Blogerja britanike: Ja pse duhet të vini në Shqipëri këtë verë!

Përveç që thuajse të gjithë duan të emigrojnë nga ky vend, po t’i pyesësh shqiptarët se ku do kalojnë pushimet apo ku do të donin t’i kalonin me gjasë përgjigja do jetë “jashtë shtetit”.

Mirëpo, të huajt që kanë pasur mundësi për të eksploruar Shqipërinë shprehen se vendi ynë është ideal për të kaluar pushimet. Mjaft blogje, revista dhe gazeta ndërkombëtare shkruajnë për Shqipërinë, duke e cilësuar si “perla e Ballkanit.”

Por, pse të huajt duhet të vijnë në Shqipëri? Blogerja angleze, e vetëquajtur “theBalkanista”, e cila është shtetase britanike, por prej disa kohësh jeton në Shqipëri, ka renditur 10 arsye se pse Shqipëria duhet të jetë në listën tuaj të pushimeve.

Blogerja “theBalkanista”.

Me anë të një letre të hapur për miqtë e saj që blogerja e titullon “Pse duhet të vini në Shqipëri këtë verë!”, ajo arrin të nxjerrë në pah veçoritë më të mira të vendit tonë.

Nuk është një pistë e rrahur nga turistët

Ndryshe nga shumë destinacione të tjera turistike të Mesdheut (Maltë, Kretë, Qipro, Spanjë), Shqipëria ende nuk është “ngopur” edne me turistët dhe nuk duhet të prisni me orë të tëra për të hyrë në atraksionet turistike, as nuk duhet të bësh luftë me gjermanët për të zënë vendin perfekt në plazh dhe nuk është e mbingarkuar me komercializëm.

Ka plazhet më të mira në të gjithë Europën
Të nderuar pushues që dëshironi Italinë, Kroacinë dhe Greqinë, më vjen keq t’ju zhgënjej, por Riviera e Shqipërisë është në krye të çdo bregdeti që duhet të shikoni. Ndonëse kjo mund të jetë një deklaratë mjaft e diskutueshme, unë i qëndroj asaj, ashtu si shumica e shqiptarëve. Shkoni në Ksamil, Sarandë, Himarë dhe Dhërmi dhe pyesni veten në ujërat tepër të kaltra, rërën e argjendtë dhe pamjet e majme malore, të cilat në mënyrë të përkryer e formojnë bregdetin. Ka diçka të egër dhe të mrekullueshme për bregdetin shqiptar dhe unë ju sfidoj të gjeni diçka të krahasueshme kudo në kontinentin europian.

Koha është e mrekullueshme
Shqipëria gëzon klimën e përsosur mesdhetare me verë të gjatë të nxehtë dhe vjeshtë, dimër dhe pranverë. Nga maji e tutje, temperaturat mbesin vazhdimisht mbi 22 gradë gjatë ditës dhe arrijnë mbi 35 gradë gjatë muajit korrik dhe gusht. Temperatura mesatare vetëm zvogëlohet nën 20 gradë kur vijmë në nëntor, gjë që nënkupton që ju keni kohë të mjaftueshme për të eksploruar vendin dhe për të ‘gllabëruar’ diellin e tij të lavdishëm.

Vendasit janë miqësor
Populli shqiptar është miqësor, kureshtar, mikpritës dhe i sjellshëm. Shumë vendas janë të prirë që të shkundim imazhin negativ të padrejtë që është propaganduar për to gjatë viteve. Ata nuk janë të gjithë mafiozë dhe gangsterë, personalisht mund të them që kurrë nuk kam ndier më shumë siguri, se sa kam pasur në Shqipëri. Jini të përgatitur për t’iu përgjigjur 100 pyetjeve se kush jeni, prej nga jeni dhe pse jeni këtu – vendasin duan të dinë shumë detaje.

Ushqimi është mahnitës
Nëse jeni në bregdet, ju do të gjeni ushqim deti shumë të shijshëm, me çmime tepër të ulëta. Kuzhina ka një ndikim të madh nga Italia dhe çdo gjë, nga pica deri te makarona, është e krahasueshme me atë që do të gjesh atje. Ndërsa udhëtoni për në brendësi të vendit, kuzhina është më e bazuar në pjata mishi, por me prodhimet më të freskëta të mundshme. Për sa kohë kam qëndruar, koncepti i ushqimit të ngrirë nuk ekziston dhe gjithçka është tërësisht e freskët, e pastër dhe e përgatitur mirë.

Gjuha nuk i ngjan asgjëje që ju keni dëgjuar më parë
Shqipja është një nga gjuhët më të vjetra të gjalla dhe është krejtësisht ndryshe nga çdo gjuhë tjetër euopiane. Është shumë e vështirë të arrish të flasësh, por mund të provosh të mësosh disa fjalë pasi banorët e pëlqejnë kur të huajt përpiqen të flasin në gjuhën shqipe.

Ju mund të udhëtoni me lehtësi në disa vende të tjera
Shqipëria konsiderohet si një bazë e shkëlqyer për ata që duan të eksplorojnë zona të tjera të rajonit. Nga Pogradeci mund të kaloni në kufirin me Maqedoninë, nga Shkodra ju mund të udhëtoni në Mal të Zi dhe Kroaci, nga jugu mund të vizitoni Greqinë dhe Korfuzin, dhe nga veriu pse jo, shikoni Kosovën dhe Serbinë përtej. Ju mund të merrni me qira një makinë ose të merrni një autobus dhe të jeni në destinacionin tuaj brenda disa orëve. Italia është rreth 1 orë në një aeroplan ose ndryshe mund të merrni një traget nga Durrësi dhe të jeni atje brenda disa orëve.

Ka më shumë histori se sa duket në sipërfaqe
Nëse je një fans i historisë dhe i kulturës, atëherë mund të rezervosh një zgjatje të qëndrimit tënd në Shqipëri. Vende të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, rrënojat romake, kështjellat mesjetare, muzeumet e bunkerëve komunistë dhe reliket e mbetura nga sundimi otoman, këtu i gjeni të gjitha.. Ja vlen të vizitohet qyteti i Butrintit në jug, ashtu siç është Berati, dhe qyteti i Shkodrës. Nuk ka hapësirë të mjaftueshme për të shkruar këtu të gjitha vendet historike që ju duhet t’i shihni.

Është një vend me tolerancë fetare
Edhe pse Shqipëria është një vend me shumicë myslimane, ju nuk keni nevojë të ndrydhni besimin tuaj siç mund të duhet të bëni në vende tjera myslimane. Shqiptarëve realisht nuk u intereson se cilit besim i përkisni, për sa kohë që jeni një person i mirë dhe miqësor dhe i ndershëm.

Vizitoni liqenet e saj dhe burimet natyrore
Ashtu siç ka vijën bregdetar shumë të lakmuar, Shqipëria është shtëpia e disa liqeneve më të bukura, madje edhe burimeve natyrore. Liqeni i Komanit, Liqeni i Shkodrës, Liqeni i Butrintit dhe Liqeni i Ohrit janë të gjithë të vlefshëm për t’u vizituar. Burimet e saj natyrale si Syri i Kaltër dhe një i ngjashmi i tij në Thethi janë perfekte për notim dhe relaksim dhe nëse jeni me fat ju mund të pengoheni nëpër disa ujëvarat për ato momente të përsosura Instagram.

 

SHKARKO APP