Biblioteka Kombëtare mbush 95 vjeç, disa fakte që nuk i dini për arkivin e saj

 

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë më 20 dhjetor do të festojë 95-vjetorin e themelimit. Gjatë ceremonisë së organizuar me këtë rast do të promovohen disa tituj të rinj të digjituar për Arkivin digjital të BKSH, si “Kalendari Kombiar” (1897-1928) dhe “Perlindj’e Shqipnies” (1913-1914).  Koleksionet e plota të digjituara, shumë të rëndësishme në historikun e periodikut shqiptar, janë të publikuara në formatin e tyre elektronik në faqen zyrtare të Bibliotekës Kombëtare, duke i ardhur në ndihmë të gjithë studiuesve dhe përdoruesve të saj.

Si një pjesë e rëndësishme e fondit e-Albanica, që përfaqëson Bibliotekën Digjitale Albanologjike të BKSH-së, këta tituj vijnë krahas titujve të tjerë të digjituar më herët si, “Albania”, (1896-1913); “Dituria” (1909-1929), “Hylli i Dritës” (1921-1944) dhe “LEKA" (1929-1944). Në këtë fond digjital janë përfshirë vepra të rralla të Bibliotekës Kombëtare, dorëshkrime, harta dhe periodikë, të shekujve XV-XIX në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera.

“Përlindj’e Shqipnies” (1913-1914): një ndër gazetat e para të shtetit të pavarur shqiptar. U botua në Vlorë dy herë në javë dhe përfshinte lajme politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore, duke mbështur politikën e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.

“Kalendari Kombiar” (1897-1928): Botim i përvitshëm enciklopedik, kulturor, letrar e politik i shoqërisë “Dëshira” të Sofjes. Numri i parë doli me titulli “Ditërrëfenjësi (Kalendari) shqip” dhe nga vitin 1901 u botua me titullin e njohur edhe sot “Kalendari Kombiar”. Më 1926, pas ndërprerjes së viti 1916, do të rinisë botimin në Tiranë në drejtimin e Lumo Skëndos, i cili mundi të nxjerrë vetëm një numër më 1928.

Prej 10 vitesh Biblioteka Kombëtare, përmes faqes së saj zyrtare (www.bksh.al), ofron një sërë shërbimesh të rëndësishme online si: Katalogët Online, Katalogët e Digjituar, Biblioteka Digjitale,  e-Bibliografi, etj., duke pasur vit pas viti rritje shumë të shpejtë të frekuestuesve dhe vizitorëve të saj. Vetëm gjatë vitit 2015, rreth 100 000 vizitorë, nga vende te ndryshme të botës krahas Shqipërisë, kanë shfrytëzuar si burime referuese shërbimet online të Bibliotekës Kombëtare.

Historia e Bibliotekës Kombëtare

Ministria e Arsimit shpalli themelimin e Bibliotekës Kombëtare më 10 korrik 1920 nën drejtimin e prof. Mati Logorecit. Si ‘bërthamë’ shërbeu fondi prej 3 000 vëllimesh i “Komisia Letrare” në Shkodër, i krijuar më 16 prill 1917 si organizëm i përbashkët shqiptaro-austriak me nismën e një grupi patriotësh të kryesuar nga Luigj Gurakuqi. Me shpërndarjen e Komisisë Letrare në 1918 fondi kaloi në kujdesin e shoqërisë “Vllaznia” dhe më pas u transferua në Tiranë pranë Ministrisë së Arsimit.

Karl Gurakuqi, një nga figurat më të rëndësishme të kohës, atdhetar e patriot, u emërua drejtori i parë i përkohshëm i Bibliotekës Kombëtare, pas një përvoje si sekretar i “Komisisë Letrare”, ku u përkujdes për krijimin e një biblioteke albanologjike. Ai organizoi edhe përurimin zyrtar të Bibliotekës Kombëtare, më 28 nëntor 1922, në një datë historike për kombin shqiptar. Nga dita e themelit të saj u bë një përpjekje e jashtëzakonshme për pasurimin e këtij fondi, si dhe për riorganizimin e bibliotekës si institucion kombëtar. Në momentin e përurimit, BK kishte rreth 6 000 vëllime në fondin e saj.

Përgjatë këtyre viteve me një veprimtari të shquar, Biblioteka Kombëtare u drejtua nga atdhetari dhe lëvruesi i gjuhës shqipe Sotir Kolea (1928-1937) dhe falë tij spikati edhe veprimtaria e këtij institucioni kulturor. Është gjithashtu meritë e tij vënia në baza shkencore dhe pasurimit të fondit të librave dhe dokumenteve me vlera të veçanta kombëtare. Të dhënat e para statistikore pasqyrojnë se në vitin 1937, Biblioteka Kombëtare kishte në fondin e saj një numër prej 14-15 mijë titujsh prej të cilëve mesatarisht vetëm 1800 ishin në gjuhën shqipe, pjesa tjetër e tyre ishin në gjuhën angleze, italiane, franceze dhe gjermane.

Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti Bibliotekën Kombëtare me një koleksion prej 15 000 vëllimesh. Ajo u vendos në një nga ndërtesat më të mira të asaj kohe, e cila shërben edhe sot si “aneks” i saj. Në fund të vitit 1947 fondi i saj numëronte rreth 100 000 vëllime. Për herë të parë në vitin 1948 u vendos me dekret "Mbi dërgimin e detyrueshëm të shtypshkrimeve Bibliotekës Kombëtare", sipas të cilit asaj i dërgoheshin falas një numër ekzemplarësh të çdo shtypshkrimi të vendit. Një ngjarjet tejet e rëndësishme kjo për zhvillimin e mëtejshëm të BKSH-së, si dhe pasurimit të fondit arkivor. Ky dekret e shndërroi Bibliotekën Kombëtare në qendrën e vetme dhe kryesore arkivore të të gjitha botimeve në vend. Nga institucion në vartësi të Institutit të Shkencave, në vitin 1959 BKSH kaloi në vartësi të Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës, ndërkohë që në vitin 1966 ajo u zhvendos sërish, tanimë në një pjesë të ndërtesës së re të Pallatit të Kulturës, ku gjendet dhe sot

Ndryshimet demokratike të viteve ’90 sollën mundësi ndryshimi edhe në politikat e Bibliotekës Kombëtare. Fondi i saj ishte rritur ndjeshëm përgjatë 45 viteve duke arritur në rreth 700 000 njësi. Në vitin 1992, dekreti për depozitimin e ekzemplarit të çdo botimi u rishikua dhe botuesit tani detyrohen të depozitojnë pranë BKSH-së 5 kopje të çdo botimi të tyre.

Pas viteve ’90, ndër projektet më të rëndësishme të Bibliotekës Kombëtare ishte edhe integrimi në portalet europiane dhe botërore. Përfshirja në dy komunitetet më të madha virtuale të bibliotekave, Europeana”dhe “World Digital Library” (“Biblioteka Digjitale Botërore”) . Në vitin 1994 në Bibliotekën Kombëtare filloi katalogimi në një sistem të automatizuar, përmes përpunimit dhe regjistrimit elektronik të gjithë fondit të saj arkivor. Prej 10 vitesh Biblioteka Kombëtare, përmes faqes së saj zyrtare (www.bksh.al), ofron një sërë shërbimesh të rëndësishme online si: Katalogët Online, Katalogët e Digjituar, Biblioteka Digjitale,  e-Bibliografi, etj.

Biblioteka Kombëtare ruan në fondet e saj rreth 1.176.720 njësi bibliotekare, libra, periodikë, harta, atlase, mikrofilma, antikuarë, dorëshkrime e materiale të tjera. Fondi prej 2464 vepra të rralla të botuara në shekujt XV-XVIII, përfshirë edhe veprat e para në gjuhën shqipe, fondi i 1189 dorëshkrimeve, ku përfshihen kryesisht dorëshkrime në gjuhët orientale dhe inkunabulat, përbëjnë ‘thesarin’ e çmuar të kulturës dhe kombit shqiptar. Në dekadën e fundit vërehet një rritje e vazhdueshme e frekuentimit të saj, veçanërisht të moshave të reja, të cilët gjithnjë e më shumë po i afrohen librit dhe bibliotekës. Biblioteka Kombëtare ka mesatarisht çdo vit rreth 5 000 anëtarë dhe qarkullon rreth 200 000 njësi bibliotekare në vit, krahas ‘vizitorëve’ që shfrytëzojnë shërbimet online të BKSH-së, si burime referuese.

Në vitin 2002 Biblioteka Kombëtare, me rastin e 80-vjetorit të përurimit të saj, u dekorua me Urdhërin e lartë të artë “Nderi i Kombit”, i akorduar nga Presidenti i Republikës, Alfred Mojsiu,  me motivacionin “si institucioni i parë kulturor dhe më i vjetër i shtetit shqiptar, sot institucioni kryesor bibliotekar i vendit, si dhe qendër studimore shkencore që kryen njëherësh funksionin e bibliotekës kombëtare dhe publike”. Biblioteka Kombëtare është edhe nismëtare e kremtimit të Ditës Ndërkombëtare të Librit, 23 Prill, tashmë traditë e përhapur në të gjithë Shqipërinë.

SHKARKO APP