Blerjet në internet duhen konsideruar sëmundje mendore
Blerjet e shpeshta në internet duhen konsideruar sëmundje mendore, sipas disa psikologëve të cilët mendojnë se kjo gjë ka ngjashmëri me varësitë e tjera. Aktualisht, nëse ti je një person që blen shumë gjëra “online” nuk quhesh i sëmurë mendor por specialistët mendojnë se nëse blerja në internet klasifikohet si sëmundje, ata që e vuajnë këtë do të mund të trajtohen.
Në një studim në “Comprehensive Psychiatry” lexohet se “maniakët e blerjeve “online” kanë uri gjatë gjithë kohës për të blerë dhe nuk i rezistojnë dot të mirave materiale që shohin në internet, pavarësisht se nuk i përballojnë dot”. Kjo gjë më pas i çon në stres, sherre në familje dhe borxhe.
Studimi ka vëzhguar 122 të varur nga blerjet “online” në Gjermani, me të rinjtë që treguan simptomat më të këqija. Udhëheqësja e studimit, Astrid Muller, nga Shkolla Mjekësore e Hanoverit tha: “Është koha që blerjet në internet t’i konsiderojmë çrregullim mendor. Shpresojmë që gjetjet tona të tregojnë rëndësinë e kësaj varësie”.