Biletaria elektronike, Kumbaro: Vendosim kulturën në standardet evropiane

Projekti i Biletarive Elektronike për 6 sitet e trashëgimisë kulturore më të vizituara në vend, një projekt me vlerë 512.503 USD, i cili është financuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, u përurua dje në mjediset e ministrisë së Kulturës.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro tha se, “përveç formalizimit, një sistem i tillë standardizon sitet tona të trashëgimisë dhe e vendos kulturën në standardet evropiane. “Vijmë me 6 site të reja që pajisen më këtë sistem. Nuk është thjesht një makinë më shumë, është në radhë të parë një hap drejt respektimit të ligjit për sa i përket formalizmit, fiskalizimit të të ardhurave që vijnë nga trashëgimia kulturore, por është një hap shumë i rëndësishëm në atë që e kemi të qëllimshme; rritje të shërbimit të standardit të cilësisë që ne ofrojmë në sitet e trashëgimisë. Në site si Kalaja e Beratit, Kalaja e Shkodrës, apo Parku i Butrintit ku numri i vizitorëve po rritet në mënyrë befasuese, një sistem i tillë ndihmon në shpejtësinë e shërbimit, standardizon sitet tonë të trashëgimisë dhe e vendos kulturën në standardet evropiane”, u shpreh ministrja Mirela Kumbaro, njofton atsh.

Më tej, Ministrja Kumbaro vlerësoi bashkëpunimin me Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, duke u shprehur se pas katër vitesh tashmë rezultatet janë të prekshme. “Tashmë kemi rezultate të prekshme në katër vite. Gjithë kantieret e Trashëgimisë Kulturore në qendrat historike që kemi realizuar bashkë me shumë vështirësi si Kruja, Shkodra, Berati, Korça, Gjirokastra, Tirana dhe së fundmi Vlora janë në fakt projekte ku kemi ecur bashkë hap pas hapi”, tha Kumbaro.

Ndërsa Kryetari i Bordit te AADF-së, Michael D. Granoff tha se, trashëgimia kulturore e një vendi nuk janë thjesht vetëm gurët, kalatë apo sitet e trashëgimisë kulturore, ajo është ADN-ja e një vendi për të parë nga e ardhmja. “ADN-ja e njeriut përmban informacionin gjenetik, ndërsa ADN-ja e historisë është trashëgimia kulturore”, tha Granoff, drejtori i AADF.

Në fund, Ministrja Kumbaro dhe Drejtori i AADF, Granoff inspektuan edhe serverin qendror në MK, nga ku do të kryhet monitorimi online i sistemit të biletarive në sitet arkeologjike të pajisura tashmë me këtë sistem.

Projekti me vlerë prej 512,503 USD është financuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe institucionet në varësi të saj. Projekti, i cili filloi në 2014, u implementua në Kalanë e Beratit; Muzeun Kombëtar Ikonografik “Onufri” Berat; Muzeun Kombëtar “Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik, Krujë; Kalanë e Gjirokastrës dhe Parkun Arkeologjik, Apoloni. Më herët, nga AADF janë instaluar biletari elektronike në Parkun Kombëtar të Butrintit dhe në Muzeun Historik Kombëtar.

Qëllimi kryesor i projektit është rritja e transparencës në mbledhjen e të ardhurave nga shitja e biletave në qendrat e trashëgimisë kulturore. Biletaritë janë të lidhura me një server qendror të vendosur në Ministrinë e Kulturës, ku çdo shitje bilete regjistrohet në kohë reale. I gjithë ky proces mbikëqyret nga një sistem kamerash të cilat janë të lidhura me një njësi monitorimi në Ministrinë e Kulturës. Për operimin sa më të saktë të aparaturave, të gjithë stafet e institucioneve lokale që merren me shitjen e biletave u trajnuan nga kompania që implementoi projektin. Në vazhdim projekti parashikon suport teknik tre vjeçar deri në 2020 dhe potencialisht mund të zgjerohet në sitet e tjera të trashëgimisë në vend.

 

SHKARKO APP