Besimtarët e krishterë festojnë ditën e Ujit të Bekuar

Besimtarët ortodoksë dhe katolikë, kudo në botë, festojnë sot ditën e Ujit të Bekuar, që njihet si dita e bekimit të Zotit. Sipas Biblës, kjo ditë përkon me mbrëmjen kur tre dijetarë panë në qiellin e Betlehemit në Jeruzalem, yllin, i cili paralajmëronte lindjen e Birit të Zotit, Jezu Krishtit. Të tre dijetarët, Melchiorri, Baldassari dhe Gasperi, u nisën nga vende të ndryshme për të parë dhe për t’i ofruar dhuratat e tyre Jezu Krishtit fëmijë.

Me rastin e kësaj dite, organizohen mesha, të cilat shoqërohen me lutje të ndryshme, me bekimin e ujit dhe marrjen e këtij uji nga besimtarët.

Në Korçë, Vlorë, Sarandë, Gjirokastër, Fier, Berat, Elbasan, Durrës dhe në shumë qytete të tjera të vëedit mbahet ceremonia e hedhjes së kryqit në ujë nga një klerik. Besimtarët më pas nxitojnë për të nxjerrë kryqin nga uji i cili hidhet në lumenj apo liqene. Sipas ritit, për të marrë kryqin duhet të futen në ujë të rinj meshkuj dhe ai që e merr i pari konsiderohet i bekuar dhe me mbarësi për këtë vit.

Ndërkohë që për besimtarët ortodoksë të Serbisë dhe të Rusisë, kjo ditë përkon edhe me ditën e Krishtlindjeve.

Në lidhje me këtë festë ka lindur shumë kohë më parë, në disa vise të Italisë, edhe legjenda e Befanës. Që atëherë kjo festë, është bërë e rëndësishme dhe e shumëpritur nga fëmijët. Befana përfaqëson një plakë të shëmtuar, e cila tremb fëmijët me pamjen e saj, por në të njëjtën kohë ajo është edhe zemërmirë, sepse i jep atyre dhurata.

Kjo ditë rifilloi të kremtohej në Shqipëri vetëm pas viteve ’90-të. Për shumë vite gjatë sistemit komunist ajo konsiderohej një festë e ndaluar.

-Legjenda e Befanës-

Për Befanën filloi të flitej në vitin 1200. Në traditën kristiane kjo ditë përkujton vizitën që tre dijetarët i bënë Jezu Krishtit fëmijë. Befana, që në ikonografinë popullore përfaqëson një plakë të shëmtuar, vendos të shkojë pas tre dijetarëve për të takuar Birin e Zotit. Rrugës për në Betlehem, duke fluturuar mbi një fshesë, ajo ndalet shtëpi më shtëpi për t’i dhuruar fëmijëve dhurata të ndryshme me shpresën se ndonjëri prej tyre ishte Jezu Krishti . Por ajo nuk e pa asnjëherë Birin e Zotit. Që në atë kohë, duke fluturuar mbi një fshesë, ajo i shpërndan fëmijëve dhuratat, që nuk ia dha dot Jezu Krishtit të vogël.

Që në kohën e lindjes së kësaj legjende të vegjëlit i besonin shumë asaj. Befana pritej në të gjitha shtëpitë duke varur pranë oxhakut një çorap në të cilin fëmijët gjenin dhurata të lëna nga ajo. Në këtë ditë nuk përgatiteshin pjata të veçanta, por disa familje mblidheshin për të ngrënë gështenja ose arra. Për këtë rast në disa vende i ofrohej ndihmë familjeve më nevojtare, duke i dhënë bukë, sheqer, etj..

SHKARKO APP