Biblioteka Kombëtare, homazh për akademikun Jorgo Bulo

 

Biblioteka Kombëtare ka nderuar sot akademikun Jorgo Bulo, si një homazh kushtuar akademikut, filologut, historianit të letërsisë, kritikut letrar, me një kontribut të jashtëzakonshëm, i cili u nda nga jeta një ditë më parë.

Fusha kryesore e kërkimeve të tij ishte letërsia e Rilindjes Kombëtare, por dhe çështje të tipologjisë së zhanreve letrare, veçanërisht të romanit dhe poezisë.

Duke lënë pas një trashëgimi të vyer në kulturën shqiptare prof. Bulo është autor i mbi 100 artikujve botuar në revista e përmbledhje shkencore brenda e jashtë vendit, si dhe i një sërë studimesh si “Shpirti i fjalës” (2014);  “Tipologjia e lirikës së Naim Frashërit” (1999); “Magjia dhe magjistarët e fjalës”(1998);  “Romani shqiptar i realizmit socialist për Luftën Nacionalçlirimtare” (1982); ”Tradita dhe risi letrare” (1981), etj..

Jorgo Bulo gjithashtu ishte bashkautor dhe redaktor i një sërë botimesh të rëndësishme dhe përmbledhjesh studimore, si “Omar Khajami midis Fan S.Nolit dhe Hafiz Ali Korçës” (2010);  “Fjalori Enciklopedik Shqiptar” (2008); “De Radës: me rastin e 100 vjetorit të vdekjes”, (2003),  “Shqija standarde dhe shoqëria shqiptare sot” (2002) “Historia e Popullit Shqiptar” (2002); “Kosova në vështrim enciklopedik” (1999); “Historia e letërsisë shqiptare: që nga fillimet deri te Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare” (1983),  etj. Si studiues dhe njohës i jashtëzakonshëm i letërsisë shqipe Jorgo Bulo do të jepte një ndihmesë të madhe edhe në fushën e hartimit të  teksteve shkollore të letërsisë shqipe, si “Historia e letërsisë shqiptare 1”, “Antologjia e letërsisë shqipe”, etj..  

Jorgo Bulo lindi në Sheper, Gjirokastër më 1939.

Në vitin 1960 përfundoi studimet e larta për gjuhë dhe letërsi shqipe në Fakultetin Histori-Filologji në Universitetin e Tiranës. Pas përfundimit të studimeve të larta do të ishte bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, ku për dy dekada do të ishte edhe shef i Sektorit të historisë së letërsisë shqipe të shek. XVI-XIX dhe letërsisë midis dy luftërave. Prej vitit 1974-1979  sekretar shkencor i Seksionit të shkencave shoqërore në Akademinë e Shkencave. Në vitin 1990 do të emërohet Drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë deri në vitin 2007, njëkohësisht edhe kryeredaktor i revistës “Studime Filologjike”. Në vitin 2003 do të bëhet anëtar i Akademisë së Shkencave  duke marrë edhe titullin “Akademik”. Akademik Jorgo Bulo gjatë jetës dhe punës së tij do të vlerësohej me Çmime Kombëtare si “PENDA E ARGJENDTË” (1999) dhe “FAIK KONICA” (2008).

SHKARKO APP