Binaj: Biznesi nuk mund të shkundet me makina luksi, por nuk paguan punëtorët dhe furnitorët
Për Agim Binaj, ekspert kontabël, ne jemi një vend që mbijetojmë, përderisa i drejtohemi eurobondit tregon se kemi nevoja të qenësishme.
Sipas tij, bizneset duhet të mendojnë për ditë të këqija dhe jo të “mburren” me makina luksi, kur nuk paguajnë dot punonjësit dhe furnitorët.
Binaj shtoi se në kushtet e një ekonomie me informaliteti të lartë, në bizneset duhet të bëjnë vetëdeklarimin.
Agim Binaj: Ne jemi një vend që mbijetojmë, përderisa i drejtohemi eurobondit tregon se kemi nevoja të qenësishme. Qeveria duhet që të ndihmojë biznesit, por biznesi duhet që të mendojë për ditën e keqe. Biznesi nuk mund të tundet e shkundet me makina luksi, por nuk arrin të paguajë punëtorët dhe nuk paguan furnitorët.
Secili duhet të bëjë hyrje daljet e veta, fitimet dhe interesat, dhe pastaj t’i hedhë sytë nga shteti. Shqipëri ka një evazion shumë të lartë që shkon në rreth 40%. Kjo do të thotë se këto para nuk shkojnë në arkën e shtetit.
Në qendër të bizneseve duhet të jetë vetëdeklarimi, por detyra qeverisë është të prodhojë rregulla, po nuk ka rregulla të qarta. Ne akoma nuk kemi një model të tillë që të prodhojë vlerë aq sa i duhet shoqërisë, që kjo vlerë të shkojë në rritjen e mirëqenies së njerëzve.