Bledar Zajmi dhe Etrita Ibrahimi, koncerti lëvizës që bashkon tre shtete

Me moton “Kultura-hapësira jonë pa kufi” është përkufizuar koncerti lëvizës i Bledar Zajmit në violonçel dhe Etrita Ibrahimit në piano, nga ministrja e kulturës Mirela Kumbaro, e cila ka dashur ta promovojë edhe më shumë dyshen që do të performojë nesër në mbrëmje ora 19:00 në Sallën e Kuqe të qytetin e Prishtinës.

“Nga Tirana në Shkup e sot në Prishtinë”, thekson ministrja Kumbaro në statusin e saj në rrjetin social “Facebook” në dedikimin per koncertin e Bledar Zajmit dhe Etrita Ibrahimit, dyshes që pas koncerteve të organizuara në datën 18 në kryeqytet dhe 19 në Shkup të Maqedonisë, ditën e nesërme do ta shfaqin recitalin e tyre edhe në kryeqytetin e Republikës së Kosovës.

Pas suksesit të arritur në Tiranë e Shkup, dyshja Zajmi-Ibrahimi  do të ekzekutojë edhe në “Sallën e Kuqe” të Prishtinës veprat e autorëve si, Beethoven, Janáček, Dvořák, Sokoli, Grieg, Martinů, në koncertin i cili në gjuhën e kultures bashkon si rrallë 3 shtetet, Shqipëria, Maqedoni e Kosova.

Violonçelisti Bledar Zajmi ka lindur në Tiranë ne vitin 1973 dhe aktualisht është spale – koncertmaester në Orkestrën e Teatrit Kombëtar të Pragës në Republikën Çeke. Ka një karrierë artistike në 3 kontinente, në mbi 30 vende të botës, me mbi 15 CD solo dhe muzikë dhome, me nje repertor te gjerë artistik që nga muzika e stilit barok deri tek ajo kontemporane. Bledar Zajmi luan një instrument francez nga “Mirecourt”.

Ndërsa pianistja Ibrahimi, e cila rrjedh nga një familje të njohur artistësh, e filloi aktivitetin koncertal në moshën dhjetë vjeçare ndërsa gëzon një numër të madh paraqitjesh të suksesshme brenda dhe jashtë vendit. Aktualisht është Drejtoreshë Artistike e Festivalit Ndërkombëtar PIANODROM dhe koncertmaestër në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë.

SHKARKO APP