Bob Dylan, ende asnjë reagim për marrjen e çmimit Nobel në letërsi. A do ta pranojë çmimin?!

Kanë kaluar dy ditë, që kur këngëtari amerikan Bob Dylan u shpall fitues i çmimit Nobel për letërsinë, por duket se akademia e Nobelit ende nuk ka arritur të kontaktojë kantautorin e madh.

75-vjeçari u shpall fitues për frazat poetike të jashtëzakonshme në këngët e tij, por artisti i madh nuk ka dhënë asnjë deklaratë, asnjë reagim madje asnjë emocion.

Kancelari i akademisë së Nobelit deklaroi për AFP-në se drejtuesit kishin arritur të flisnin me agjentet e Bob Dylan dhe menaxherin e turneut të tij, por ende nuk kanë biseduar me kantautorin e madh. Një nga miqtë e tij deklaroi për Washington Post se Dylan mund edhe të mos e pranojë fare këtë çmim.

Edhe pas shpalljes së fituesit të nobelit në letërsi 75-vjeçari Dylan ka vazhduar të bëjë atë që do më shumë, të mbushë sallat e Las Vegasit me koncertet e tij.

Çdo vit fituesit e çmimit Nobel ftohen në Stokolm më 10 dhjetor në një ceremoni për marrjen e çmimit të madh, por ende nuk ka ndonjë informacion nëse Dylan ka pranuar të jetë aty.

SHKARKO APP