Biseda e fundit me “Xha Sulon”, Vlora i jep Lamtumirën Artistit të Popullit, Albert Verria

Pengjet e Artistit: Me rastin e 80 Vjetorit të lindjes, besoj se Presidenti do të firmosë “Nderi i Kombit”. E meritoj, kam shkrirë jetën time në skenë…

Nga Zenepe Luka

Qindra artëdashës vlonjatë, bënë homazhe dhe vendosën lule pranë arkivolit të trupin të pajetë të Artistit të Popullit, Albert Verria paraditen e së martës në hollin e Teatrit, “Petro Marko”. Me lot në sy familjarët, miqtë dhe artëdashësit, e pritën dhe e përcollën me duartrokitje aktorin e madh, kur hyri dhe doli nga dera kryesore e Teatrit,“shtëpisë” ku ai çeli i pari derën si aktor profesionist. Homazhe bënë edhe kryetari i bashkisë së qytetit, Dritan Leli, prefektja Etjona Hoxha dhe kryetari i Qarkut, Sadrit Danaj. Ajo që ra në sy ishte mungesa e deputetëve të Vlorës, Ministrisë së Kulturës, që nuk dërguan qoftë edhe një buqetë me lule për të nderuar artistin e madh, që ka qenë edhe deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Gjithsesi, artëdashësit kujtonin thënien brilante të Artistit të madh se: Të largohesh nga kjo botë është njerëzore, të largohesh me dinjitet është hyjnore”.

 

Albert Verria, u largua me dinjitet nga kjo jetë

Sikurse thotë djali tij i vogël, që i qëndroi tërë kohën tek koka, vetëm pak minuta përpara se të mbyllte sytë, babai buzëqeshi, ngriti dorën lart e tundi disa herë. Ishte lamtumira e Artistit të madh, që po luante me dinjitet edhe këtë rol tragjik, ndarjen nga jeta.

Biseda e fundit me “Xha Sulon”, ja pengjet e mia

Pak kohë para se t’i shfaqej sëmundja e rëndë, si zakonisht pimë kafe tek “INI”,ngjitur me teatrin “Petro Marko” me artistin, Albert Verria. Sidoqë më 3 shtator do të festonte 79-vjetorin e lindjes, aktori mendonte se si do të organizonte 80-vjetorin. Gjatë gjithë bisedës, ai përcjell mesazhin se njeriu duhet të punojë dhe të mos jepet, të bëjë gjëra të dobishme për shoqërinë, sado që vitet bëjnë të tyren dhe “vende-vende”, sipas tij nuk mund të jesh ai që ke qenë më parë. Shpresoj të festoj 80-vjetorin, po mendoj për përgatitjet që tani dhe besoj se do t’ia arrij 3 shtatorit të vitit 2016. Jua kam thënë, se kam lindur duke zbardhur dita dhe jam shkëputur nga nëna, teksa po lindte dielli.

Ke ndonjë peng, që kërkon të realizohet në ditën e 80-vjetorit?

Sikur të më dhuronin një DVD me rolet që kam interpretuar në skenë dhe në kinematografi, por kjo është një ëndërr me sy hapur, pasi shumë role të spikatura nuk janë rregjistruar dhe kanë mbetur thjesht në memorien e artdashësve. Sigurisht, kjo brengë është për të gjithë artistët, që kanë interpretuar në atë periudhë.

Çfarë dhurate do të dëshironit për jubileun e lindjes?

Për mua dhurata më e bukur dhe e shtrenjtë për jetën time, do të ishte firmosja nga Presidenti Nishani, “Nderi i Kombit”, që e ka kërkuar bashkia e Vlorës dhe Drejtoria e Teatrit “Petro Marko”prej vitesh dhe që e ridërgojnë sa herë ndërrohen Presidentët. Them se e meritoj këtë titull të madh, pasi për skenën dhe filmin, për vendin tim, kam shkrirë energjitë e mia dhe vazhdoj të punoj ende. Të shpresojmë se vërtetë do të më gëzojnë për këtë ditëlindje. Nëse nuk ndodh, do të më mbetej peng.

Ka pengje të tjera  Albert Verria?

Janë gratë, kjo duket qartë tek  filmi “Kapedani.

 

Pengu, që nuk mundi ta thotë me gojën e tij Artisti

Ai e vuajti, por nuk mundi ta thotë me gojën e tij. Mbesa që mbajti fjalën e lamturmirës, përpara se Artisti i madh të prekte tokën, tregoi pengun e fundit të aktorit. “Para pak muajsh Albert Verrisë i erdhi propozimi i fundit për të luajtur një film ndërkombëtar me një rol në filmin “Contromano”, ku skenarist dhe regjisor ishte Andamion Murataj, fitues i “Ariut të Argjendtë” për skenarin më të mirë me filmin “Falja e gjakut” me Gary Keithgriffin, drejtor fotografie, i nderuar me çmime të rëndësishme të kinemasë deri edhe fitues i cmimit Oskar në vitin 1992. Personazhi që do të luante ishte një 80-vjeçar, një rol me shumë karakter, i vështirë dhe me domethënie të madhe, pasi filmi bazohet në temën e hapjes së dosjeve. Filmi ishte fitues në projektin “Memoria” mes 60 projekteve të propozuara, mbështetur nga “Pulia film commission” në Itali. Rolin e pëlqeu shumë. Mësoi tekstin, por nuk mundi të fillojë xhirimet… Realizimi I këtij roli, do të ishte dhurata më e bukur për artdashësin me rastin e 80-vjetorit të lindjes së aktorit.

 

Flasin artistët për kolegun e mikun e tyre

Margarita Xhepa Nderi i Kombit”

Ndjehem e pikëlluar si të gjithë kolegët, për ndarjen nga jeta të Artistit të Popullit Albert Verria. Ai ishte dhe mbetet një ndër kolosët e skenës dhe kinematografisë shqiptare, pasi ka sjellë të veçantën në interpretimin e roleve të tij. Berti, kolegu dhe miku ynë, do të na mungojë me humorin dhe të qeshurën e tij në festivalet e teatrit. Takimi i fundit me Bertin ka qenë pak kohë më parë në Libohovë, kur u takuan aktorët e filmit, “Koncert në vitin 1936”. Qëndruam 1 muaj bashkë. Sidoqë ishim kundërshtarë në rolet e këtij filmi. Berti luantë rolin e Nuri Beut, që donte të prishte koncertin, jashtë skenës ne ishim miq. Kështu mbetëm tërë jetën. Me dhimbje e them se do të duhen dekada, që skenës dhe filmit shqiptar t’i ngjitet një aktor si Albert Verria. Është humbje e madhe për artin dhe shoqërinë shqiptare, sidoqë ai la pas role të papërsëritshëm dhe me plot gojën them, Albert Verria mbetet “kapedani” i skenës shqiptare.

Luftar Paja, Artist i Popullit

Sikurse më shihni, më janë mbushur sytë me lot, për kolegun, mikun e afërt, aktorin e madh të skenës dhe filmit, Albert Verria. Jo vetëm ne, kolegët, por edhe artdashësi e ndjen thellë humbjen, largimin nga jeta të “ kapedanit” të vërtetë të  teatrit dhe filmit shqiptar. Pashë shumë vlonjatë të përlotur dhe kjo mjafton të nxjerrësh përfundimin se sa thellë ka hyrë në zemrat e njerëzve një artist. Iku Berti ynë, por ai la pas një galeri rolesh, të papërsëritëshëm, askush tjetër nuk mund t’i interpretojë rolet e tij. Pa më thuaj, kush mund ta bëjë “Kapedanin”? Jua them me plot gojë… askush. Këtë e them jo nga dhimbja, por kjo është e vërteta, që e dimë dhe e pranojmë të gjithë.

Astrit Mamaj, aktor në Teatrin “Petro Marko”          

Teatri “Petro Marko” sot është në zi, të pikëlluar sa më s’ka , jemi edhe ne aktorët vlonjatë. U largua nga jeta një koleg, një mik, një aktor i madh, që për brezat më të rinj mbetet “mjeshtri” i interpretimit në skenë dhe kinematografi. E ndjejmë shumë, pasi çdo ditë pinim kafen bashkë, bënin humor dhe Berti fliste vetëm për projekte për të ardhmen. Ishte vital, por sëmundja bëri të veten. Ky aktor i madh la pas një galeri rolesh, të papërsëritshëm, që mbeten “shkollë” për brezat e aktorëve .U shkëput një yll nga gjerdani i artë i aktorëve të mëdhenj të skenës dhe filmit shqiptar.

 

SHKARKO APP