Berat, si u ndërtuan tunelet dhe muret gjigande për t’u mbrojtur nga turqit

Nga Dilaver Xhelili

Historitë e qytetit 2400-vjeçar nuk kanë të sosur në shumë sfera. Berati është një ndër qytetet e rrallë, i cili i takon agimit të njerëzimit. Një kohë, kur ujërat rridhnin të pakontrolluara dhe shkatërruese, në këtë zonë u krijua një masiv shkëmbi, i zbuluar nga natyra në sajë të këtij lumi, i cili duket të jetë vënë posaçërisht për të mirëpritur një qytet ku jeta filloi të organizohej për më shumë se 2400 vite. Historia në këtë qytet duhet të ketë përqendruar këtu drama dhe tragjedi. Duke qene një nga qytetet më të rëndësishëm të mbretërisë ilire, i banuar nga një tribu e madhe. Në vitin 1417 Berati u mor nga turqit.

Heroi kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, mori në konsideratë rëndësinë e qytetit, e rrethoi në korrik të 1455, por ardhja e papritur e 40.000 kalorësve turq shkaktoi një humbje të rëndë. Gati të gjithë ushtarët italianë, të cilët ishin vënë në dispozicion prej Alfonsit të V të Aragonës për t’i dhënë ndihmë Skënderbeut nën komandën e Raimondo Orsatës, mbetën të vrarë poshtë mureve të kalasë. Në atë kohë sipas regjistrit turk të vitit 1431, në Kalanë e Beratit ndodheshin 227 familje, me një total prej rreth 1500 banorë.

Në shekullin XVI Berati mori zhvillim paralelisht me rritjen e Perandorisë Otomane. Ndërtime të reja u bënë jashtë mureve të kalasë, në momentin e parë jug e juglindje, dhe më pas përgjatë anës së djathtë të lumit Osum, dhe, më në fund, përtej lumit, në anën jugore të kodrës së Goricës. Në fund të shekullit mund të numëroheshin 1019 shtëpi, me një total prej rreth 7000 – 8000 banorësh. Një zhvillim të madh mori artizanati, i cili dëshmohet nga lindja, bashkëpunimi dhe tregu i lulëzuar.

Berati është ndërtuar mbi një masiv shkëmborë të Kalasë. Monumentet e kulturës, si dhe Tre lagjet kryesore muzeale të qytetit, janë ndërtuar mbi një masiv shkëmborë. Si kalaja, Mangalemi dhe Gorica e bëjnë qytetin e Beratit shumë interesant. Këtu ndërtesat janë projektuar dhe ndërtuar nga duart e njerëzve të parë specialist të kësaj sfere. Një arkitekturë mbështetur më mençuri, si dhe bukuritë e natyrës, ka bërë që qyteti Beratit, të jetë një nga qytetet e veçanta jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë.

Muri Galeri

Ndodhet ne shpatin Jugor të kodrës. Rrethimi me mure i shpatit Jugor të kodrës nuk kishte për qëllim të përfshinte një lagje të jashtme të qytetit, por të krijonte një zonë të mbrojtur deri të lumi e cila është e nevojshme për furnizimin me ujë në raste rrethimi pra qëllimi i ndërtimit të tij ishte për të furnizuar popullsinë me ujë, si dhe për të lidhur kalanë me pjesën e poshtme të qytetit.

Ky kompleks ishte i mbuluar me një sistem arkadash dhe ndjek pjerrësinë e terrenit, si dhe nga 1056 shkallë. Mbi shkëmb ndodhet një kulle katërkëndeshe. Nga lartë kulla mbulohej me çati me tjegulla qe ruante topat dhe municionet nga shiu. Të tre kullat që përbejnë këtë kompleks janë përcaktuar vetëm për artileri. Muri përbëhej nga një sërë frëngjish, si dhe dritare të vogla të cilat shërbenin për ndriçim. Muri galeri u ndërtua në vitin 1280.

Tabja

Kjo është një nga kullat kryesore të kalasë nga ku mund të shikojmë qytetin e vjetër dhe të ri të Beratit. Nga kjo pikë mund të shikohen të dy malet, Tomorri dhe Shpiragu, të cilët së bashku me kalanë lidhet dhe me legjendën më të bukur të Beratit. Është një humnere e thepisur ku asnjë njeri nuk guxon të shoh poshtë e cila ndodhet në pjesën jugore të kalasë. Shkëmbi i thepisur poshtë kullës quhet “Rasa cekbeni”. U quajt kështu nga thirrja e ushtarit turk gjatë rrethimit te Beratit ne vitin 1455. Osmanët të rrethuar në kala pa asnjë shpresë shpëtimi, i kërkuan komandanteve shqiptar një armëpushim.

Një ushtar zbriti nga rasa me likardhe udhëtoi natë e ditë drejt Adrianopojës, i beri të njohur sulltanit situatën e rëndë. Pas një shpërblimi të majmë ushtari u kthye përsëri dhe thërriste poshtë shkëmbit “Cekbeni, cekbeni” u ngjit në kala dhe i dha kurajo garnizonit që të duronte se së shpejti vinin përforcime të drejtuara nga vetë padishahu. Ushtria otomane e gjeti ushtrinë shqiptare në gjumë, e cila çlodhej nën besimin se kalaja ishte marrë. Vrasja e shumë shqiptarëve dhe napolitanëve që kishin ardhur për ndihmë shënon dhe humbjen më të madhe që pësoi ushtria e Skënderbeut.

Stera e ujit

Sigurimi i ujit ka qenë domosdoshmëri për kohën. Ai kryhej me anë të sterave, puseve. Stera me e madhe është ndërtuar në shek XII-XIII kur Berati u bë kryeqendra e familjes se Muzakajve. Gjendet në pjesën më të mbrojtur të qytetit, në rrethimin e brendshëm të akropolit. Stera mbulohet me qemere eliptik. Muret e pjesës ujëmbajtëse ndodhen nën sipërfaqen e tokës, pasi shtytja e ujit përballohej nga masa e shkëmbit, si dhe e mbante ujin të freskët. Për këtë arsye dhe dritaret e ajrimit ndodhen nga ana Veriore, pra nuk ekspozohen rrezeve të diellit. Uji akumulohej me anë të një sistemi tubacionesh.

Stera është e suvatuar me llaç me pluhur tulle që pengon depërtimin e ujit në mur. Rreth 2000 m3 ujë që mbante kjo sterë ka qenë sasi e konsiderueshme për nevojat e qytetit si dhe për t’i rezistuar rrethimeve të gjata. Numri i madh i veprave për furnizimin me ujë të qytetit larmia e zgjedhjeve, sipas rastit, flasin për një shkalle të mire të nivelit ekonomik e shoqëror të qytetit dhe për një nivel të mirë të ndërtuesve të tij.

KALAJA

Është monumenti më antik, me një sipërfaqe 9.6 ha, i cili ngrihet në një kodër 187 m të lartë, e rindërtuar disa herë gjatë periudhave të historisë. Ndodhet në pjesën e sipërme të qytetit dhe ka mure të larta rrethuese të ndara nga 24 kulla të formave dhe dimensioneve të ndryshme, të ndërtuara në periudha të ndryshme. Është ndërtuar me gurë gjigandë në formë katrori. Në periudhën bizantine kështjella ndodhej në listën e fortifikimeve të Justinianit. Muri rrethues rrethon kodrën, e cila dominon qytetin aktual të Beratit dhe ka formën e një shigjete drejtuar nga veriu, në fakt, më parë formonte një zinxhir me kodrën për ballë Goricës, e cila është 6 m më e lartë.

Lumi që kish formuar, në këtë pikë, një liqen dhe shumë larg një kaskatë gërreu pak nga pak shkëmbin duke formuar një grykë të ngushtë. Për këtë motiv shpati i kësaj ane është shumë i pjerrët e shkëmbor, dhe plot shkëmbinj që vështrojnë drejt qiellit. Në pjesën e veriore në të cilën ndodhet porta kryesore, ka qenë ndërtuar një oborr i fortifikuar mirë, që është një nga ndërtimet e para të këtij lloji të realizuar në mesjetë me qëllim devijimin e sulmeve direkte. Në pjesën jug-lindore gjendet një cisternë uji e ndërtuar mjeshtërisht, që ishte në gjendje të mbante ujë të freskët.

Për të siguruar ujin në mesjetën e vonë, në pjesën jugore u ndërtua një galeri nëpërmjet së cilës bëhej transportimi i ujit nga lumi në kështjellë. Në pjesën më të lartë të kështjellës ndodhet gjithashtu një akropol i rrethuar nga mure, brenda së cilës gjenden mbetjet e një garnizoni ushtarak, mbetjet e sarajeve të pashait dhe të Xhamisë së Bardhë në periudhën otomane. Kështjella i ka qëndruar besnike planimetrisë së saj të shekullit IV para Krishtit. Hera – herës , sipas teknikave të përdorura, kështjella u përshtat, e kjo mund të vihet re në kullat e predispozuara për topa dhe në frëngjitë për pushkët, që shfaqen në periudhën e pashallëqeve të mëdha shqiptare, të shekullit XVIII-XIX. Topat gjenden ende edhe sot përgjatë mureve të kështjellës.

SHKARKO APP