u kthyen, bashkë me dollarët, sollën edhe idealizmin amerikan, kështu që, natyrshëm, kosheren e ngrohtë e bujare, që i përcillte me përgjërim dhe i priste me mall, e quajtën “Shpresa”.

Emigrantët bënë shtëpi, ndërtuan rrugën Boboshticë-Dardhë, riparian kishat, çezmat, shtruan kalldrëmet dhe, natyrshëm, në qytezën mes pyjesh filluan të mbërrinin miq, mtonjës për martesë, vizitorë, por edhe turistë. Lasgushit shëndetlig i pëlqente të veronte aty, ku siç shkruan Asdreni: Faqet verdha, faqet bardha / Dhe të dobtat mushkëri, / Prap të kuqe t’i bën Dardha / T’ep fuqi dhe lumturi!

Bardi i shqipes shkroi edhe një poezi për shigjetën e cila e shenjoi, që siç thuhet nga dardharë të lexuar, e dehu po atje, por që veç vargjeve të ndjera të tingëllimës i la edhe zjarrin në gji: DASHURI DARDHARE Kjo mbrëmje plot me qetësi,/ Kjo pamje plot me bukuri,/ Kjo dehje plot me fshehtësi./ Dhe vasha ndjen, dhe vasha ri / Dhe trimi vjen, dhe trimi s’ri,/  Dhe zemra bren e zjen në gji. / Si ndrin kështu, moj vashëri! / Si shkrin kështu, moj trimëri!/ Kjo mbrëmje’pamj’e dehje e fshetë,/ Dhe vash’e trim’e zemr’e shkretë, / Si ndrin e shkrin e plas përjetë.

Pas poezisë së Lasgushit, në fund të guidës turistike të vitit 1938 prej 32 faqesh, një zemër e dashuruar zgjodhi e vuri vargjet e këngës erotike SHAMIVERDHA PIKA-PIKA.

Teksti i shkurtër prej vetëm tre vargjesh, sepse vargu i dytë përsëritet si refren i krijimit anonim, del si një dialog, i cili përsërit vargun ku poeti pranon se i është dorëzuar dashurisë tërësisht, ku shami-verdha e plagosur arrin të vrasë, të marrë shenjë jo me një (plaga do të ishte ndoshta më e lehtë), por me dy mollë (të pjekura, gjithë aromë dhe me ngjyrë mjalti prej lulesh) njëherazi. Ngjyra e verdhë spikat edhe te kopertina e guidës, në sfond të vajzës me kostum dardhar, si edhe në tegelat e verdhë të tij. Ajo ngjyrë bën ‘të ndrijë vashëria dhe të shkrijë trimëria’; sepse nuk mund të jetojnë të ndara, veçse, kur digjen nga ndjenja, krijojnë shpërthimin e përjetshëm. E verdha është diell, dashuri platonike, miqësi, gëzim, kënaqësi dhe besim për të qenë më mirë. Është pasuri, vjeshtë e begatë, ar. Është kujtesë që të thotë se je i përkohshëm dhe që përkohshmëria përsëritet në natyrë. Ngjyra tregon se mollët janë zverdhur kështu që mtonjësit le të shpresojnë, të paktën kështu. SHAMIVERDHA PIKA-PIKA Ajde shami-verdha, o moj pika-pika, /  Më vrave, të vraftë pika; / Ajde me dy mollë, o moj të godita, / Më vrave, të vraftë pika!

 

Pas Luftës II Botërore qyteza filloi të boshatisej, bijtë e saj u shpërndanë nëpër atdhe dhe lidhjet me Amerikën zunë të dobësohen, sepse nuk shkonte më askush. Ata, të pakët, që ktheheshin për të pleqëruar, edhe kur zhgënjeheshin, nuk mund të largoheshin përsëri, por dhe koha bëri të vetën. Shkolla, ndonëse me pak nxënës, vijoi deri vonë, tre nxënësit e fundit u larguan me gjithë familjet në Bilisht e Korçë, por foletë nuk i prekën. Ndërtesa e heshtur shoqëronte kishën e Shën Gjergjit të porsaçelur dhe komunikimi u ndërpre.  

Pas vitit ’91 shumëçka ndryshoi. Rifilloi emigracioni, kryesisht për në Amerikë. Jo rastësisht u përsërit e ndodhura e viteve ’20. Filluan dardharët të rindërtojnë shtëpitë, por edhe të ndërtohen të reja, pastaj hotele, vila, udhë të gurta. E shkuara që nuk blihet, sipas Hegelit, duhej dokumentuar. Kristaq Balli, ky dardhar me shenjë, inxhinier kimist me profesion, por artist në shpirt, iu fut punës për projektin e muzeut dhe si vend realizimi zgjodhi shkollën e boshatisur.

 

Puna nisi me projektin e restaurimit të ndërtesës nga ing. Pavli Petri dhe u mbështet nga donatorë institucionalë, si: Shoqëria Dardhare “Shpresa”; Shoqëria Dardhare “Bleta”, ShBA; Ambasada e ShBA, Tiranë; Komuna Drenovë, Korçë; Konsullata e Përgjithshme Greke, Korçë; Kompania Konstruksion 93; Dorkas flid., Shqipëri; Këshilli i Qarkut Korçë; Kompania e sigurimeve “Sigal”; Birra Korça. Numri i kontribuesve familjarë e personalë  ishte sa më i madh dhe ndihmesa e tyre modeste nuk shkoi kot. Si datë e përurimit të muzeut Foto-Historik Dardhë do të mbetet 16 gushti 2015. Foto-Muzeu u çel në hollin e brendshëm të shkollës. Adresa e tij elektronike: www.dardha.org.

Nga anash tij një nga klasat është përshtatur si dhomë pritjeje, kurse një tjetër është ruajtur si muze real i shkollës. Klasat e tjera mund të jenë mjedise për të ekspozuar. Eksponatet sa vijnë e shtohen, kësisoj do të hapen edhe dhomat e tjera dhe muzeu nuk do të jetë më vetëm fotografik. Befasohesh kur e viziton. Përvoja shumë e gjatë si punonjës shkencor i Muzeut të Artit Mesjetar të Korçës e ka ndihmuar Kristaqin që të nderohet edhe këtë herë. Dëgjoja vizitorë që e uronin dhe ai i drejtonte urimet te të gjithë ata që ndihmuan në çeljen e muzeut.

Gjatë kohës që vizitova dhomat, hollin, fotografoja stendat salla u mbush plot. Ajri i filtruar nga pylli të krijon ndjesinë se je më i lehtë, më i ri. Plot emocione nisemi për në bar-restorantin aty pranë, por muzeu ishte hapur me Koli Skënden, ish-drejtor shkolle, konsulent historik i tij dhe ciceron pasionant.  

– Kjo është shtëpia e Laura Kondës, folëses së Zërit të Amerikës, – më sqaron Kristaqi. E rikonstruktuan si familje duke ruajtur traditën e materialeve të ndërtimit. Gjithçka është punuar me gur vendi. E reja është se kanë filluar të përdorin tjegulla në ngjyrë të errët në vend të plloçave të gurta apo të teneqesë së dikurshme. Dritaret e çelura të vilës, e siguronin të zonjën se e prisnin, kur të kishte mundësi.                                                                                          

 

Na priste për një kafe Teodor Laçoja, Kryetar Nderi i Shoqërisë Dardhare “Shpresa” me Mirjanin që nuk i ndahet. Teodori ka shtëpinë e vet këtu, kishte dhuruar dhe të gjithë librat e tij për muzeun.

 

 

– Ishte shumë i pasur, jo vetëm shumë fin, imponues, – i them, sa për të nisur bisedë. Kapelja me strehë dhe një xhakavento e hollë prej pambuku në ngjyrë të bezhë të hapur e kishin larë me sedef. Ky bir i shquar i qytezës i ka eshtrat e babait në Amerikë, por, ndonëse shtetas amerikan, si shkoi e vuri lulet atje, u kthye. E mbështetën edhe dy djemtë, regjisorë të talentuar në televizionin “Klan”. Pandi me Fabiolën ishin pranë emrit të babait të tij si kontribues familjarë.

– Duhet të vijojë mbledhja e eksponateve, e fotove, librave, albumeve, kanunorëve, mund të ketë dokumenta të tjera, por duhet edhe mbështetje institucionale nga Bashkia Korçë. Është, këtu, më shumë se historia e një qyteze, është histori e komunikimit me pasojat që sjell ai, një histori që ka edhe dhimbjen, mallin, por edhe shpresën.

– Dardharët kanë realizuar një komunikim me përgjigje, ndaj duhet dokumentuar, ndryshe ndodh siç ka theksuar Jese Aragurean: “Komunikimi pa përgjigje nuk është një komunikim i vërtetë.”- i jap udhë bisedës.

Dikush nga tryeza pranë erdhi të takohej me Teodorin, i premtoi se do t’i dërgonte disa foto Kristaqit dhe pasi u përshëndet na tha se do të kthehej si të vinte në udhë ca punëra në Boston. Qyteti na u duk i afërt si Korça aty poshtë Moravës, Elbasani apo Tirana. I uruam fluturim të mbarë njeriut që po ikte i mallosur dhe e besuam. Përgjigjja dëshmon për forcimin e identitetit vetjak dhe atij kombëtar por edhe identiteti realizon komunikimin. Mbi shtëpitë që po riparoheshin apo ishin në ndërtim valviteshin flamurë të kuq me shkabën dykrenare në mes.  

Ish-ministri i Kulturës, duke gjerbur kafenë, i vihet befas shpjegimit të origjinës së shprehjes frazeologjike“E preu me sopatën e dardharit!” – Do të thotë se përgjigjet saora, nuk zgjatet, është lakonik, merr vendime të prera, të guximshme, – sqaron duke nënqeshur tërë dinjitet e fisnikëri.

SHKARKO APP